Biden: SHBA 'kurrë' nuk do t'i njohë pretendimet e Moskës për territorin e Ukrainës

Vladimir Putin ka nënshkruar dekrete që i hapin rrugën rajoneve të okupuara ukrainase të Khersonit dhe Zaporizhzhisë që t’i aneksohen zyrtarisht Rusisë. Të premten, presidenti rus pritet t’i nënshkruajë në ligj aneksimet e katër rajoneve të Ukrainës – Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk – rajone këto në të cilat Rusia mbajti referendume të rreme gjatë javës së kaluar për të kërkuar një mandat për pretendimet territoriale. Dekretet e së enjtes mbrëma, të bëra publike nga Kremlini, thanë se Putini njeh rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia si territore të pavarura. Ky është një hap ndërmjetës i nevojshëm përpara se Putini të mund të vazhdojë me planet për të deklaruar të premten se ato rajone  janë pjesë e Rusisë.

Presidenti Joe Biden u zotua të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i njohin kurrë pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatitën sanksione të reja për të vendosur pasi Moska t’i aneksojë zonat e reja të Ukrainës.

Duke folur me udhëheqësit e ishujve të Paqësorit, Biden i denoncoi referendumet që forcat pro-ruse i zhvilluan në zonat e Ukrainës si një “mashtrim absolut”, duke thënë se rezultatet ishin “prodhuar në Moskë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka paralajmëruar Rusinë se aneksimi i rajoneve të Ukrainës do të shënonte një “përshkallëzim të rrezikshëm” që do t’i rrezikonte perspektivat për paqen në rajon. António Guterres tha se çdo vendim për të vazhduar me aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia “nuk do të ketë asnjë vlerë ligjore dhe meriton të dënohet”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, paralajmëroi për një reagim “shumë të ashpër” nga Ukraina nëse Rusia vazhdon me aneksimet.

Ka indikacione se Rusia mund ta kufizojë lëvizjen e ukrainasve që jetojnë në territoret e pushtuara pasi të shpallë aneksimin e saj. Ukrainasve u është thënë se nga e shtuna do të duhet të aplikojnë për një leje nga autoritetet pushtuese. Kjo vjen pasi guvernatori rajonal i Luhanskut në mërgim, Serhiy Haidai, tha se Rusia ka penguar rreth 1000 ukrainas të kalonin kufirin në Letoni.

Forcat ruse mund të përballen me “disfatë të afërt” në qytetin kyç verilindor të Lymanit, ndërkohë që ushtarët ukrainas vazhdojnë kundërofensivën në lindje të vendit, sipas institutit amerikan të studimit për Studimin e Luftës. Duke i cituar raportet ruse, ky Institut tha se disfata do t’i lejonte trupat ukrainase t’i “kërcënojnë pozicionet ruse përgjatë rajonit perëndimor të Luhanskut”. Alexander Petrikin, udhëheqësi pro-rus i administratës së qytetit, pranoi se situata është bërë “e vështirë” për forcat ruse që përpiqesn ta mbanin territorin.

Finlanda po mbyll kufirin e saj për turistët rusë pas urdhrit të pjesshëm të mobilizimit të Putinit që bëri që një numër i madh njerëzish të largoheshin nga vendi. Nga mesnata e së enjtes, sipas orës finlandeze, turistët rusë që kanë një vizë Shengen të BE-së do të largohen nëse nuk kanë një lidhje familjare ose një arsye bindëse për të udhëtuar.

Më shumë se gjysma e rusëve u ndjenë të frikësuar ose të shqetësuar pas njoftimit të mobilizimit të Putinit, sipas një sondazhi të ri. Sondazhi nga Qendra e pavarur Levada tregoi se 47% e të anketuarve thanë se kanë ndier ankthose frikë pasi kishin dëgjuar se qindra mijëra ushtarë do të thirreshin për të luftuar në Ukrainë.

NATO u zotua për një “përgjigje të vendosur” ndaj atyre që i përshkroi si “akte të qëllimshme, të pamatura dhe të papërgjegjshme sabotimi” pasi u zbuluan rrjedhje në dy tubacionet Nord Stream. Autoritetet suedeze kanë raportuar një rrjedhje të katërt në një prej tubacioneve. Dy rrjedhjet në ujërat suedeze ishin afër njëra-tjetrës.

Gazi ka të ngjarë ta ndalojë rrjedhjen nga tubacioni i dëmtuar Nord Stream 1 të hënën, sipas operatorit të tubacionit. Një zëdhënës i Nord Stream AG tha se nuk ishte e mundur të jepej ndonjë parashikim për funksionimin e ardhshëm të tubacionit derisa të vlerësohet dëmi.

Kremlini ka thënë se incidentet në tubacionet Nord Stream duken si një “akt terrorizmi”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një shtet i huaj ishte ndoshta përgjegjës. Ministria e Jashtme e Rusisë pretendon se “incidenti në Nord Stream ndodhi në një zonë të kontrolluar nga inteligjenca amerikane”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e njoftoi paketën e tetë të sanksioneve – duke përfshirë një projektligj sanksionesh  i krijuar për ta “bërë Kremlinin të paguajë” për përshkallëzimin e luftës kundër Ukrainës. Hungaria “nuk mund dhe nuk do t’i mbështesë” sanksionet e energjisë në këtë pako, tha Gergely Gulyas, shefi i shtabit të kryeministrit, Viktor Orbán. Një zyrtar i BE-së tha se një marrëveshje për pakon e ardhshme të sanksioneve pritet përpara samitit të BE-së të javës së ardhshme ose të paktën një pjesë kryesore e paketës.

Rusia po e përshkallëzon përdorimin e dronëve “kamikaze” të furnizuar nga Irani në Ukrainën jugore, duke përfshirë sulme kundër portit jugor të Odesa-s dhe qytetit të afërt të Mykolaiv.

Oleg Deripaska, një nga oligarkët më të fuqishëm të Rusisë, është paditur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për shkelje të sanksioneve penale. Deripaska më parë kishte lidhje të thella me figurat e establishmentit britanik./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala