Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Beteja kushtetuese me pasoja gjithëpërfshirëse politike 

Gjykata Kushtetuese është në proces të marrjes së vendimit me rëndësi të veçantë mbi kushtetutshmërinë e përpjekjeve të presidentit për të formuar qeverinë e re, mirëpo pasojat e vendimit të saj mund të shtyjnë politikën kosovare drejt zgjidhjes binare dhe pikës së mundshme pakthim. 

 

Një konfrontim i paprecedent politik dhe institucional po ndodh në Kosovë ndërkohë që kriza me koronavirusin po vazhdon. Sikurse çdo triller i mirë politik në Ballkan, një komplot tashmë ka zënë vend dhe mund të përjetojë një sërë kthesash makiavelliane para se ky vit të përfundojë.

Në njërën anë të mosmarrëveshjes aktuale janë të pozicionuara shumica e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës si dhe Presidenti Hashim Thaçi, të cilët preferojnë një ri-formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme më 25 mars.

Plani, i cili ishte afër realizimit, kishte për synim krijimin e qeverisë së re që do të mandatohej pa zgjedhje të reja dhe pa Vetëvendosjen, partinë që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën më 6 tetor të vitit 2019.

Ndërkohë, Vetëvendosje ka argumentuar vazhdimisht se e vetmja rrugë kushtetuese është shpërndarja e Kuvendit të Kosovës e pasuar me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atëherë kur kushtet të lejojnë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, që nga 1 maji i vitit 2020, beteja politike midis këtyre dy blloqeve është pezulluar përkohësisht si rezultat i masës së përkohshme të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata ka pezulluar të gjitha veprimet e palëve derisa të vendosë nëse dekreti i Presidentit Thaçi, për ti dhënë mandatin koalicionit të udhëhequr nga LDK për të formuar qeverinë e re, është kushtetues.

Pikë kritike për shqyrtim nga ana e Gjykatës është nëse pohimi i presidentit se Vetëvendosje ka refuzuar mundësinë për të propozuar kandidatin e vet për kryeministër është kushtetues apo jo.

Në një letër dërguar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, më 22 prill, Thaçi deklaronte se do të fillonte bisedimet me partitë e tjera për shkak të dështimit të Kurtit për t’iu përgjigjur kërkesës së tij që Vetëvendosje ta nominojë një kandidat, që për herë të parë ishte bërë më 2 prill. Megjithatë, në përgjigjen e tij, Kurti pohoi se partia e tij nuk e kishte refuzuar kërkesën e presidentit dhe se ai, presidenti pra, nuk kishte autorizimin të konstatonte se ata e kishin bërë një gjë të tillë.

Pa marrë parasysh rezultatin, Gjykata Kushtetuese duket se do të nxjerrë një aktgjykim tjetër të rëndësishëm, të krahasueshëm me atë të vitit 2014. Vendimi i saj do të përcaktojë agjendën e mosmarrëveshjeve politike të Kosovës për një të ardhme të parashikueshme, pasi që asnjë aktgjykim nuk mund ti plotësojë shpresat dhe pritshmërinë e të gjitha palëve të përfshira.

Qeveri e re apo zgjedhje të reja?

Nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese ekzistojnë dy rrugë kryesore për dalje nga kriza, që mund të rezultojë me zgjedhje të reja, ose me krijimin e qeverisë të re, me dy alternativa të mundshme për mënyrën e formimit të kësaj qeverie.

Skenari i parë është se Gjykata Kushtetuese mund të mbështesë qëndrimin e Vetëvendosjes, e cila do t’i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dikur më vonë gjatë vitit.

Ky do të ishte rezultati ideal për Vetëvendosjen, e cili jo vetëm që do të vazhdonte me udhëheqjen e qeverisë në detyrë por po ashtu edhe të përgatitet për zgjedhje të cilat pret t’i fitojnë bindshëm. Disa sondazhe të opinioneve të bëra kohëve të fundit sugjerojnë se Lëvizja Vetëvendosje mund të jetë dyfishuar në popullaritet që nga zgjedhjet parlamentare në tetorin e vitit të kaluar, madje në zgjedhje e mundshme parlamentare të vitit 2020 mund ta vendosin atë në pozicion të atillë që ta formojë qeverinë pa patur nevojë partner të koalicionit nga partitë shqiptare.

Vetëvendosje është e prirur të shfrytëzojë avantazhin e krijuar nga rritja e mundshme e përkrahjes popullore dhe po përfiton nga përpjekjet për të portretizuar situatën aktuale si rezultat i pazareve paszgjedhore që devijuan nga ajo që u ishte ofruar votuesve para dhe gjatë zgjedhjeve.

Ndërkohë, PDK, duket se po përpiqet të distancohet nga qeveria e koalicionit rreth LDK-së si mënyrë për të frenuar rënien e përkrahjes së saj nga elektorati. Kohëve të fundit PDK ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt që e lejojnë kushtet, pavarësisht faktit se me 22 prill kanë shprehur mbështetjen e tyre për formimin e qeverisë së re gjatë takimit publik me Presidentin Thaçi.

Nga ana tjetër, LDK dhe aleatët e saj politikë, AAK, Nisma dhe AKR, duket se janë bërë bashkë nga frika e rezultateve të dobëta në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Partitë po dalin keq nga sondazhet e bëra dhe zgjedhje e reja mund t’i gjejë LDK dhe AAK të zhvendosura në margjinat e skenës politike, ndërsa Nisma dhe AKR mund të humbasin përfaqësimin e tyre parlamentar tërësisht, pasi që me shumë vështirësi e kanë kaluar pragun zgjedhor në vitin 2019.

Skenari i dytë mund të jetë i atillë që Gjykata mund ta refuzojë qëndrimin e Vetëvendosjes se votim i suksesshëm i mosbesimi ndaj qeverisë çon automatikisht në zgjedhje të parakohshme, duke siguruar miratimin kushtetues për krijimin e qeverisë së re pa shkuar fare në zgjedhje.

Sidoqoftë, brenda këtij skenari, gjykata mund të vendosë gjithashtu se dekreti i presidentit për të mandatuar kandidatin nga LDK për kryeministër ishte antikushtetues, vendim i cili do ta vendoste Vetëvendosjen në pozicion udhëheqës për të formuar qeverinë e re.

Në mungesë të afatit të përcaktuar për atë se kur do të duhej Vetëvendosje t’ia paraqes presidentit emrin e kandidatit të saj, kjo parti mund të vazhdojë të udhëheqë qeverinë në detyrë, derisa të krijohet koalicion i ri apo deri kur të shpërndahet Kuvendi përmes votimit të mocionit për shpërndarjen e tij, duke çuar vendin në zgjedhje të reja.

Sipas opsionit të fundit, Gjykata mund ta konsiderojë dekretin e presidentit plotësisht në përputhje me dispozitat kushtetuese, dhe koalicioni LDK mund të rifillojë përpjekjet e tij për ta votuar qeverinë e re në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i tillë, i cili do të mundësonte formimin e qeverisë pa partinë fituese, do të kishte ndikim afatgjatë në politikën e Kosovës, duke vendosur një precedent i cili jo vetëm që do ta përcaktonte kush mund të formojë qeverinë, por do të kufizonte aftësinë e partive opozitare për të provokuar zgjedhje të reja përmes votimit të mocionit të tillë.

Ndërkohë që partitë e ardhshme opozitare mund të jenë në gjendje të sigurojnë mbështetjen e një shumice absolute për të votuar mocionin e mosbesimit, ato në shumicën e rasteve nuk do të arrijnë të sigurojnë shumicën e dy të tretave të kërkuara për shpërndarjen e parlamentit.

Në këtë skenar, një president i rreshtuar politikisht mund ta refuzojë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës nëse ai ose ajo është në favor të vazhdimit të qeverisjes nga partitë në pushtet, duke i lejuar qeverisë së shkarkuar të qëndrojë në detyrë përkundër votimit të mocionit të mosbesimit.

Në terma afatshkurtër, koalicioni rreth LDK do të kishte një shumicë shumë të ngushtë midis një dhe gjashtë ulëseve në parlament. Kjo do të thotë se marrja e vendimeve ka të ngjarë të kërkojë miratimin e të pesë anëtarëve të koalicionit: LDK, AAK, NISMA-AKR, Lista Serbe, dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe – të cilat jo gjithmonë përfaqësojnë bllok të konsoliduar politik.

Të gjitha këto parti politike kanë pikëpamje të ndryshme dhe programi qeverisës nuk ka gjasa të bazohet në listë gjithëpërfshirëse të qëllimeve programore. Kohezioni i saj i brendshëm duket i dobët dhe jetëgjatësia e saj është në mëdyshje madje edhe para se të formohet ajo. Ashtu sikurse qeveria PDK-AAK-Nisma (2017-2019), qeveria e re do të mbetet në pushtet vetëm për aq kohë sa puna e saj nuk cenon preferencat e partive të koalicionit.

Praktika e kaluar ka treguar që qeveritë e koalicionit zakonisht udhëhiqen nga kapriçot e liderëve të partive politike që përbëjnë koalicionin, të cilët në mënyrë efektive gëzojnë pothuajse po aq fuqi sa edhe vetë kryeministrat. Marrëveshjet e koalicionit të arritura ndërmjet LDK-së dhe partive tjera e kanë konfirmuar tashmë autoritetin e udhëheqësve të partive politike mbi mandatarin për kryeministër lidhur me emërimin dhe shkarkimin e ministrave nga radhët e tyre.

Gara politike për t´i fituar të gjitha

Të gjithë këto skenarë të mundshëm mund të japin një rezultat fitues-humbës apo humbës-humbës për Vetëvendosjen dhe koalicionin rreth LDK-së, dhe politika kosovare do t’i vuajë pasojat edhe shumë kohë pasi Gjykata të nxjerrë vendimin e saj.

Qeveritë e koalicionit kanë dëshmuar se jenë të paafta për ta mbijetuar mandatin katërvjeçar, dhe, kësisoj, kanë rezultuar me qeveri të paqëndrueshme, zgjedhje të shpeshta dhe manovra politike që devijojnë vullnetin e votuesve të shprehur përmes votës qytetare.

Kemi qenë dëshmitarë të serisë të pafund koalicionesh si mjet për të mbrojtur interesat e figurave që i kanë udhëhequr për një kohë shumë të gjatë partitë duke qeverisur gjatë dy dekadave të fundit, dhe votuesit mund ta përqëndrojnë mbështetjen e tyre tek një partie e vetme, në përpjekje për t’i siguruar stabilitetin në qeverisje dhe imunitetin nga pazaret midis partive politike.

Si rezultat, skena politike mund të evoluojë në dy opsione që synojnë mbështetje absolute nga votuesit: betejë për qeverisje midis Vetëvendosjes në njërën anë dhe PDK, LDK, dhe AAK në anën tjetër, ndërsa partitë e vogla luftojnë për përfaqësim në Kuvend.

Teksa ka mungesë të dialogut ndër-partiak, tani duket sikur e kemi tejkaluar pikën nga ku nuk ka kthim prapa: njëra nga të dy kampet duhet ose të humbas ose të nënshtrohet.

Sfida e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet nëse ajo është në gjendje ta paraqesë kauzën e saj si vullnet të publikut sesa thjesht si betejë partiake, dhe suksesi i saj mund të varet nga aftësia e partisë për të krijuar aleanca me grupe të tjera shoqërore dhe politike që mbështesin ndryshimin. Nëse Vetëvendosje mund ta paraqesë veten si platformë që kërkon shkëputje nga kapja e shtetit, ajo ende ka gjasa të fitojë shumicë absolute në Kuvendin e Kosovës.

Zgjidhja binare politike mund të sigurojë përfaqësim të vërtetë të preferencave të votuesve nga partia fituese në qeveri, duke anashkaluar çdo pasiguri për votuesit se cilat parti do të ketë fuqi vendim-marrëse në qeveri. Por, përderisa nuk ka lëvizje në drejtim të dialogut ndërpartiak për çështje të rëndësishme, kjo padyshim vetëm sa do t’i mbaj gjallë edhe më tej ndarjet sociale.

Sistemi politik ‘fituesi i merr të gjitha’ në Kosovë mund të funksionojë në mënyrë demokratike vetëm nëse ekzistojnë kontrolle të mjaftueshme dhe ekuilibër të pushtetit  që siguron përgjegjshmëri qeveritare dhe u jep mundësi partive opozitare të veprojnë lirshëm për të kundërshtuar politikat e qeverisë dhe të paraqesin alternativa e tyre në publik.

Kjo, ndoshta është më e rëndësishmja në lidhje me dialogun me Serbinë. Nëse qeveria e koalicionit rreth LDK-së arrin të nënshkruajë shpejt dhe ratifikojë marrëveshjen që përfshin shkëmbim territoresh apo edhe ndarje, atëherë do të mbillet fara e konfliktit më të rëndësishëm midis partive politike që nga periudha e pasluftës e që do të dominojë diskursin publik në vitet në vijim.

Në rast se kjo ndodh, Kosova do të vazhdojë në spiralen e betejave të pamëshirshme politike dhe të paqëndrueshmërisë institucionale, nga e cila përfiton elita politike e korruptuar ndërkohë që qytetarët humbin shpresën që mund të sjellin ndryshimet e shumëpritura.

 

Ky shkrim është shkruar fillimisht në gjuhën angleze.

Blerim Vela është Studiues i Doktoratës në Departamentin e Politikës në Universitetin e Sussex.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN. 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!