Bashkësia Islame e Kosovës

BIK refuzon të hapë degën e Fakultetit të Studimeve Islame në Kosovë 

Në një proces larg syve të publikut, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka vendosur të mos i japë dritën e gjelbër hapjes së degës së re të studimeve në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI).

Ky proces ka ndodhur në kohën kur FSI po insiston të hapë një degë të re të studimeve islame në Kosovë.

Në vitin 2021, FSI kishte aplikuar në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), për hapjen e Degës së re të studimeve “‘Pedagogji e Edukimit Islam”, por idesë i është bllokuar rruga në Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës. 

Drejtimi i cili sipas dekanit të FSI-së është i nevojshëm për edukimin e gjeneratave të reja, nuk po hapet pas një vendimi të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës të nxjerrë para disa javësh.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje, ndërsa informacionet për mos-hapjen e degës as gjatë këtij viti janë konfirmuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). 

Drejtimi “Pedagogji e Edukimit Islam” sipas një vendimi që ka siguruar KALLXO.com, është akredituar më 12 gusht të vitit 2021 për një periudhë 2 vjeçare. 

Vendimi i AKA-së ishte nxjerrë bazuar në vlerësimin e dy ekspertëve ndërkombëtarë Prof. Dr. Melita Kovacevic nga Universiteti i Zagrebit dhe Prof. Dr. Zekirija Sejdini nga Universiteti Innsbruck ne Austri, ndërsa në program do kishin mundësinë të studionin deri në 40 studentë.

Të dhënat tregojnë që për këtë proces, FSI pagoi edhe 7 mijë e 600 euro për t’i hapur rrugë akreditimit.

Një vit më pas, Agjencina e Kosovës për Akreditim, ka marrë një njoftim nga FSI ku ky agjencion njoftohet se FSI nuk do pranojë studentë pas një vendimi të Kryesisë së BIK-ut. 

“Unë i kam shkruar një letër zyrtare dekanit Fahrush Rexhepi, ku jam interesuar se ku qëndron problemi që nuk po shpallet konkurs për pranimin e studentëve në Programin Pedagogji e Edukimit Islam, dhe ai më është përgjigjur se shpallja e konkursit nuk është lejuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Myftiu Naim Tërrnava”, thotë Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim. 

Hulumtimi i KALLXO.com, ka zbardhur se brenda FSI-së ka një vullnet për tu hapur kjo degë, mirëpo është vendimi i BIK-ut që e ka pamundësuar hapjen e degës së fakultetit.

Dekani i fakultetit, Fahrush Rexhepi ka konfirmuar për KALLXO.com, se nuk kanë asnjë arsyetim nga BIK për stopimin e këtij procesi.

“Nëse edhe këtë vit, deri në muajin shtator nuk ipet mundësi, ne e humbim rastin për të filluar studimet me këtë program” – thotë Rexhepi.

Humbja e mundësisë konfirmohet edhe nga vendimi që e ka ky fakultet për akreditim, për shkak se nëse studimet nuk nisin këtë vit, FSI duhet të aplikojë sërisht për akreditim në vitin tjetër.

Dekani Rexhepi thotë se ky drejtim është krucial për edukimin islam në vend. 

“Është shumë me interes fillimi i studimeve në këtë program, në radhë të parë për studentët tanë, pastaj për institucionet e BIK-ut, medresetë, imamët-predikuesit e fesë, mualimët- mësuesit e mësim-besimit të cilët do të aftësoheshin teorikishtë dhe praktikisht të planifikojnë/organizojnë punë edukative-arsimore nëpër xhami, medrese dhe institucione tjera të BIK, sipas normave të islamit tradicional, tolerant dhe modern” – thotë Rexhepi për KALLXO.com.

Sipas dekanit Rexhepi, kuadrot të cilët do të mund të dilnin nga Fakulteti i Studimeve Islame të degës së Edukimit Islam, do të aftësoheshin të bashkëpunonin me prindër, institucione e komunitet në mënyre që ndihmojnë zhvillimin e njohurive dhe orientimin në karrierë të nxënësve.

“Ideja për realizimin e një programi të tillë të studimit është disa vjeçare dhe ka rrjedhë si rezultat i takimeve të shumta me akterët relevantë të tregut, punëdhënësit, stafin akademik të FSI, Këshillin Shkencor të Fakultetit, informatat kthyese nga studentët e FSI-së të diplomuar më herët dhe të punësuar, nga studentët që ndejkin ligjëratat tani në FSI, si dhe nga kategori tjera të shoqërisë” – tregon tutje Dekani.

Ai shton tutje se situata me degën që nuk po lejohet të hapet është e dëmshme.

“E vlerësojmë si shumë të dëmshëm për Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, për institucionet e BIK-ut, për komunitetin dhe për gjeneratat e reja, veçmas për femrat, dhe gjithë të interesuarit tjerë për të ndjekur studimet në këtë drejtim, aq më tepër në një Institucion të Arsimit të Lartë vendor” – tregon tutje Rexhepi.

Ai madje përmend se program studimor “Pegadogji e Edukimit Islam” është i vetmi i akredituar në gjithë rajonin.

Në Agjencinë e Akreditimit potencojnë faktin se ky zhvillim brenda shkencës së studimeve islame po ndodhë edhe në rajon.

“Është paradoksale se si Myftiu Tërrnava nuk lejon zhvillimin e një programi të tillë dhe përgatitjen e kuadrove që shërbejnë në institucionet fetare brenda Kosovës dhe sipas sistemit të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Të gjitha bashkësitë fetare në rajon dhe Evropë po zhvillojnë programe vetanake që kanë për qëllim përgatitjen e kuadrove të veta, përderisa BIK-u po bën të kundërtën”, thotë drejtori i AKA-së, Naim Gashi.

Në lidhje me mos-hapjen e Degës së Edukimit Islam në Fakultetin e Studimeve Islame, KALLXO.com ka tentuar që të marrë përgjigje edhe nga Zyra për Infomim e Bashkësisë Islame, nga vetë Kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Naim Tërnava, por deri në publikim të këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë dhënë asnjë sqarim për këto pretendime.

Mos-hapja e drejtimit ndodhë në kohën kur BIK-u ka intensifikuar kërkesat për kthimin e shamisë në shkolla.