BIRN Punon!

Po të kishin pak më shumë durim, gazetarët e QKGH-së do të kuptonin se RTK-ja e paguan secilin episod të “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” 3,500 euro. Pra, 7,000 euro në javë, atëherë kur transmetohen të dyja emisionet javore.

Po ashtu, vetëm po të kishin gazetarët e portalit të QKGH-së pak më shumë durim, do të mësonin se Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), me më shumë se 70 punëtorë të vet që përbëjnë gazetarë, operatorë, hulumtues, monitorues, etj. ka prodhuar sivjet pa kurrfarë kompensimi financiar nga RTK-në hiç më pak se 35 debate me kryetarë komunash dhe me qytetarë të tyre. Ato përbëjnë gati një produksion të tërë vjetor emisionesh.

Të njëjtën gjë, pa kompensim, BIRN-i e ka bërë për RTK-në, jo vetëm në vitin 2007, kur janë lexuar faturat e papaguara të rrymës të kandidatëve për kryetarë komunash, por edhe në vitet 2009 dhe 2010. Po të cekej kjo në artikullin e QKGH-së, do t’i vendoste gjërat në një perspektivë tjetër, së paku për nga sasia e prodhimit, nëse dikush edhe është i prirur për ta kontestuar kualitetin dhe profesionalitetin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”.

Këto 35 emisionet shtesë janë realizuar me ndihmën e donacioneve, që QKGH-ja i quan “të majme”. Këto donacione i kanë mundësuar BIRN-it që të prodhojë edhe portalin www.gazetajnk.com, njëjtë sikur raportin e monitorimit të gjykatave 2010, njëjtë sikur raportin e monitorimit të gjykatave 2011, njëjtë sikur raportin e arsimit 2010, njëjtë sikur raportin për sistemin e shëndetësisë 2010, njëjtë sikur raportin e monitorimit të gjykatave 2012, njëjtë sikur të përdyjavshmen në gjuhën angleze “Prishtina Insight”, njëjtë sikur portalin www.kallxo.com, njëjtë sikur edhe shumë projekte të tjera, të cilat më shumë se 15 organizata donatore dhe qeveri të shteteve perëndimore na i kanë besuar për t’i realizuar, bazuar në performancën tonë në fushën e gazetarisë hulumtuese për vite të tëra me radhë. QKGH-ja duhet ta dijë këtë, pasi vetë ka aplikuar për donacione të këtilla, dhe ka dërguar letra ankesash tek donatorët ndaj BIRN-it.

Ky artikull, për të qenë sa më i plotë, do të duhej të cekte edhe faktin se RTK-ja ka ngelur prapa me detyrimet e veta financiare, jo vetëm ndaj BIRN-it, për 10 muajt e fundit.

Para se të konkludojmë se nuk lypsen më shumë se 5 minuta për t’u përgjegjur në pyetjet e saj, QKGH-ja duhet ta ketë parasysh se dikush tjetër ka edhe prioritete të tjera. Duke e pasur parasysh faktin se BIRN-i njihet, pos tjerash, edhe për insistim për të marrë përgjegje të menjëhershme, në vazhdim mund t’i lexoni vetëm disa nga prioritetet e drejtuesëve të BIRN-it prej datës 11 shtator 2012, kur janë pranuar pyetjet e gazetarëve deri në momentin kur është botuar artikulli “Jetë o Jetë!”:

–    Hulumtimi, shkrimi, redaktimi dhe botimi më 17 shtator i hulumtimit që zbulon me fakte se sa para publike ka fituar kompania që udhëhiqet nga nga ish-krerët e Shërbimit Informativ të Kosovës SHIK-ut përmes tenderëve të ndryshëm. 

–    Hulumtimi, intervistimi, shkrimi dhe redaktimi i hulumtimit tjetër, të botuar po ashtu me 17 shtator, që zbulon korrupcionin e dyshuar për tenderët e kohës së ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, i cili ka ndikuar në mos-furnzimin me barna kundër kancerit duke kërkuar “reket” nga kompanitë furnizuese me ç’rast është përkeqësuar dhe rrezikuar jeta e pacientëve të sëmurë nga kanceri. 

–    Përgatitja dhe transmetimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, të shfaqur më 16 shtator – program ky investigativ në të cilin raportohet se si dy policë kërkojnë mito në trafik prej një udhëtari. Si rezultat i xhirimeve të emisionit këta policë susupendohen dhe ndaj tyre prokurori është duke ngritur aktakuzë për korrupsion.

Këto që u cekën më lartë, siç e dini, kërkojnë punë, kohë dhe përqëndrim. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur pikërisht në javën kur QKGH  raportoi se edhe BIRN-i, sikur produksionet tjera në RTK, “nuk kanë sjellë diçka serioze”.

Sa i përket seriozitetit, t’ua kujtojmë se BIRN-i ka fituar më shumë se 15 çmime për gazetari hulumtuese, ka ndikuar që të suspendohen ose shkarkohen me dhjetra zyrtarë të korruptuar publikë, ka arritur që të gëzojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe është vlerësuar lartë jo vetëm nga publiku kosovar, por edhe nga ai ndërkombëtar.

Përveç matjeve vendore që renditin emisionet tona në krye të listave të shikueshmërisë dhe besimit, gazeta New York Times e ka vlerësuar BIRN-in si “institucion i përkushtuar për ta zbuluar të vërtetën në Kosovë”.

BIRN është në favor të një konkurrence mediale në Kosovë. Por, konsiderojmë se shkrimet e bazuara në thashetheme, xhelozi dhe shpifje nuk ndihmojnë ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. BIRN është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe të gjitha fondet i drejton ekskuzivisht në zhvillim të gazetarisë hulumtuese, raportimit të paanshëm, objektiv dhe profesional.

(Reagimin, në gjuhën angleze, mund ta lexoni këtu)