Bora Paralizon Vendin

Trashësia e borës, në zona malore të Kosovës, ka mbërritur deri në 1 metër e 30 centimetra, ndërsa në ultësira, në rreth 60 – 70 centimetra. Reshjet e pandërprera të borës, të cilat ranë të mërkurën dhe po vazhdojnë edhe të enjten, kanë vështirësuar qarkullimin rrugor. Disa fshatra malore janë të bllokuara tërësisht.

Për pasojë, vetëm gjatë 24 orëve janë shkaktuar rreth 90 aksidente në komunikacion. Policia njofton se rrugët kryesore janë të kalueshme, me përjashtim të rrugës Pejë-Kullë.

Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik, Sylë Tahirsylaj, ka thënë për mediat se trashësia e borës në vendet kodrinore-malore, si në Llap, Gollak e Anamoravë ka arritur deri në 1,3 metra, derisa në vendet e ulëta 60 deri në 70 centimetra.

Dimër i ngjashëm për nga sasia e reshjeve, sipas statistikave të Institutit, ka pasur në vitet 1956 dhe 1984.

Tahirsylaj ka thënë se nga e premtja temperaturat do të arrijnë deri në minus 20 gradë, që sipas tij, është normale për dimrat në Kosovë.

Qarkullimi është vështirësuar tej mase, edhe në kryeqytet. Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, ka pranuar në një konferencë për gazetarë se ka probleme, si për qarkullimin e automjeteve, ashtu edhe të qytetarëve, për shkak të pamundësisë së pastrimit të trotuareve.

Ai ka thënë se në zhbllokimin e rrugëve po asiston edhe FSK-ja, pasi që në disa fshatra më të thella të Prishtinës bora ka arritur trashësinë mbi një metër.

“Aktualisht të gjitha kompanitë janë duke operuar në territorin e komunës së Prishtinës me kapacitet të plotë dhe kapacitet të shtuar. Kapaciteti i shtuar është si rezultat i vlerësimit të gjendjes nga organet e komunës, me ç’rast komuna ka angazhuar edhe kompani shtesë të cilat në mënyrë vullnetare po ndihmojnë”, ka thënë ai.

Por, sipas tij, shumica e rrugëve janë të kalueshme edhe brenda qytetit, edhe jashtë qytetit.

Ndërkohë FSK-ja ka mobilizuar njësitin për reagim në kriza, me gjithsej 28 pjesëtarë dhe tetë automjete.

“Fshatrat Grashticë, Keqekollë, Dobishevë, Hajkobillë dhe shumë vende të tjera rurale të komunës, janë plotësisht të bllokuara”, tha Shemsi Veseli, zëvendësministër i FSK-së, për Gazeten Jeta në Kosovë.

Derisa Komuna thotë se 90% e rrugëve janë te kalueshme, Veseli, i cili është dhe shef i grupit parlamentar të PDK-së në Asamblenë Komunale, tha se “disa rrugë janë lënë në mëshirën e motit dhe nuk janë pastruar fare”.

Në gjendje të mjerueshme janë sidomos trotuaret e kryeqytetit. “Edhe pse janë së paku tri kompani të pastrimit, punët nuk i kryejnë me profesionalizëm. Tri kompani duhet të kishin kapacitete të mjaftueshme për t’u përballuar me këtë gjendje. Arsyetimi me banal qëndron në atë se, gjithmonë thuhet se na ka befasuar bora, se bora ka ardhë si një befasi. Mirëpo nëse jo një grup, atëherë këto kompani duhet të kishin së paku një person që përcjell prognozat meteorologjike. Në kohën e sotshme kur parashikimi i motit mund të shikohet madje ne internet, nuk është arsye të thuhet se bora na befasoi. Në këso raste ekipet përgjegjëse duhet të mobilizohen që më herët”, tha Veseli.

Nga ana tjetër, zyrtarët komunalë arsyetohen se pastrimi i trotuareve kërkon shumë fuqi punëtore, pasi nuk mund të bëhet me mjete motorike, prandaj dhe kërkon më shumë kohë.

Ndaj paaftësisë së Komunës së Prishtinës për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve ka reaguar edhe Iniciativa për Progres – INPO.

“Kompanitë “Pastrimi”, “Toifor” dhe “Zahiri” marrin afër 900 mijë euro në vit nga paratë e taksapaguesve të Komunës së Prishtinës për mirëmbajtje të rrugëve dhe trotuareve. Mirëpo përkundër kësaj shume marramendëse, këto kompani nuk po arrijnë të përmbushin obligimet e tyre kontraktuale që të sigurojë qarkullim të lirë dhe të sigurt për qytetarët në rrugë dhe trotuare”, thotë kjo organizatë, nëpërmes një komunikate shtypi.
 
Bora ka bërë që të ketë edhe të lënduar, nga rrugët e rrëshqitshme. Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Emergjencës në QKU, konfirmoi se gjatë 24 orëve të fundit, këtu janë paraqitur 12 të lënduar si pasojë e aksidenteve, të shkaktuara nga rrugët e rrëshqitshme. “Fatmirësisht të gjitha këto ishin raste me lëndime të lehta”.

Reshjet e mëdha të borës kanë paralizuar edhe trafikun ajror. Ka pasur anulime të linjave ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka marrë vendim ta ndërpresë procesin mësimor, së paku deri ditën e hënë.