Foto: Atdhe Mulla

Biden nuk e ka shkopin magjik për ta rregulluar Kosovën

Zgjedhja e Joe Biden si President i SHBA-ve ka bërë që të bie perdja e një epoke të çmendurisë, por duke pasur parasysh rekordin e tij në të kaluarën dhe fuqinë në rënie të Perëndimit, Kosova nuk mund të presë që problemet e saj në skenën ndërkombëtare të zgjidhen menjëherë.

 

Humbja e Trump ka ardhur si një lehtësim jashtëzakonisht i madh për shumë njerëz anembanë globit. Narcizmi, përçmimi i tij për fakte dhe prirja për fjalime urrejtëse përçarëse siguruan që katër vitet e kaluara të kenë qenë një nga episodet më shqetësuese dhe joreale në historinë e SHBA.

Vetëm në politikën e jashtme, administrata Trump ka acaruar rëndë marrëdhëniet SHBA-Evropë, ka minuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare, përpjekjet regresive për t’u marrë me ndryshimet klimatike si dhe ka nisur një rivalitet të përshkallëzuar me Kinën.

Trump ka inkurajuar shfaqjen e autoritarizmit të ri në nivel ndërkombëtar, e ka rrezikuar demokracinë globale dhe në themel e ka minuar respektimin e të drejtave të njeriut. Marrë pasur parasysh të gjitha këto, zgjedhja e Joe Biden, në mënyrë befasuese, ka rezultuar në një shpërthim optimizmi, përfshirë një optimizëm edhe në Kosovë.

Në të vërtetë, ka shumë arsye të mira që Kosova ta mirëpres një presidencë të Biden. Ndryshe nga Trump, Biden ka njohuri të mira të historisë bashkëkohore të Kosovës. Ai ka një histori të gjatë të angazhimit me Ballkanin dhe ka qenë një kritik i zëshëm i Serbisë për dekada, veçanërisht në fund të viteve 1990.

Mbështetja e tij për pavarësinë e Kosovës është e mirëpranuar, dhe vizita e tij në vitin 2016 për të përuruar emërtimin e një rruge me emrin e djalit të tij të ndjerë Beau, na tregon se  ai ka një lidhje emocionale me Kosovën.

Gjatë fushatës elektorale, Biden lëshoi një deklaratë duke e përshkruar ‘Vizionin e tij për marrëdhëniet e SH.B.A. me Shqipërinë dhe Kosovën.’ Në këtë deklaratë, Biden rizgjon kujtime të historisë së tij të “ngritjes kundër agresionit të Millosheviçit” dhe inicimit të rezolutës për të autorizuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999.

Biden deklaroi se pavarësia e Kosovës është “e pakthyeshme” dhe përshkruan një plan veprimi duke përfshirë “prapakthimin e qasjes së çekuilibruar të Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”. Ai gjithashtu premtoi se qasja e tij bashkë me BE do të jetë riaktivizimi i dialogut, ndjekjen e drejtësisë për krimet e luftës dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo deklaratë, natyrisht, është mirëpritur ngrohtësisht nga shumica në Kosovë. Megjithatë, vlen të kujtohet se shpesh ka një ndryshim midis asaj që premtojnë kandidatët gjatë një fushate zgjedhore dhe asaj që ata në fakt e bëjnë pasi të jenë zgjedhur.

Pengesa e parë e realizimit të vizionit të planit të Bidenit për Kosovën është fakti shumë i thjeshtë se SH.B.A. është shumë më pak e fuqishme sot sesa ishte dikur. Kanë ikur ato ditë kur SH.B.A. ishte në gjendje të ushtrojë autoritet të papërmbajtshëm mbi aleatët e saj, dhe në të vërtetë mbi armiqtë e saj. Kosova përfitoi më së shumti nga mbështetja e SH.B.A.-së pikërisht në atë kohë kur SHBA-të ishin në kulmin fuqisë së saj, dhe rënia e fuqisë amerikane ka ndikuar në statusin ndërkombëtar të Kosovës.

Sot, vetë ekzistenca e Kosovës është gjithnjë e më shumë në mëdyshje. Njohjet ndaj pavarësisë së Kosovës kanë pësuar një prapakthim, duke e kënaqur Serbinë, në vend se të mbështetet Kosova, është bërë një prioritet më i rëndësishëm për fuqitë perëndimore të angazhuara me rajonin.

Ky ndryshim drejt trajtimit të Kosovës si një bezdisje dhe jo si një aleat i denjë për mbështetje të palëkundur, nuk mund t’i atribuohet zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016. është produkt i një force shumë më të madhe, domethënë rishpërndarjes së pushtetit në nivelin ndërkombëtar larg Perëndimit. Zgjedhja e Biden nuk do ta ndryshojë këtë.

Së dyti, duke pasur parasysh një sërë sfidash të mëdha me të cilat përballen SH.B.A., është e vështirë të imagjinohet që Biden do ta ketë prioritet Kosovën. Gjithnjë e më shumë duket se bashkësia ndërkombëtare është e kënaqur me atë që asgjë nuk ndodh në Kosovë, pavarësisht nga fakti se kjo ka shumë pasoja negative për njerëzit që jetojnë atje.

Në realitet, për sa kohë që Kosova vazhdon të jetë paqësore, kjo nuk do të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare. Marrë parasysh faktin që ideja se ankesat “e vjetra” e bëjnë situatën të paprekshme, ka fituar vëmendje të re, janë të paktë ata në administratën e Biden që ka të ngjarë ta tregojnë Kosovën si një sukses të arritshëm të politikës së jashtme.

Është po ashtu e qartë, duke pasur parasysh natyrën farsë të angazhimit diplomatik të Trump dhe Richard Grenell me Kosovën, se të bëhesh subjekt i vëmendjes ndërkombëtare, nuk përkthehet lehtë si një përmirësim.

Megjithatë, edhe nëse Biden kërkon të angazhohet në mënyrë domethënëse me Kosovën, kjo nuk do ta forcojë automatikisht përpjekjen e Kosovës për të konsoliduar statusin e saj ndërkombëtar. Në fakt, të dhënat e tij historike sugjerojnë të kundërtën.

Gjatë tetë viteve, kohë kjo sa Biden ishte zëvendëspresident, Kosova pësoi disa nga goditjet më të kushtueshme për sovranitetin e saj: marrëveshja mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshja e kufirit me Malin e Zi dhe themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, të gjitha ndodhën gjatë kësaj periudhe.

Si i tillë, procesi me të cilin sovraniteti i Kosovës është gërryer, statusi i saj ndërkombëtar është bllokuar dhe marrëdhënia e saj me Serbinë është kthyer në favor të Beogradit, filloi gjatë dy mandateve të Biden si zëvendës president.

Më në fund, korrupsioni është pjesë e një problemi të përhershëm për Kosovën, duke e bërë atë një rast klasik të kapjes së shtetit dhe duke i shkaktuar dëme të mëdha zhvillimit të saj të brendshëm dhe pozitës ndërkombëtare.

Përsëri, ky korrupsion mbizotëroi shumë kohë para se Trump të bëhej President. Që nga viti 1999, një varg qeverish evropiane dhe e presidentëve të Sh.B.A-së e kanë toleruar në heshtje klikën e fuqishme që ushtron pushtet të fuqishëm brenda Kosovës. Është e vështirë të besohet se Biden do ta ndryshojë këtë politikë, veçanërisht duke pasur parasysh që në vitin 2010 ai e cilësoi Thaçin si George Washingtonin e Kosovës ’.

Për sa kohë që fuqitë perëndimore, përfshirë SH.B.A.-të, haptazi shprehen papërmbajtshëm duke e paralajmëruar mbështetjen e tyre për Kosovën, ndërsa njëkohësisht i mundësojnë elitës së korruptuar të plaçkitë burimet e shtetit, ka pak arsye për optimizëm për të ardhmen e Kosovës.

Në fakt, ata të cilët në Kosovë e imagjinojnë se fitorja e Biden do të zgjidhë të gjitha problemet e shumta të Kosovës ka të ngjarë të shohin (si të gjithë ata ndërkombëtarë që kanë nxituar të shpallin agimin e një epoke të re të lavdishme) se ndërkohë që e zëvendësojnë Trumpin munden edhe ta paralajmërojnë fundin e një epoke çmendurie, nuk përbën një ilaç që shëron gjithçka.

 

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Dr. Aidan Hehir është lexues (profesor i asociuar) në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Westminster (MB). Ai ligjëron në Shkollën Verore RIT të Kosovës dhe interesat e tij kërkimore përfshijnë shtetndërtimin dhe ligjet që rregullojnë përdorimin e forcës.