Bordi i KEK-ut Nuk Ka Disponim për Shkarkimin e Gjukajt

Bordi i Drejtorëve të KEK-ut i kryesuar nga Fadil Çitaku është takuar të shtunën për të diskutuar lidhur me marrjen e masave rreth faturimit të energjisë elektrike për muajin janar, pas gjetjeve të konstatuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për gabimet në faturimin e rrymës.

Burimet e Gazetës Jeta në Kosovë bëjnë të ditur se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për refuzim të kërkesës së Komisionit të Ministrave për Ndërmarrje Publike, të javës së kaluar, që të shkarkohet drejtori ekzekutiv i korporatës Arben Gjukaj.

Vendimi zyrtar për Gjukajn pritet të merret brenda javës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar letrën njoftuese që Kreu i Bordit të KEK-ut Fadil Çitaku ia ka dorëzuar drejtorit për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Sejdiut.

Bordi i KEK-ut mbajti mbledhje të shtunën e kaluar, një ditë pasi Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike kërkoi prej tij shkarkimin e drejtorit ekzekutiv të Korporatës, Arben Gjukajt.

Burimet e gazetës brenda në Bordin e KEK-ut thanë se Bordi gjatë takimit nuk ka shprehur disponim për një shkarkim të mundshëm të Gjukajt.

Çitaku, pasi përmes letrës zyrtare e njoftoi Sejdiun se bordi i KEK-ut të shtunën diskutoi rreth raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për faturat e janarit, e quajti jo të plotë raportin e ZRrE-së.

“Bordi i Drejtorëve ka vlerësuar se raporti i  ZRrE-së është i paqartë dhe i pabazuar në të gjitha faktet, dhe për ketë arsye kërkohet që raporti të plotësohet me ekspertizën e duhur”, thuhet në letrën njoftuese që e ka Gazeta “Jeta në Kosovë”.

“Pasi ky raport  të plotësohet me këto sqarime…Bordi i Drejtorëve do të vlerësojë nëse ka bazë të mjaftueshme ligjore, si dhe kompetencën profesionale për të zbatuar kërkesën e Komisionit Ndërministror për Ndërmarrje Publike për marrje te masave ndaj menaxhmentit”, shkruan në letër. 

“Kërkesa e Komisionit i është dërguar Bordit të Drejtorëve. Gëzim Baxhaku

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik në Minsitrinë e Zhvillimit Ekonomik, i tha gazetës se kompetencat për vendim i ka Bordin i Drejtorëve të KEK-ut.

“Kërkesa e Komisionit i është dërguar Bordit të Drejtorëve, besoj që brenda 2- 3 ditëve ata do të shqyrtojnë kërkesën e komisionit”, i tha gazetës Baxhaku.

Vendimi zyrtar i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut lidhur me shqyrtimin e kërkesës, për shkarkim të shefit ekzekutiv të KEK-ut, pritet të merret brenda kësaj jave.

Por pasi kreu i Bordit të Drejtorëve të KEK-ut shprehu rezerva për shkarkimin e Gjukajt, Gazeta Jeta në Kosovë ka marrë vesh nga burime të sajat se çështja e shkarkimit të Gjukajt mund të diskutohet edhe në një takim mes Fadil Çitakut dhe ministrit Beqaj.

Drejtori ekzekutiv i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, nuk ka dashur ta komentojë kërkesën për shkarkimin e tij, pasi është arsyetuar se ndodhet në një takim. Por ai ka shtuar se mund të jetë në dispozicion të Gazetës Jeta në Kosovë, për të folur gjatë javës.

Shkarkim për Gjukajn, por edhe për vetë ministrin Beqaj, kërkuan të premten e kaluar edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa të mërkurën kërkesa të ngjashme shtruan edhe Grupi i Qytetarëve të Organizuar, gjatë marshit kundër korrupsionit në Prishtinë. 

“Institucioni i vetëm i pakorruptuar ka mbetur institucioni i protestës paqësore. Rron Gjinovci

Rron Gjinovci nga ky grup tregoi se janë duke kontaktuar me organizata të ndryshme të shoqërisë civile, grupe të interesit, sindikata e qytetarë, në mënyrë që protestat e ardhshme të jenë sa më masive, deri në realizimin  e të gjitha  kërkesave.

“Institucioni i vetëm i pakorruptuar dhe që po duket ende funksional ka mbetur institucioni i protestës paqësore në të cilin marrin pjesë qytetarët e ndershëm të cilët kanë një qëllim: ndaljen e hajnisë – zhvillimin e shtetit”, tha Gjinovci.

Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar nga KEK-u dhe ZRrE-ja përmirësim të gabimeve në faturat e janarit dhe rishikim të politikës energjetike kosovare.

Që nga fryrja e faturave të KEK-ut punonjësit e saj nuk janë pritur mirë nga qytetarët, sidomos ata të distriktit të Prishtinës, kur kanë dalë për të kryer punë në terren.

Të dielën e kaluar Instituti GAP dhe rrjeti i organizatave joqeveritare FIQ kanë paralajmëruar edhe mundësinë e trazirave sociale në Kosovë, nëse çmimi i rrymës vazhdon të ngrihet. 

“Ata të cilët deri tani kanë manipuluar me çmimin e energjisë që do të ketë rritje, 11%, 13% apo 30 % , ky nuk është fakt dhe kjo nuk është e vërtetë”. Besim Beqaj

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj në një konferencë për shtyp, të mbajtur të hënën, tha se nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi qeveria ka hequr dorë nga fitimet e saj në këtë fushë. 

“Prandaj kisha lutur të gjithë ata të cilët deri tani kanë manipuluar me çmimin e energjisë që do të ketë rritje, 11%, 13% apo 30 % , ky nuk është fakt dhe kjo nuk është e vërtetë”, tha Beqaj.