Foto: Urime Krasniqi/Kallxo.com

Beteja për lumenjtë e Kosovës duhet të vazhdojë

Ndërprerja e operimeve për tre hidrocentralet e KelKos është një fitore e përkohshme e një beteje më të gjatë. Duhet të ngritemi së bashku kundër degradimit të lumenjve tanë.

 

Vendimi i së mërkurës nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, i cili ua ndaloi tri hidrocentraleve të KelKos të prodhonin energji elektrike ishte një lehtësim i përkohshëm për aktivistët e mjedisit, banorët e Deçanit dhe të gjithë ata që kujdesen për gjendjen e lumenjve të Kosovës.

Asgjë nuk ndodh brenda natës, dhe në Pishtarët, OJQ-ja, bashkëthemelues i së cilës jam unë, jemi në dijeni se kjo është një detyrë veçanërisht sfiduese. Po ashtu, ne e dimë që kauza jonë është e drejtë dhe se nuk kemi mundësi tjetër përveçse të dalim fitimtarë. Vendimi i ZRRE vetëm sa e forcon më tej besimin tonë se kauzat e drejta duhet të luftohen pa kompromis. Kjo është një fitore e vogël drejt qëllimit tonë, por që na jep siguri se ne po lëvizim përpara.

Neve, OJQ-së ‘Pishtarët’, na është thënë shpesh se as nuk duhet të marrim mundin e të tentojmë dhe të sjellim rend dhe ligj në grykën e Deçanit. Njerëzit madje thanë se u vinte keq që ne po përpiqeshim aq shumë sepse gjërat nuk funksionojnë sipas ligjit në Kosovë dhe ne duhet ta kuptojmë këtë.

Por është pikërisht kjo që na ka bërë neve më të vendosur. Si mund të heqim dorë nga toka jonë dhe sakrifica jonë me shekuj në mënyrë që ta shohim Kosovën të bëhet shtet me ligjet e veta? Ky nuk ishte një prej opsioneve. Sapo KelKos, institucionet e Kosovës dhe njerëzit që ishin skeptikë në fillim panë që ne nuk e kishim ndërmend të dorëzoheshim, qasja e tyre filloi të ndryshonte gradualisht.

Për një kohë të gjatë, beteja jonë kryesore ishte rezistenca nga institucionet e Kosovës për të siguruar qasje në dokumente, e lëre më mbështetja ndaj kauzës sonë. Sidoqoftë, dje, një numër figurash publike e mirëpritën vendimin e ZRRE-së, përfshirë deputetët dhe kryetarët e komunave. Deri atëherë, të gjitha vendimet për KelKos merreshin në vakum, pa ndonjë shpjegim, pa komente për publikun.

Ekzistojnë një numër problemesh në Kosovë, disa prej të cilave mund të duken të frikshme dhe të pamundura për tu ndryshuar, mirëpo shkeljet e vazhdueshme të ligjit nga KelKos dhe ndikimi i tyre mbi institucionet e Kosovës dikur dukeshin të pafundme. Sot, ne besojmë se balancimi po zhvendoset drejt njerëzve.

Kur Pishtarët fillimisht e nisi për rezistencën ndaj degradimit mjedisor të KelKos, ne nuk njiheshim  jashtë Deçanit dhe nuk kishim shumë kontakte ku mund të kërkonim ndihmë. Megjithatë, sapo filluam kontaktin me njerëzit dhe ata na prezantuan vazhdimisht me aktivistë dhe grupe të tjera, pastaj ne nuk mbetëm vetëm asnjëherë.

Pishtaret mund ta ketë filluar këtë, por fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar fuqinë e solidaritetit dhe përpjekjet e përbashkëta të aktivistëve individualë, OJQ-ve, individëve që ndajnë postimet tona dhe gazetarëve që e mbuluan këtë çështje. Të mos flasim edhe për njerëzit në rrugë të cilët  vëzhgonin operacionet e KelKos.

Sidoqoftë, ndihma më e madhe ka ardhur nga aktivistët e Kosovës të cilët jo vetëm që kanë ofruar ndihmë pa ndonjë rezervë por janë bërë miq që ofrojnë mbështetje.

Secili veprim i vetëm na ka çuar në këtë pikë. Për shembull, ndarja e një postimi mund të duket si një gjë e vogël, por pasi dikush shpërndau shkrimin që detajonte takimin tonë me ministrin e mjedisit, një shkencëtar austriak e lexoi atë dhe i ka bërë një thirrje Kelag, kompanisë mëmë të KelKos.

Kjo shkaktoi telashe për Kelag dhe gjëra të mëdha për ne, pasi shumë gjëra janë zhvilluar që nga ajo kohë, por filloi me dikë që thjesht ndau një artikull shkrimi. Ky është vetëm një shembull.

Përkundër kësaj mbështetjeje nga një numër i qytetarëve dhe organizatave lokale, mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë shpesh ka munguar, me shumë prej tyre që preferojnë të heshtin.

Ambasada Austriake posaçërisht ka zgjedhur të heshtë dhe të shtiret se degradimi dhe shkeljet ligjore nuk po ndodhin, duke vazhduar me mbështetjen e saj ndaj KelKos pas dyerve të mbyllura. Pishtaret ka bërë përpjekje të shumta për qasje tek Ambasada, por ata na kanë injoruar dhe kanë vazhduar së bëri përpjekje për të lobuar te politikanët e Kosovës në mbështetje të KelKos.

Sidoqoftë, aktivistët e mjedisit nuk mbeten plotësisht pa mbështetje nga institucionet evropiane. Merita duhet t’i jepet Viola Von Cramon-it e cila ngriti zërin e saj mbështetës kur Kelag i hodhi në gjyq një numër aktivistësh mjedisorë.

Fokusi ynë kryesor tani është tek Blerim Kuçi, ministri i mjedisit, dhe garantimi se ai do ta mbajë premtimin e tij ndaj neve që KelKos nuk do të marrë një licencë mjedisore pa përmbushur kriteret ligjore, të cilat përfshijnë ndërtimin e një dige për popullatën lokale dhe rehabilitimin e lumit.

Ministri na ka thënë se ndihet i turpëruar për atë që u ka ndodhur lumenjve tanë. Tani është shansi për ta dëshmuar se ai është i sinqertë dhe është i vendosur ta adresojë këtë çështje përmes mjeteve ligjore. Tani është koha që Ministri Kuçi ta demonstrojë se pretendimet e tij mbi shkatërrimin e lumenjve të Kosovës ishin të vërteta.

Vendimi i së mërkurës nga ZRRE ishte një fitore, pasi dëshmon se disa institucione janë të përgatitura ta ndjekin shtetin e së drejtës dhe të mos dorëzohen përballë presionit nga Kelag. Sidoqoftë, ky është vetëm një institucion që e ka bërë punën e duhur.

Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit tani përballet me një presion ekstrem nga KelKos, Ambasada Austriake dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë për t’i garantuar kompanisë Kelag një licencë mjedisore, pavarësisht se kompania nuk i ka riparuar dëmet mjedisore që i ka shkaktuar në grykën e Deçanit.

KelKos ka lëshuar një deklaratë ditën e mërkurë duke thënë se ata i kanë mbyllur termocentralet vullnetarisht, se të gjitha kërkesat mjedisore janë plotësuar me ministrinë dhe se vetëm një çështje teknike që ka të bëjë me një hidrocentral mbetet akoma e pazgjidhur, e cila së shpejti do të adresohet.

Në këtë deklaratë, KelKos madje tha se ata po punojnë së afërmi me shoqërinë civile. Kur e lexova këtë, u shtanga.

Kontakti i parë dhe i fundit që Pishtarët kishte me KelKos ishte procesi gjyqësor që na dërguan neve dhe një rrjeti prej mbi 100 OJQ-ve të Kosovës. Nëse kjo është ajo që ata e konsiderojnë si të punuarit së afërmi bashkërisht, atëherë përgjigjja jonë është e thjeshtë: Ne kurrë nuk do të ndalojmë betejën për lumenjtë tanë.

 

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Shpresa Loshaj është bashkëthemeluese e organizatës mjedisore “Pishtaret” me seli në Deçan, Këshilltare e politikave në qeverinë Kanadeze dhe anëtare e Rrjetit të Diasporës të organizatës Germin.