Bosnja Miraton Ligjin që Vonoi Shënimin e Foshnjave

Dhoma e Popujve e Parlamentit Boshnjak të enjten me procedurë të përshpejtuar miratoi ndryshimet në Ligjin për numrat personalë kombëtarë.

Ligji i ri përcakton nëntë zona të pajisjes me numra personalë, pesë në Federatën Boshnjako-Kroate dhe tre në Republikën Serbe, derisa numrat personalë të të sapolindurve mund të merren edhe në regjionin  e Brçkos.

Sipas ligjit numrat personalë kombëtarë të lëshuar sipas ligjeve të vjetra nuk do të ndryshohen.

Këshilli i Ministrave, qeveria e nivelit shtetëror të përbashkët të Bosnjës në vazhdimësi dështoi ta aprovojë këtë ligj, ndërsa secili i sapolindur në Bosnjë dhe gjetiu duhet të ketë numër personal.

Problemi me lëshimin e numrave personalë filloi kur Gjykata Kushtetuese e Bosnjës anuloi ligjin ekzistues për numrat personalë në shkurt, duke argumentuar se emrat e disa komunave duhet të ndryshohen.

Deputetët serbë të parlamentit shtetëror u ankuan se ligji nuk respekton kufijtë mes dy etniteteve të vendit, Federatës Boshnjako-Kroate dhe Republikës Serbe.

Moslëshimi i numrave personalë për shkak të ligjit të paaprovuar për ta, shkaktoi seri protestash në qershor, pasi një foshnjë nuk mundi të shkojë për shërim në Gjermani, për shkak se nuk iu lëshua numri personal identifikues.

Një foshnjë tjetër e quajtur Berina Hamidoviq, vdiq, pasi për shkak se nuk kishte numër personal, nuk mundi të shkojë me kohë për shërim në Beograd.