Bordi i KOSTT-it i Takon LDK-së

Kryesimi i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes KOSTT do të bëhet nga një person i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Bazuar në emërimet e reja të anëtarëve të bordeve bërë nga Qeveria duket se LDK-ja ka mposhtur partnerin e saj PDK-në për sa i përket drejtimit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT).

Kjo ndërmarrje do të kryesohet nga Drita Konxheli-Radoniqi.

Ajo kishte kandiduar për deputete nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Nuk kishte arritur të bëhej ligjvënëse.

Por në janar të vitit 2015 ajo morri votat e duhura për të qenë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Konxheli-Radoniqi përkundër të kaluarës partiake morri besimin nga Qeveria Mustafa që të udhëheq bordin e një ndërmarrje publike që llogaritet që duhet të ketë të njerëz të pavarur në përbërje.

Ligji për ndërmarrje publike kërkon që  të mos emërohen në borde njerëz që kanë qenë të zgjedhur në trupa drejtuese partiake në 36 muajt e fundit.

Përkundër kësaj ndalese nga 2 shtatori i këtij viti bordi i KOSTT do të udhëhiqet nga Konxheli-Radoniqi.

Përveç saj në bord janë emëruar edhe Afrim Prekazi, Musa Misini, Anita Cucoviç, Nebih Zariqi dhe Gani Jashari.

Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje Konxhelit lidhur me afërsinë me LDK-në. Nuk ktheu përgjigje.

Konxheli, në deklarimin e pasurisë ka treguar se të ardhurat vjetore që i merr nga Bordi i NP KOSTT SH.A janë 3 mijë e 400 euro. Ka deklaruar pasurinë mënjeherë pas marrjes së postit të kryesueses në KOSTT.

Konxheli ka titullin Profesor i Asociuar, në Universitetin e Prishtinës, ku të hyrat vjetore nga paga e UP-së janë 22 mijë e 953 euro.

Ka diplomuar/doktoruar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik më 1984.

Ndërsa ka doktoruar më 2008.

Fillimisht punën në UP e ka nisur si asistente nga viti 1986-2009 në Fakultetin Ekonomik.

Konxheli ka punuar edhe si kontabiliste në Shkup në vitet 1985-1986 në institucionin Nashe Dete.

Mst: Humb zgjedhjet, bëhet anëtar bordi

 

Bashkë me Konxhelin në bordin e KOSTT do të jetë edhe një person që ka humbur në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Është Musa Misini që ka synuar të bëhet deputet i LDK-së.

Misini thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se afërsia me LDK-në nuk ka ndikuar që ai të marrë post të drejtorit në bordin e KOSTT.

“Oferta është bërë përmes konkursit publik. Ndërsa përzgjedhja është bërë nga komisioni intervistues i cili komision ka vendos konform vlerësimit të panelistëve në bazë të përgjigjeve të marra me rastin e intervistës dhe përvojës profesionale të prezantuar në CV”, thotë Misini.

Ai ka treguar gjithashtu se synimet e tij janë që ta promovoj kompaninë në nivel rajonal dhe Evropian, të jetë kompani financiarisht e qëndrueshme, fitimprurëse dhe të siguroj transmetim të sigurt dhe të besueshëm të Energjisë Elektrike.

“Të përcaktojmë dhe afirmojmë strategjinë e KOSTT-it, me mbikëqyrje të vazhdueshme të veprimtarisë së kësaj NP në fushën afariste dhe financiare”, tha Misini.

Misini me profesion është Inxhinier i Elektroteknikës. Ka qenë pjesë e Kuvendit Komunal në Viti, pjesë e  Bordit të Drejtoreve të KEK-ut si dhe Zyrtar për Termometri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Anëtari tjetër nga radhët e LDK-së është Nebih Zariqi. Ai ka qenë anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së.

Zariqi është edhe drejtor i NNP “Standard” SHPK dhe në Agjencionin Kundër Korrupsion ka deklaruar se merr  2 mijë 500 euro nga kjo kompani..Ai ka deklaruar pasurinë pas marrjes së detyrës së anëtarit të bordit në KOSTT.

Gazeta Jeta në Kosovë  ka kërkuar një koment nga Zariqi lidhur me emërimin e tij një bord profesional përkundër se ka qenë i aktivizuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nuk ka dhënë përgjigje. Ai nuk ka kthyer përgjigje as kur është pyetur se cili është shkollimi i tij dhe se a lidhet me punën e tij në ndërmarrjën publike KOSTT.

 

Mst: Vakat

Edhe anëtarja tjetër e bordit Anita Cucoviç ka qenë e përfshirë në politikë.

Ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.

Ka synuar të bëhet deputete nga rradhët e koalicionit boshnjak Vakat.

Nuk ka arritur të fitojë votat e duhura për tu bërë ligjvënëse.

Vakat është në grupin parlamentar 6 + në Kuvendin e Kosovës. Ky grup është partneri më i vogël i koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Ajo mban edhe një pozitë tjetër të lartë. Qeveria në korrik të këtij viti e emëroi atë në pozitën e anëtarës të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Cucoviç, është ligjëruese në Universiteti Haxhi Zeka në Pejë. Në Agjencionin Anti Korupsion, Cucoviç ka deklaruar se merr pagë 400 euro.

Ajo nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur është pyetur për të kaluarën partiake dhe shkollimin e saj.

Mst: PDK

Afrim Prekazi është anëtari tjetër i bordit në ndërmarrjën KOSTT. Ai është menaxher në një kompani private që quhet “Satelit”.

Emri i tij figuron si konkurrues për ligjvënës lokalë në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Kishte konkurruar që të bëhëet asamblistë i PDK-së në Mitrovicë.

Prekazi, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, thotë se emri i tij ishte keqpërdorur dhe se nuk kishte konkurruar për tu bërë deputet lokalë i PDK-së në Mitrovicë.

“e ka keqpërdor emrin tim. Kanë dal emrat aty dhe menjëherë e kom qu ankesën time në OSBE edhe ata e kanë pranuar”, thotë Prekazi.

Sipas tij, përzgjedhja në Bordin e KOSTT-it, është bërë me konkurs.

“Jam zgjedh me konkurs nuk jam zgjedh veç hajt”, u shpreh ai.

Anëtari i cili nuk ka qenë anëtar i asnjë subjekti politik në Republikën e Kosovës, është Gani Jashari.

“Unë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

Jashari thotë se për përzgjedhjen e tij si anëtar i bordit në KOSTT është informuar nga mjetet e informimit publik.

Jashari, thotë se do të angazhohet që nëpërmjet përcaktimit të politikave afariste dhe udhëzimit strategjik, të ruaj dhe të rrisë vlerën e kompanisë në dobi të aksionarit, në ketë rast të Republikës së Kosovës.

“Të siguroj shërbime cilësore, duke implementuar të arriturat tekniko – teknologjike në zhvillimin e sistemit të kompanisë, të siguroj qëndrueshmëri financiare, të krijoj një organizatë efektive dhe efiqente, dhe të arrijë ngritje të vazhdueshme në produktivitet”,  thotë Jashari duke e cekur se këto janë disa nga detyrat parësore.

Ai në vitin 1984 ka marrë titullin ‘Doktor i shkencave të Fizikës’, në Universitetin e Zagrebit.

Ai detyrën e tij si mësimdhënës e ka ushtruar që nga viti 1977.