Biznesi kosovar dhe vendosja reciprocitetit

Debati televiziv i BIRN “Jeta në Kosovë, këtë të enjte, ka trajtuar temën e largimit të tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet, me afaristë duke rrëfyer për barrierat që kanë hasur e institucionet kosovare duke treguar për masat e reja të reciprocitetit.

 

Isak Vorguçiq, është prodhues i birrës në Graçanicë. Edhe pse gazetar me profesion duke udhëhequr “KIM” radio që nga viti 2000, ai poashtu vendosi të bëhet prodhues i birrës ngase këtë e kishte pasion.

Në oborrin e tij e prodhonte birrën për veti dhe në 2017 vendosi të investojë të prodhojë birrën edhe për të tjerë. Në qershor 2018 ai provoi këtë birrë ta eksportojë në Serbi.

Aty Vorguçiq u ballafaqua me standardin e dyfishtë që ekzistonte në raportin e tregtisë mes Kosovës e Serbisë.

“Unë e importoja elbin nga Baqka Pallanka për të bërë birrën time në Kosovë dhe për këtë nuk isha detyruar të bëj analizën fitosanitare, por kur e dërgoja birrën në Serbi, përveç dokumentacionit fitosanitar (birra) duhej të dërgohej në institucione të Serbisë për analizë (ushqimore),” thotë Vorguçiq.

Vorguçiq vazhdon ta shpjegojë që kjo analizë i kishte kushtuar 100 euro per secilin lloj të birrës që e kishte, që i binte 4 analiza. “Unë kam importuar disa herë prej Serbisë dhe Sllovenisë në Kosovë dhe asnjëherë s’jam obliguar të paguaj analizë shtesë, ndërsa kur kam dërguar mallin në Serbi jam detyruar t’i bëj këto analiza dhe malli është dashur me ditë të tëra të qëndrojë në doganë gjë që ka rrezikuar kualitetin e birrës” shtoi Vorguçiq.

Këtë javë qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet me Serbinë duke kërkuar të njëjta masa që ajo përdorë për prodhuesit kosovar të aplikohen edhe për produktet serbe kur hyjnë në Kosovë.

Në këtë debat, paneli prej pesë anëtarësh të përbërë  nga Ministri në  detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Arjeta Pozhegu nga Shoqata e Drurit të Kosovës si dhe Agim Sahiti fermer i pulave, diskutuan se çfarë do t’i ndihmojë vendosja e reciprocitetit bizneseve kosovare.

Besnik Bislimi, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, tha se dy masat që ka vendosur Qeveria në reciprocitet janë mosnjohja e certifikatave fitosanitare dhe sanitare të Serbisë.

“Kemi thënë nuk njihen ceritifikatat fitosanitare të Serbisë që nënkupton duhet me u nxjerrë në Kosovë. Serbia nuk i njeh certifikatat fitosantiare të Kosovës dhe rrjedhimisht as pala kosovare nuk do t’i njehë certifikatat që vijnë nga Serbia”, theksoi ai.

Për Bislimin, vendosja e reciprocitetit nënkupton trajtim të barabartë. “Reciprociteti është një shenjë e trajtimit të barabartë me raportet ndërkombëtare. Ne e kemi leju një hapësirë me tregu se jemi të interesuar që mos të kemi asnjë barrierë me Serbinë”, tha Bislimi.

“Reciporicteti nënkupton që me ato metoda që ju ma pamundësoni eksportin tim në vendin tënd. Me të njejta metoda në do ta pamundësojmë eksportin tuaj në vendin tim,” shtoi ai.

Përveç tjerash, asnjë produkt i Kosovës nuk mund të tregtohet në Serbi nëse i shkruan ‘Prodhuar në Kosovë”.

Agim Sahiti, menaxher i fabrikës “Konsoni” e ka përshëndetur masën e reciprocitetit por ka kërkuar që  e njeta të  përdoret edhe me vende të tjera.

“Jam për reciprocitet jo vetëm me Serbinë, por me krejt shtetet e tjera e na s’kemi me asnjë shtet tjetër. Edhe Greqia njëjtë na trajton, nuk na pranon disa gjëra.”

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve kosovar tërhoqi vërejtjen për kujdesin që reciprociteti me Serbinë mos t’i dëmtojë prodhuesit kosovar.

“Serbia e përdor politikën e dekurajimit ndaj produkteve të Kosovës, por ne nuk duhet t’i vëmë vështirësi tregtimit të lëndës së parë sepse e dëmtojnë prodhuesin tonë. Ne duhet t’i vëmë vështirësi produktit final”, tha Panxha.

Arjeta Pozhegu nga Shoqata e Drurit të Kosovës pajtohet me këtë qëndrim dhe thotë se lënda e parë, edhe për industrinë e drurit, duhet të jetë e liruar nga çdo masë e Qeverisë, gjë që edhe po ndodh prej 1 prillit kur është larguar taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë.

Impakti i taksës te prodhuesit

Në anën tjetër Panxha nga Klubi i prodhuesve thotë se ka pasur disa dobi prej taksës 100% që ishte vënë nga ish kryeministri Ramush Haradinaj, sepse është rritur konsumimi i prodhimeve vendore por ka pasur edhe disa probleme.

“Sektori i prodhimit ka dalë pozitiv për Kosovë, por rritja kish me qenë më e madhe nëse ata s’i kishin zëvendësuar produktet e Serbisë me të shteteve të tjera”, shtoi Panxha.

Por ka prodhues të tjerë që ia kanë parë hajrin taksës 100 %.

Prodhuesi i produktit Sempre, Arben Tërshnjaku nga kompania “Liri” tha se vendosja e tarifës i ka ndihmuar shumë. “Taksa i ka dhënë mundësi konsumatorëve tanë ta provojnë Sempre (jo Pllazmen që ishte biskotë e popullarizuar nga Serbia). “Pasi që e kanë provu ne besojmë fuqishëm që kanë me vazhdu me konsumu Sempren. Prej momentit të tarifës ne kemi pasur rritje enorme të prodhimit së Sempreve prej 120%”, tha Tërshnjaku.

Kurse, Shaqir Palushi nga Kompania “Frutex” që prodhon lëngje tregon se kishte pas probleme të ngjashme për eksportimin e lëngjeve në Serbi.

“Deri para disa muajve, një herë në 6 muaj produktet tona janë vendos në karantinë 10-14 ditë në kufirin (janë ndaluar nga Serbia) derisa janë kthyer analizat (e lëngjeve) nga laboratorët e Serbisë. Kurse, para 4-5 muajsh ka ndryshuar kjo politikë, por ende nuk njihen certifikatat fitosanitare të Kosovës”, tha ai.

Fakti që nuk njihen certifikatat fitosanitare të prodhuesve të Kosovës në Serbi nënkupton që mostrat e produkteve të prodhuara në Kosovë duhet të dërgohen për analiza fitosanitare në Serbi.

Një problem më ndryshe se bizneset e lartëpërmendura e ka, Adnan Ibrahimi, nga uji “Miros”. Ai problemin e ka me barrierat tregtare me Shqipërinë dhe kërkoi reciprocitet edhe me këtë shtet.

“Shteti shqiptar është duke aplikuar akcizë në import të plastikës. Në këtë rast, ne jemi të afektuar nga eksporti që e bëjmë në Shqipëri dhe ata aplikojnë akcizë në nivelin 35 lekë për kilogramë të plastikës dhe 5 lekë në qelq”, tha Ibrahimi.

“Këtë akcizë nuk e aplikon as Maqedonia, prej nga ne eksportojmë dhe po mendojmë që një lloj mase të reciprociteti, ish dashtë dhe duhet ta aplikojmë edhe me Shqipërinë sepse po na pengon zhvillimin e biznesit në Shqipëri”, thekosi ai.

Bislimi tha se është një dallim i madh mes barrierave me Shqipërinë dhe Serbinë.

“Ka dalim të madh mes pengesave tregtare me Shqipërinë dhe Serbinë. Sepse me Shqipërinë mundesh mu ul në çdo moment mi i trajtu, me gjetë zgjidhje. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme me diskutu, madje me pranu edhe ekzistencën e barrierave”, tha Bislimi.

“Shqipëria nuk ka akciza ndaj prodhuesit të Kosovës, ajo ka akciza si pjesë e politikave të saja tatimore”, shtoi Bislimi.

Kurse, Miodrag Miliçeviq nga NGO Aktiv vëri në dyshim se heqja e tarifës 100 përqind nga Qeveria e Kurtit më 1 prill, do të jetë shkas i kthimit të Serbisë në tavolinën e dialogut.

“Ajo që më bie në sy në përgjithësi është se vendimi për largimin e taksës ka një afat, atë të 15 qershorit 2020. Pra, nuk po flasim për heqje të taksës por për një masë të përkohshme, e cila mbase do t’i zhbllokojë disa procese, por vërtetë kam dyshime të shumta se do të shpeshtojë, apo më saktë të mundësojë vazhdimin e dialogut”, tha ai.

Pakoja Emergjente për të tejkaluar krizën e COVID-19

Panelistët u sfiduan edhe nga bizneset edhe për Pakon Emergjente të Qeverisë për të tejkaluar krizën e pandemisë së coronavirusit. Pakoja e qeverisë për të ndihmuar kategori të ndryshme të prekura nga pandemia u miratua me 30 mars  dhe kap shumën prej 170 milion euro.

Ajo paketë, mes tjerash parasheh pagesë të rrogave të punëtorëve të bizneseve të vogla dhe të mesme të prekura nga pandemia dhe paga shtesë për punëtorët në teren që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre.

Por, në anën tjetër, Odat Ekonomike në vend po vlerësojnë se shuma e Pakos Emergjente të Qeverisë prej 170 milionë eurosh nuk është e mjaftueshme që bizneset të tejkalojnë krizën.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Arjan Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane janë të mendimit se kjo pako do të duhej të ishte 300 milionë euro.

“Ne kemi pasur një kërkesë 300 milionë euro, i kemi kërkuar për pakon emergjente, këto janë bizneset e dëmtume. Vlera që është propozuar po mendoj nuk ka me pas efektin e duhur as në kthimin e mjeteve”, tha Rukiqi.

Edhe Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane ndajti të njëjtin mendim.

“Ne kemi propozuar një pako masash që do të kapte shumën e 5% bruto produktit vendor një shumë prej 300 milionë eurosh, meqenëse vetëm kjo do të ishte në gjendje në mënyrë propocionale që t’i kompensojë dëmet  që i janë shkaktuar ndërmarrjeve dhe punonjësve”, tha ai.

Por shumë pyetje që kanë ardhur në kallxo.com kanë ngritur problemin e qytetarëve që punojnë në ekonomi të hirtë, ngase shumë biznese në Kosovë nuk i kanë të regjistruar punëtorët e shkathtësive më të ulëta.

Bislimi tha që ky është një rast i mirë kur bizneset duhet ta shfrytëzojnë rastin t’i regjistrojnë të gjithë punëtorët që punojnë për ta.

Në anën tjetër Sakibe Jashari,  aktiviste rome kërkoi detaje se si do të shpërndahen 2 milionë euro për komunitetet më të varfra që Qeveria në detyrë e Kosovës, ditë më parë i ka ndarë për luftimin e pandemisë.

Bislimi tha se në qeveri është duke u diskutuar se si të bëhet ndarja e ndihmës për komunitete:

“Na ka ardhur një propozim që ndoshta kapacitetet më të mira për me zbatu në praktikë (me shpërnda ndihmën komuniteteve) është Kryqi i Kuq i Kosovës, por nuk është prezent në Veri”, tha Bislimi.

“Me rëndësi është që asnjë cent nuk shkon për konsulenca të huaja këtu”, u zotua ai.

Lidhur me pyetjet se kur do të bëhet pagesa e rrogave për punëtorët që nuk janë paguar në mars dhe që rrezikohen të mos paguhen në prill, Bislimi u zotua se personat më të prekur që kanë humbur rrogën mujore për shkak të COVID19 do ta kenë në fund të prillit. “Rrogën e marsit, ata që nuk e kanë marrë, do ta marrin edhe më herët se fundi i prillit” shtoi Bislimi.

Në anën tjetër, ka prodhues ushqimor që kanë vendosur të mos e ngarkojnë qeverinë me asnjë kosto.

Burim Piraj, pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka” tha se ka vendosur të mos aplikojë fare në fonde të qeverisë për kompensim të bizneseve gjatë COVID dhe tha që do të vazhdojë të mbajë rrogën më të ulët 350 euro në kompaninë e tij, ashtu siç e kishte vendosur disa muaj para se me ndodh pandemia.

“Unë ato para nuk do t’i marr (nga qeveria) në mënyrë që të solidarizohem me Qeverinë e Kosovës. Duhet të hidhet poshtë logjika e përfitimit vetëm nga shteti, ne duhet ta ndihmojë shtetin tonë”, tha Piraj.

“Nuk mund t’i shpjegoj një punëtori që unë kom probleme financiare dhe t’ia paguajë një pagë 170 euro në anën tjetër ta kam një makinë ‘Porsche’ dhe “Mercedes” dhe të  bëjë pushimet në Dubai, kjo është problematike”, tha Piraj.

Piraj kishte vendosu ta rrit pagën e 30 punëtorëve prej gjithsej 80 sa janë në kompaninë e tij kur Albin Kurti me 3 mars kishte thënë në një punëtori të Odës Afariste të Kosovës se nuk mund të ketë pagë nën 350 euro në sektorin privat, sepse rroga minimale në sektorin publik është 500 euro, dhe është zotuar se “shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull…”.

 

“Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.”