Beogradi për Rifillim të Dialogut

Pas takimit me ndërmjetësin europian në dialogun Kosovë – Serbi, Robert Cooper, zyrtarë të Beogradit kanë thanë se dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka thënë se me Cooperin janë pajtuar se edhe për tejkalimin e situatës në veri, e vetmja zgjidhje duhet të kërkohet përmes vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne ramë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur për të vazhduar dialogun dhe adresuar të gjitha problemet që ekzistojnë në territorin e Kosovës, dhe në këtë kuadër edhe në veri. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që ne kemi rënë dakord se duhet të ketë komunikim në mes të misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe zyrtarëve lokalë serbë në veri të Kosovës, në mënyrë që të tejkalohen problemet”, tha Bogdanoviq, transmeton Tanjugu.

Sipas tij, në barrikadat në veri nuk ka kriminelë, ndërsa u shpreh se të gjithë ata që janë përgjegjës për trazirat në Jarinjë duhet të përgjigjen. Bogdanoviq tha se s’ka asnjë informacion se trazirat u organizuan nga biznesmeni serb, Zvonko Veselinoviç, sikur kanë raportuar disa media.

“Unë jam as gjykatës, as polic dhe në këtë pikë nuk mund të ju them nëse person mori pjesë në këtë histori. Ka shumë tregime sot në veri të Kosovës, gjysmë të vërteta, dezinformata, të cilat janë shitur. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme dhe plotësisht e justifikuar nga Qeveria e RS, që serbët e Kosovës kanë kërkuar një komision të pavarur hetimor për të përcaktuar faktet e vërteta”.

Diplomati evropian, i cili mbërriti mbrëmë në Beograd, gjatë ditës ka takuar edhe kryenegociatorin serb, Borko Stefanovic dhe ministrin e Brendshëm, Ivica Dacic.