Ilustrim

Bizneset kosovare ankohen se pakoja e ndihmës qeveritare është e pamjaftueshme

Shumë biznese thonë se masat e miratuara nga qeveria e Kosovës për t’i mbështetur ato përmes pandemisë COVID-19 janë të pamjaftueshme.

Furnizimet do të duhej të konsumoheshin në muajt mars dhe prill, por tash gjatë muajit maj ato po kalben në deponë e restorantit ‘Artela’ në Podujevë.

Të mbyllura që nga data 21 mars për shkak të vendosjes së kufizimeve qeveritare për tu përballur me pandeminë COVID-19, restorantet në Kosovë do të lejohen të ofrojnë shërbimet e tyre “merr me vete” (me dërgesa) që nga data 18 maj, ndërsa disa prej tyre tashmë veç janë duke bërë dërgesa të tilla.

Mirëpo menaxherja e ‘Artela’, Blinera Murati, tha që heqja e kufizimeve nuk do të thoshte shumëçka për një “restorant familjar dhe me evenimente” i tillë çfarë është ‘Artela’.

“Asnjëherë më parë nuk kemi bërë dërgesa më parë dhe ishte e pamundur të fillonim tani,” tha Murati për BIRN.

Humbjet e bëra nga bizneset kosovare sikurse ‘Artela’ arrijnë në rreth pesë deri në gjashtë milion euro në ditë që nga vendosja e masave të bllokadës kundër përhapjes së koronavirusit, sipas zëdhënësit të ministrisë së financave të Kosovës.

Në mesin e muajit prill, qeveria e Kosovës – e rrëzuar me një votë mosbesimi tre javë më parë, por akoma si qeveri në detyrë – miratoi një paketë fiskale emergjente prej 15 masash me vlerë prej më shumë se 170 milion euro, për ti dhënë mbështetje ekonomisë dhe për të ndihmuar bizneset për ti paguar pagat e punëtorëve dhe për mbijetesën e tyre.

Megjithatë, humbjet po rriten dhe bizneset po ankohen se kjo paketë qeveritare është e pamjaftueshme.

Nëntëdhjetë e pesë përqind e bizneseve thonë se pandemia ka ose do të ketë një ndikim negativ në funksionimin e tyre, sipas rezultateve të një studimi të përbashkët të 462 kompanive të kryera nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Tregtare gjermano-kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropian dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Vetëm gjashtë përqind janë deklaruar se pakoja qeveritare ishte e një rëndësie të madhe; një përqindje e ngjashme janë deklaruar se kjo ndihmesë qeveritare nuk ka arritur t’i lehtësojë vështirësitë e tyre.

“Eshtë ndihmesë simbolike, nuk i plotëson kërkesat tona për të cilat kemi nevojë si dhe humbjet e mëdha të shpenzimeve për mallra dhe shërbime të tjera logjistike.” deklaroi Murati

“Do të na duhen edhe disa muaj që ‘Artela’ të kthehet në pikën që ishte para pandemisë.”

Adresimi i punësimit joformal

Pakoja qeveritare përfshin ndihmë për bizneset në pagesën e pagave për një periudhë dymuajshe në nivelin e pagës minimale – 170 euro – si dhe kontribute pensionale dhe – për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – deri në gjysmën e kostos së qiradhënies së lokaleve. Po ashtu, parashikon hua pa interes për ndërmarrjet publike dhe pagesa mujore prej 130 eurosh për punonjësit e papunë.

Disa nga masat qeveritare:

Masa 3 (a) – Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro ( 2 muaj) e po ashtu edhe kontributet pensionale nën pikën 3 (c)

Masa 3 (b) – Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Masa 4 – Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);

Masa 8 – Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);

Masa 10 – Kredi pa interes nga bankat tregtare për kompanitë e angazhuara në ofrimin e shërbimeve themelore, 80 përqind të garantuara nga Fondi i Garancisë së Kredisë së Kosovës dhe qeveria e Kosovës.

Masa 14 –Mbështetje financiare nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit të punëtorëve me kontratë pune së paku një (1) vjeçare

 

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani bizneset kanë bërë kërkesë për ndihmë në paga për 170,000 punonjës përpara afatit të fundit kohor të 15 majit, me një kosto, sipas një vlerësimi nga BIRN, në rreth 51 milion euro në pagesa pagash për dy muaj, duke mos përfshirë kontributet pensionale.

Qeveria ka përdorur gjithashtu pakon për të provuar adresimin e shkallës së lartë të punësimit joformal në Kosovë, të cilën Banka Botërore e vlerëson në 35 përqind. Bizneseve u lejohet të kërkojnë ndihmë për pagimin e pagave me kusht që ato ti pajisin punëtorët e tyre me kontrata  për, të paktën, një vit.

Radio Evropa e Lirë, RFE, citon Jusuf Azemin, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, duke deklaruar në një raport të 10 Prillit, se janë rreth 150,000 kosovarë të cilët punojnë pa kontrata pune. Disa kompani, tha ai, kanë deri në 30 punëtorë, por vetëm disa prej tyre kanë kontrata pune.

Më 6 maj, Ministri i Financave Besnik Bislimi postoi në llogarinë e tij në Facebook se janë regjistruar rreth 10,597 punonjës të rinj, të cilët, sipas tij, përfaqësonin një rritje prej rreth 2.6 përqind të punësimit zyrtar.

Megjithatë, një restorant i kontaktuar nga BIRN, tha se do të vazhdojë të mbulojë pagat e punëtorëve pa kontratë pune me mjetet e veta  më parë sesa të përfitojë nga pakoja qeveritare.

“Nuk mund të rrezikojmë të dënohemi me gjobë,” tha pronari i restorantit, i cili ra dakord të fliste në kushte anonimiteti. Megjithatë, restoranti do të bëjë kërkesë për ndihmë në pagesën e qirasë, tha pronari.

Një tjetër kompani, e cila merret me pajisje shtëpiake, tha se kishte ndryshuar strukturën e saj në një kompani me përgjegjësi të kufizuara dy muaj para mbylljes.

“Ne nuk kemi kohë t’i regjistrojmë punonjësit tanë me të gjitha procedurat e transformimit të biznesit tonë,” i tha BIRN pronari i kësaj kompanie, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti. Por pakoja qeveritare, tha ai, ofron një mundësi për t’i pajisur punonjësit me kontratë dhe “ta lehtësojë barrën e pagave”.

Paketa qeveritare për ‘injeksion në të holla’

Bedri Hasanaj, themeluesi i Qendrës së Trajnimit dhe Konsulencës, tha se masat qeveritare “synojnë individin, më parë sesa biznesin”.

“Konsiderojeni pakon emergjente si një paketë sociale – injeksion me të holla në ekonomi për të stimuluar konsumin familjar.”

Në një sondazh të realizuar nga grupi në Facebook i quajtur ‘Fjalori Ekonomik’, i cili mbledh ekonomistë nga e gjithë rajoni, 24 prej tyre kanë thënë se janë dakord apo janë plotësisht dakord se ajo që nevojitej ishin masat për të stimuluar ndryshimet strukturore në sektorin privat – të tilla, si për shembull, kërkesa për trajnime në vendin e punës për të rinjtë dhe gratë, sigurimi i përfaqësimit të barabartë të burrave dhe grave, çrrënjosjen e punësimit joformal – në vend se të ofroni një ndihmesë gjithëpërfshirëse. Vetëm gjashtë ndihmesa të preferuara gjithëpërfshirëse ndërkohë që tri prej tyre ishin të pasigurta.

Në një sondazh të dytë në këtë grup, i cili u kërkua nga BIRN, 17 prej tyre thanë se ata nuk ishin “të sigurt” nëse pakoja qeveritare do ta zvogëlonte ndjeshëm dhe në mënyrë të qëndrueshme nivelin e punësimit joformal në tregun e punës. Katërmbëdhjetë prej tyre u deklaruan në favor të kësaj.

Bashkim Nurboja, ligjërues i ekonomisë në universitetin privat UBT, tha se zvogëlimi do të ishte i qëndrueshëm sepse punëdhënësit janë të detyruar t’i regjistrojnë punëtorët me kontrata për të paktën një periudhë 12 mujore. “Unë nuk besoj se punëdhënësit do të rrezikojnë vetëm për pak para për punonjësit e tyre,” tha ai.

Sidoqoftë, RFE citon Berat Rukiqin, kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, teksa thotë se këto masa do të kishin vetëm ndikim të kufizuar në ekonominë informale. “Nuk pres shumë rezultate në këtë drejtim,” tha ai.

Ngjashëm, Lindita Daija, Kryeshefe Ekzektuive e Rrjetit për Përgjegjësi Shoqërore Korporative në Kosovë, një OJQ që punon për të promovuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, tha që ndërhyrja afatgjatë do të ishte e nevojshme.

“Nuk mendoj se këto ndërhyrje të inkurajuara në kontekstin e pandemisë kanë aftësinë për të zgjidhur problemet sistemike,” tha Daija.

Bedri Hasanaj tha se ekonomia do të kërkojë një paketë të mëvonshme të rimëkëmbjes pasi të kalojë kjo stuhi epidemike, diçka që ministria e financave thotë ka filluar së punuari këtë muaj.

Arian Ramaj, menaxher i përgjithshëm i ‘Elektrostublla’, një nga kompanitë kryesore të inxhinierisë elektrike në Kosovë, tha që humbjet për kompaninë ishin të mëdha.

“Nuk kemi shitje sikurse do të duhej të kishim në kushte normale dhe shumë projekte dhe aktivitete janë shtyrë për më vonë,” i tha Ramaj BIRN, duke përmendur, veçanërisht, panairin vjetor në Frankfurt të Gjermanisë, që ishte planifikuar për muajin mars.

“Ne prezantojmë produktet dhe projektet tona pothuajse çdo vit,” tha ai. “Panairi na ndihmon që të ndërlidhemi më të gjithë botën dhe të krijojmë partneritete.”

Mirëpo, sipas tij, që nga fillimi i pandemisë “puna dhe blerjet tona tona janë ngadalësuar sepse vendpunishtet nuk funksionojnë.”