Blair Quhet Simbol i Optimizmit e Shpresës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, kanë pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, i cili po qëndron në një vizitë në Prishtinë.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit vlerësoi lart figurën dhe lidershipin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Ai tha se Blair është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës, transmeton  MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi.

Ministri Hoxhaj falënderoi ish-kryeministrin britanik për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dhe Britania e Madhe kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin e shtetit të Kosovës në të gjitha aspektet.

Hoxhaj njoftoi ish-kryeministrin Blair për zhvillimet në Kosovë, progresin e brendshëm dhe për forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për qindra dhe mijëra qytetarë britanikë, para shumë ushtarëve, të cilët parandaluan asgjësimin tonë fizik dhe kontribuuan aq shumë për Kosovën. Para shumë diplomatëve të cilët ishin zëri më racional në prezantimin e çështjes sonë, para shumë gazetarëve apo akademikëve që nuk heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, ish-kryeministri britanik Tony Blair, duke shprehur gëzimin për vizitën në Kosovën, ka vlerësuar progresin që po arrin Republika e Kosovës në të gjitha fushat, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtutjeshme.

Blair u shpreh i lumtur për mundësinë që t’i involvojë universitetet kosovare në rrjetin global në universiteteve më të mira, ku ligjërohet programi i tij “Globalizimi dhe besimet”.

Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj shprehu përkrahjen e fuqishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë iniciativë të çmuar të ish-kryeministrit Blair, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin që do të ketë ajo në fuqizimin e sistemit akademik universitar të Kosovës.

Ndërkaq, Blair falënderoi ministrin Hoxhaj për përkrahjen e ofruar si dhe për mbështetjen që MPJ e Kosovës ka dhënë në çështjen e dialogut ndërfetar.