Ilustrimi: KALLXO.com

Bota e ndarë në dy taborë, Harris apo Trump: Çka do sjellë 5 nëntori për Kosovën?

E ndarë në dy taborë, bota po pret me ngulm rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përderisa pritjet janë të ndryshme, rezultatet e çfarëdoshme pritet të ndikojnë edhe në Kosovë- shtetin më të ri në Europë.

Sa ka gëzim, ekziston edhe një eufori e manifestuar në formë frike për fatin e Presidencës amerikane, që do të vulosë jo vetëm fatin e shtetasve të saj, por të gjithë botës. Roli i fuqisë më të mëdha botërore, përcakton fatin e shumicës së shteteve tjera, e sidomos atyre të vogla.

Kosova cilësohet të jetë një nga shtetet më pro-amerikane në botë ngase mbështetja e kësaj të fundit e përcaktoi lirinë e vendit në luftën 1998/1999. Kësisoj, edhe pas 25 vjetësh nga përfundimi i luftës, ky shtet vazhdon të jetë përkrahës i Kosovës në procesin e forcimit dhe integrimit të saj.

Nën valët e ndryshimeve, shteti i Kosovës ende po kalon në shumë procese të rëndësishme integruese që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008, dhe roli i ShBA-së mbetet determinues duke marr parasysh edhe numrin e forcave amerikane të NATO-s në vend.

Teksa minutat po shkojnë, njerëzit janë ndarë në dy fronte ku si rrjedhojë ekzistojnë botëkuptime të kundërta në lidhje me ndikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Vetëm se në përgjithësi në Kosovë më shumë besohet që “lotët e gëzimit” do të rrjedhin për Harrisin sesa për Trumpin.

Qeveria duhet të pres gjithçka

Qeveria e Kosovës duhet të jetë e shqetësuar pa marrë parasysh se kush fiton, vlerëson Mark Baskin, profesor amerikan që ligjëron Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Politikat Publike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Duke pasur parasysh klimën politike në zhvillim, se a ka rrezik që mund të ndryshojnë marrëdhëniet Kosovë-ShBA në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, Baskin mendon se ka gjasa reale që marrëdhëniet mes dy vendeve të ndryshojnë nën një administratë të re – pavarësisht nëse ajo drejtohet nga republikani Donald Trump apo demokratja Kamala Harris.

Baskin thotë se çdo administratë ka prioritetet e veta dhe mënyrën e vet të punës, dhe çdo administratë e re cakton një ekip të ri që do të menaxhojë këto çështje.

Në këndvështrimin e tij, qëndrueshmëria politike e republikanit Trump reflekton një rritje më të gjerë të partive më të djathta dhe populiste në SHBA, Europë dhe gjetkë.

Trump, sipas Baskinit, gjithashtu pasqyron shfaqjen e një mjedisi të ri strategjik global që ka çuar në luftëra në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, dhe ndryshimin e linjave të çarjes në Azi, ngritjen e fuqive të BRICS (Brazil, Rusia, India, Kina …), ndër të tjera.

E për të, ashtu siç Biden vazhdoi disa nga politikat e Trumpit, p.sh., ndaj Kinës, edhe Harris do të detyrohet të marrë pjesë në këtë kontekst strategjik në zhvillim që nuk do të ndryshojë në afatin e afërt, si me një valë të shkopit të profesorit Dumbledore (personazh i serialit Harry Potter).

“Çdo qeveri e Kosovës sigurisht që do të bëjë mirë t’u kushtojë vëmendje këtyre rrethanave në ndryshim”- thotë Baskin në një intervistë për KALLXO.com.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët.

Gërvalla deklaron se Republika e Kosovës që përbën popullin në pro-amerikan në botë nga SHBA ka pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai demokrat edhe kampi republikan.

“Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë”- thotë Gërvalla.

E eprori i saj, kryeministri Albin Kurti në zgjedhjet e kaluara të vitit 2020, ishte rreshtuar haptazi në anën e shefit të Harrisit, Joe Biden, por jo edhe tashmë.

Për këto zgjedhje, pavarësisht bindjeve, Kurti nuk ka shpërfaqur anë publikisht, megjithëse në muajin gusht ka marrë pjesë në Konventën Demokratike, si pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024, që mbahet tre muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

“T’i shohim rezultatet në ShBA dhe më pastaj t’i shohim edhe përzgjedhjet që bëhen nga ana e kandidatit që fiton. Pra nuk do të kisha bë tash gjimnastikën cerebrale të hipotezave mbi hipotezat …” – tha Kurti për media më 29.10.2024.

Valon Murtezaj, profesor i Negocimit Ndërkombëtar, Menaxhimit të Konflikteve dhe Diplomacisë në IESEG School of Management në Francë thotë se nga ajo çfarë po zhvillohet në fushatë gara ndërmjet Harrisit dhe Trumpit mbetet në vijë të hollë.

Sido që të jetë rezultati, sipas tij, nuk mund të këtë ndryshime drastike në kursin e Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi.

“Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnere të besueshme ndaj njëra tjetrës për shkak të vlerave të lirisë dhe demokracisë që i ndajnë së bashku. Po ashtu duhet pasur parasysh Bashkimin Europian dhe gjithë kontekstin e integrimit europian për Kosovën”- thotë Murtezaj për KALLXO.com.

Shtetet e vogla gjithmonë kanë drojën e ndryshimit të politikave ndërkombëtare në raport me to duke përfshi Kosovën, thotë ligjëruesi dhe hulumtuesi në Universitetin e Agder në Norvegji, Abit Hoxha.

Pritjet, sipas tij, ndërlidhen me veprimet që Kosova i bën apo jo, pasi që është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i SHBA-së, por nëse nuk sillet si e tillë, natyrisht se do të ketë konsekuenca më të drejtpërdrejta vis-à-vis kandidatit që do të fitoj zgjedhjet.

“Tani, Trump shihet si më spontan dhe reaktiv në politikën e jashtme, por kjo do të thotë edhe se ai është më i prirë të sakrifikoj politikat e vogla ndaj të mëdhave- pra është më i paparashikueshëm. Harris mund të jetë e kundërta por këto janë vetëm spekulime. E gjitha varet nga sjellja e Kosovës ndaj tyre”- thotë Hoxha për KALLXO.com.

“Trumpi i frikshëm”

Veprimtari shqiptar në SHBA, Musa Daka, është tejet i shqetësuar rreth zgjedhjeve në SHBA. Ai i druhet fitores së Trumpit, më shumë për Kosovën sesa për vetën e tij që jeton në Amerikë.

“Nëse Donald Trump fiton ekziston mundësia që Richard Grenell të jetë përfaqësues i Presidentit për Ballkanin.  Këtu është frika jonë, sepse dihet qëndrimi dhe interesi i Grenellit”- tha ai për KALLXO.com.

Richard Grenell ishte i dërguar amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump. Ish-zyrtari i administratës së Trumpit, është parë nga shumëkush në Kosovë si njeri i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi.

Sido që të jetë, Dakaj thotë se disa veprimtarë shqiptaro-amerikanë janë në kontakt të afërt me njerëzit e afërt Donald Trumpit dhe kanë premtime prej tyre.

“Megjithatë ekziston rreziku real që administrata e tij do ta mbyllë problemin e Kosovës me Serbinë, po ashtu të Ukrainës me Rusinë, duke i copëtuar, pra duke shpërblyer Rusinë dhe Serbinë”-  shprehet i brengosur ai.

Ndonëse i druhet rezultateve, Dakaj beson që Kamala Harris megjithatë do të fitoj në zgjedhjet presidenciale.

Pak ditë para zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Kamala Harris i është drejtuar me një letër të hapur shqiptaro-amerikanëve, nëpërmjet të cilës ka theksuar marrëdhëniet historike me Shqipërinë si dhe kontributin amerikan për të arritur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formësojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta”- thuhet në letrën drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan.

Për Mark Baskin, një administratë Trump ka të ngjarë të jetë më transaksionale sesa administrata aktuale e SHBA.

Kështu beson ai, pasi që Trump, sipas tij, mund të kufizojë në masë të madhe fokusin në një agjendë të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe një fokus më të madh në një agjendë pragmatike, të përqendruar ekonomikisht dhe të orientuar drejt sigurisë në Ballkan.

Baskin thekson sidomos marrëveshjet dypalëshe mbi ato që përfshijnë marrëveshjet e udhëhequra nga BE-ja dhe NATO-ja, duke avancuar Interesat strategjike të SHBA.

“Këshilltari i Trump – ish i dërguari special Grennell – ka thënë se një administratë e re Trump do të angazhohet shpejt në Ballkan. Angazhimi i saj varet, pjesërisht nga rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë në shkurt 2025”- thotë ai.

Sipas tij, në të kaluarën, administrata Trump nuk ka punuar ngushtë me ekipin negociator të BE-së. Ai ndërmjetësoi Marrëveshjen e Uashingtonit që u pa si hap drejt normalizimit ekonomik dhe rritjes ekonomike mbi njohjen politike.

Profesori në Universitetin Winchester në Britani të Madhe, Seb Bytyçi mendon që nëse fiton Donald Trump, Kosova dhe rajoni mund të presin një qasje më me pak respekt për vlerat demokratike, për shtetet aleate demokratike dhe për ombrellën e sigurisë së përbashkët, NATO-n.

“Kjo sigurisht se do t’i trimërojë shtetet që synojnë ta minojnë rendin demokratik, siç është Rusia, por edhe në Ballkan Serbinë dhe Republikën Serbe të Bosnjës”- thotë Bytyçi.

Nëse fiton Trumpi, sipas tij, ka të ngjarë se mund të zvogëlohet prania amerikane në KFOR, apo edhe të eliminohet tërësisht. “Gjithashtu mund të kthehet në diskutim edhe mundësia e ndarjes së Kosovës”.

Kosova sikur parapëlqen një pasues të Bidenit

Joe Biden, i cili mori detyrën si president i Shteteve të Bashkuara më 20 janar 2021, ka një pëlqyeshmëri mes kosovarësh, për shumë arsye, ndër të tjera edhe pse djali i tij i ndjerë kishte punuar në Kosovë gjatë viteve të luftës. Në vitin 2016 një rruge që çon në kampin ushtarak amerikan- Bondsteel iu vu emri i Beau Biden, si shenjë nderimi ndaj tij.

Demokratja Harris është krahu i djathtë i Bidenit, duke qenë edhe nënkryetare në administratën e tij. Në një formë ose tjetrën ka trashëguar simpatinë ndër shqiptarë.

Profesori Baskin, beson që nëse Kamala Harris zgjidhet presidente, do të mbajë angazhimet e SHBA-së në NATO, duke adresuar si kërcënimet ruse ndaj rajonit, ashtu edhe investimet e Kinës që rrisin angazhimin e saj në Ballkan.

“Kështu që Harris do të mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës dhe Ballkanit në mbështetje të stabilitetit dhe parashikueshmërisë në rajon, ndoshta me një theks më të madh në shtyrjen e aleatëve europianë për të marrë më shumë udhëheqje në çështjet rajonale”- thotë Baskin.

Sebi Bytyçi thotë se nëse fiton Kamala Harris, mund të pritet pak a shume një vazhdimësi e politikave aktuale amerikane, mirëpo me disa ndryshime.

Në perspektivën e tij, Harris është paraqitur mjaft agresive në fjalimet e saj sa i përket mbrojtjes së aleatëve demokratike të SHBA-s, kështu që mund të pritet një insistim më i madh në vlera demokratike dhe në forcimin e NATO-s.

Edhe veprimtari Daka thotë se me administratën e Kamala Harris, nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga ajo e Joe Biden, megjithatë, “Kosova do të jetë në pozitë më të mirë sesa tani që është tani”.

Një sondazh i Gallup-it tregoi preferenca të qarta për nënpresidenten Harris në shtetet demokratike europiane ku Kosova kishte 55% preferencë për të.  Në anën tjetër, Serbia kishte 59% preference për ish-presidentin Trump.

Në lidhje me këto preferenca, Bytyçi thotë se Kosova ashtu si shtetet tjera demokratike duhet t’i druhen fitores se Donald Trumpit, duke përmendur se ka pasur një seri të masave që quhen ‘Trump-proofing’ apo përgatitje për Trumpin.

Për të, kështu mund të shihen edhe vendimet e Kosovës për të dobësuar praninë e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë për të krijuar një situatë më të favorshme për Kosovën nëse imponohet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Edhe Valon Murtezaj thotë se nëse Harris zgjidhet presidente, gjasat janë që dinamika ndaj Kosovës të mbetet afërsisht kjo që ka qenë gjatë presidentit Biden, me një angazhim të shtuar rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nëse Trump zgjidhet president, sipas tij, pritja e parë logjike do të ishte që marrëveshja e arritur për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti Trump të bëhet prioritet i menjëhershëm i agjendës së SHBA-së në relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe administratës së re amerikane.

“Natyrisht disa pika mund të jenë të tejkaluara tanimë dhe kjo do të kërkonte angazhime shtesë për të bërë marrëveshje të re më të përditësuar dhe aktuale. Kjo nënkupton nevojën për negociata shtesë poashtu”- thotë Murtezaj.

Në shtator 2020, Trump sa ishte president i kishte bërë bashkë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale për të nënshkruar një marrëveshje “historike”, e ashtuquajtura Marrëveshja e Uashingtonit, të paktën në Kosovë, është vënë mënjanë.

Zgjedhjet presidenciale në ShBA mbahen në çdo katër vjet. Që nga viti 1845, ato zhvillohen të martën e parë të nëntorit.

Deri më tani, SHBA ka pasur 46 presidentë, duke përfshirë presidentin aktual, Joe Biden, i cili është presidenti i 46-të. Megjithatë, Biden është konsideruar presidenti i 46-të dhe jo i 47-të, sepse Grover Cleveland shërbeu dy mandate jo të pasardhura, dhe prandaj ai është numëruar si presidenti i 22-të dhe i 24-të.

Kushdo që fiton kësaj radhe do të jetë presidenti/presidentja i/e 47-të në historinë e ShBA-së.