ilustrim

'Bllokimi i përmbarimit mbi 3.5 milionësh' nga llogaria e Llamkos-it, Dhoma e Posaçme kishte lëshuar udhëzim për pezullimin e procedurave përmbarimore

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, më 9 shkurt gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deklaroi se me 30 dhjetor të 2022-ës nga fondi i mirëmbesimit të AKP-së janë ekzekutuar 3.5 milionë euro me urdhër të një gjykate që sipas saj nuk ishte kompetente.

Ajo e quajti ‘skandali 3.5 milionësh në AKP’ dhe kërkoi nga kryetari i Kuvendit dhe Ministria e Drejtësisë që të marrin sa më shpejtë informata dhe të dalin me emrat e “gjykatësve, gjykatave dhe përmbaruesve”, e po ashtu me hapat që do të ndërmerren.

Fondet për të cilat foli deputetja Bajrami janë të ndërmarrjes ‘Newco Llamkos’ dhe historia e tyre daton qysh para 13 viteve, në vitin 2010.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka ofruar versionin e saj se si ka ndodhur ‘zhdukja’ e mbi 1 milionë e 400 mijë eurove.

Në vitin 2010 ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamkos” kishte filluar procedurën e likuidimit.

Sipas AKP-së, në këtë proces të likuidimit për të blerë disa nga asetet e Llamkosit ishte përfshirë edhe kompania private me bazë në Bullgari ‘Steel Comodities AD’, e cila po në 2010 kishte fituar një rast të arbitrazhit ndërkombëtar kundër Llamkosit.

Me vendimin e Odës Komerciale Ndërkombëtare të Parisit, kjo kompani po kërkonte nga Llamkosi shumën prej 4 milionë e 118 mijë euro plus kamatën, për realizimin e kërkesës kreditore.

Kërkesa kreditore e kompanisë ‘Steel Comodities AD’ ishte trajtuar nga ana e Autoritetit të Likuidimit, që në këtë rast është AKP-ja dhe në qershor të vitit 2013 i ishte refuzuar.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka thënë se me 27 janar 2014 ‘Steel Commodities’ ka parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër refuzimit të kërkesës për kreditim, duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit.

Por në të njejtën kohë, sipas AKP-së, kompania në fjalë kishte iniciuar edhe një procedurë përmbarimore, po ashtu duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit.

Në anën tjetër, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme kishte lëshuar një udhëzim, me anë të të cilit kishte kërkuar nga përmbaruesit që të pezullojnë çdo procedurë gjyqësore që është kundër ndërmarrjes dhe asteve të saj.

“Nga data e parashtrimit të njoftimit të Vendimit për Likuidim, e deri në përfundimin e Likudimit pezullohet çdo procedurë gjyqësore, administrative apo e arbitrazhit që është kundër ndërmarrjes dhe asteve të saj që është subjekt i Vendimit për Likuidim, përfshirë edhe procedurat përmbarimore të vendimeve të formës së prerë lidhur me kërkesat monetare” – thuhet në udhëzimin e Dhomës së Posaçme të datës 16 tetor 2015.

Sipas AKP-së, në lidhje me këtë udhëzim ishin njoftuar Oda e Përmbaruesve Privat që ka njoftuar të gjithë përmbaruesit dhe gjithashtu sipas AKP-së, i njoftuar ishte edhe përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha.

Po ashtu, sipas AKP-së, janë njoftuar edhe Gjykatat Themelore në Kosovë, BQK-ja Ministria e Drejtësisë si dhe Ministria e Financave, lidhur me udhëzimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Më datë 23 qershor 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë Konkluzion, përmes së cilit ka pezulluar procedurën në këtë çështje përmbarimore për arsye se Ndërmarrja është në likuidim” – ka thënë AKP-ja për KALLXO.com.

Por që më pas rasti kishte përfunduar në Gjykatën Komerciale, e cila është themeluar në vitin 2022 dhe shkalla e dytë e kësaj Gjykate në gusht të vitit 2022 kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin ka lejuar vazhdimin e procedurës përmbarimore ndaj Llamkosit.

Tutje, AKP-ja ka thënë se përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha më 29 dhjetor 2022 ka lëshuar urdhërin për transfer drejtuar Bankës Qendrore të Kosovës, në bazë të së cilit janë tërhequr 3 milionë e 500 mijë e 632 euro nga llogaria bankare e ndërmarrjes Newco Llamkos.

“Transferi i tillë bankar i përmbarimit është ekzekutuar në kundërshtim me nenin 10 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së dhe Udhezimin e Dhomës së Posacme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ndalimin e ekzekutimit të përmbarimeve nga fondet në likuidim” – ka thënë AKP-ja.

Por nga ana e Prokurorisë, sipas AKP-së, është bllokuar shuma prej 2 milionë e 78 mijë euro, ndërsa shuma prej 1 milion e 421 mijë e 980 euro nuk ka arritur të bllokohet dhe është transferuar tek personat e tretë.

Në lidhje me këtë, përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha për KALLXO.com ka thënë se për momentin nuk dëshiron që të deklarohet në lidhje me rastin, pasi sipas tij, është duke i ndjekur procedurat ligjore përmes avokatëve.

“Nuk dua të deklarohem rreth këtij rasti për momentin. Jam duke marrë me avokat dhe gjatë javës së ardhshme besoj që do të njoftoj opinionin publik. Sepse askund nuk ndodhë që të largohesh nga puna me vendim të ministrit apo sekretarit, pa pasur një komision disiplinor. Por ditëve në vazhdin do të deklarohem” – ka thënë Mulhaxha përmes telefonit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i kompanisë ‘Steel Comodities’, avokati Arlind Jupolli, për KALLXO.com ka thënë se Gjykata Komerciale, shkalla e dytë sipas tij, ka marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm dhe se ai vendim është zbatuar.

Ai ka thënë se Gjykata Supreme nuk merret me përmbarim, por me atë merret Gjykata Komerciale.

“Në momentin që merret vendim në dy shkallë në Dhomën e Posaçme për me e ekzekutu atë vendim duhet me shku në Gjykatë Komerciale, sepse përmbarimin nuk e bën Dhoma e Posaçme, e ka të ndaluar me ligj. Përmbarimin e bën eksluzvisht Gjykata Komerciale, ose kur është person fizik e bën Gjykata Themelore. Domethenë Dhoma e Posaçme nuk merret as me ekzekutime të vendimeve as të vetat. Kompetenca e plotë i takon Gjykatës Komerciale” – ka thënë Jupolli.

Ndërsa në lidhje me bllokimin e një pjese të parave, Jupolli ka thënë se është bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, kurse ka pretenduar se AKP-ja ka vënë në lajthitje Prokurorinë Speciale.

“Konsiderojmë se AKP-ja e ka vënë në lajthitje edhe Prokurorinë Speciale edhe Gjykatën Penale, për shkak se i kanë fsheh gjysmën e fakteve. Sepse kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme si inctancë e shkallës së dytë, si instanca më e lartë gjyqësore e heq masën që e ka ndaluar ekzekutimin edhe në arsyetimin e vet e ka theksu se vendimi i tribunalit të arbitrazhit i Parisit i vitit 2010 dhe njohja e tij nga Gjykata Themelore në Prishtinë në 2014, janë dy dokumente që nuk mund të sfidohen me asnjë dokument tjetër në Kosovë, sepse cenohet siguria juridike, edhe e kanë mbyllë çëshjten” – ka thënë në fund Jupolli.

Në vitin 2019, Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës Llamkos në Vushtrri ishte shitur përmes një ankandi publik, ndërsa para shitjes, punëtorit kundërshtonin shitjen e ndërmarrjes, siç thonin ata, pa kushte.