Borxhet Shtyjnë Rezart Taçin të Shesë Aksionet

Qeveria shqiptare javën e kaluar aprovoi shitjen e 70 për qind të rafinerisë së naftës së Shqipërisë ARMO, kompanisë Heaney Assets Corporation nga Azerbajxhani, e regjistruar në parajsën fiskale të British Virgin Islands. 

Kompania nga Azerbajxhani pagoi 35 milion euro për aksionet e Taçit në AMRA Oil, që kontrollonte 85 për qind të kësaj kompanie. Pjesa tjetër e aksioneve mbetet në duart e qeverisë shqiptare.

Heaney Assets Corporation ka paguar gjithashtu gati 15 milion euro për një pjesë të aksioneve në disa kompani të tjera të kontrolluara nga Rezart Taçi, përfshirë Europetrol, Taçi Oil dhe Kuid.

“Borxhet e tij ishin rritur aq shumë saqë as lidhjet e tij me politikën nuk mund ta shpëtonin”, tha Ard Kola, redaktor i ekonomisë në gazetën ditore Shqip.

Sipas Kolës, magnati i naftës krijoi një përshtypje se po bënte hapa të mëdhenjë në botën e biznesit, por e gjithë kjo ishte vetëm flluskë. 

“Taçi ndërtoi një perandori me buxhete të fryra dhe borxhe të cilat paguanin borxhe të tjera”, shtoi ai.

Të dhënat nga autoritetet e tatimit tregojnë se kompanitë e Taçit kishin një qarkullim prej 350 milion eurosh në vitin 2012.

Pronarët e rinj të ARMO-s janë pajtuar gjithashtu të marrin përsipër borxhin e rafinerisë ndaj prodhuesit shtetëror të naftës Albpetrol, që besohet të jetë dhjetëra miliona euro.

Përveç borxhit ndaj Albpetrolit, Taçi besohet të ketë një kredi të papaguar prej 75 milion eurosh në Bankën e Azerbajxhanit. Banka e kishte paditur atë për këto para në gusht të vitit 2012, por kishte tërhequr padinë pas disa ditësh.

Taçi është i njohur si një nga biznesmenët e Tiranës, të cilët i takojnë rrethit të ngushtë të Sali Berishës, kryeministër në largim.
 
Ai ka shpenzuar miliona euro për të sjellë klube futbollistike si AC Milan dhe Real Madrid për të luajtur ndeshje futbollistike bamirëse, të ardhurat nga të cilat shkonin në fondacionin e udhëhequr nga gruaja e Berishës.

Ai gjithashtu ka shpenzuar shuma të mëdha për të transportuar figura të shquara si Mikhail Gorbachev dhe Cherie Blair, gruaja e ish kryeministrit britanik Tony Blair, për në Tiranë me avionë privat.

Në vitin 2009 ai bleu rafinerinë shqiptare ARMO për 128 milion euro.
 
Në nëntor të vitit 2009, ai u akuzua për sulm ndaj Mero Bazes, analist politik dhe publicist, por ishte liruar nga akuzat një vit më pas. Megjithatë, dy nga truprojat e tij u gjetën fajtor për ofendim të gazetarit dhe u gjobitën me 300,000 lek (2,140 euro) secili.

Në vitin 2012 ai ofertoi në blerjen e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, por oferta e tij  dështoi kur Taçi nuk mundi të jepte 850 milion eurot e ofruara.