Beqaj Reklamon Fondin Investiv Në Prizren (TV)

Në një takim me studentë të universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren, ministri i Financave Besim Beqaj tha se me krijim e Fondit Investiv vendet e reja të punës do të krijohen kryesisht nga sektori privat, ndërsa shteti sipas tij do t’i sigurojë ligje të mira këtij sektori.

Ministri Beqaj, tha se ministria e tij ka marrë vendim për themelimin e këtij fondi, i cili siç tha ai do të vë në funksion të gjitha mjetet të cilat janë të lira jashtë vendit. 

Mjete të lira jashtë vendit konsiderohen mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës që sipas zëdhënësit të këtij fondi në shkurt të vitit 2014 ishin 659 milionë euro të investuara në tregjet financiare globale, 64 milionë të investuara në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe 216 milionë euro të painvestuara në llogarinë e FKPK-së në Bankën Qendrore të Kosovës.

Fondi Investiv sipas Beqajt, do ta ketë një strukturë të veten dhe do të ketë nevojë për disa ndryshime ligjore, të cilat Beqaj tha se Ministria e Financave është duke i realizuar.

 “Fondi do të dedikohet për krijim të vendeve të punës dhe për zhvillim ekonomik, pra është ftesë për të gjitha ndërmarrjet e vogla, të mesme, ndërmarrësit e ri, ndërmarrjet e mëdha që dëshirojnë ta zgjerojnë aktivitetin e tyre që të konkurrojnë me projekte”, tha Beqaj

Sipas tij kriteret janë të thjeshta, krijim i vendeve të punës dhe produktivitet në punë.

Sa u përket modaliteteve rreth krijimit të fondit, Beqaj, tha se nuk janë vetëm mjetet tona të cilat janë jashtë shtetit që do ta mbushin këtë fond, por sipas tij ka gatishmëri edhe nga vendet tjera.

Ai përmendi fondin “Clinton’”, të ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe tha se gatishmëri për investime ka pasur edhe nga Japonia dhe Arabia Saudite. 

Sipas ministrit të Financave rol të veçantë rreth këtij fondi do të ketë edhe Banka Qendrore e Kosovës, sepse siç tha Beqaj fondi do të jetë nën rregullat e kësaj banke.

“Çdo gjë do të bëhet në harmoni me standardet ndërkombëtare, andaj në këtë kuptim jo vetëm fondi ‘Clinton’, por ka edhe fondacione të tjera, të cilat janë të gatshme, që përmes projekteve konkrete, përmes fondeve zhvillimore të hyjnë në proces”, tha Beqaj.

Ai tha se do të kualifikohen të gjitha ndërmarrjet pavarësisht se a ofrojnë prodhim apo shërbime, por të cilat e rrisin edhe kapacitetin eksportues të Kosovës.

Por krijimi i këtij fondi me paratë e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës nuk duket të jetë aq i lehtë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë ligjore t’i shfrytëzojë këto mjete sipas vullnetit të saj. Vendimmarrja se si investohen këto mjete është përgjegjësi ekskluzive e Bordit Drejtues të FKPK-së dhe tërësisht e pavarur nga Qeveria, Kuvendi, apo nga cilido institucion tjetër”, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Ai tha se mundësia që Qeveria e Kosovës t’i vë në funksion këto mjete, aktualisht është  e mundshme vetëm përmes letrave me vlerë (fletobligacioneve) të cilat i emeton Ministria e Financave. 

“Praktikisht kjo është një lloj kredimarrjeje nga Qeveria të cilën duhet kthyer së bashku me interesin, i cili përcaktohet në ankande, varësisht kërkesës dhe ofertës për fletobligacione të Kosovës. Në fund të shkurtit ishin 64 milionë euro që Qeveria i detyrohej FKPK-së, gjegjësisht, kontribuuesve në FKPK”, tha Demi.

Sipas tij ekzistojnë mundësitë ligjore që FKPK-ja të investojë në instrumentet financiare të Qeverisë së Kosovës.

“Gjithnjë, nëse Bordi Drejtues i FKPK-së e merr një vendim të tillë”, tha Demi.

Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës përzgjidhet nga Kuvendi i Kosovës pas rekomandimeve që bëhen nga një komision përzgjedhes i përbërë nga guvernatori i BQK-së, Auditori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.