Beogradi dhe Serbët Veriorë Pajtohen rreth Marrëveshjes

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vuçiq tha se edhe pse serbët kosovarë nuk kanë mendim të njëjtë me të rreth marrëveshjes, janë pajtuar për veprime të koordinuara dhe të përbashkëta që kanë të bëjnë me të.

“Populli ynë në Kosovë dhe Metohi besojnë në shtetin dhe ne nuk duam as nuk mund të ndryshojmë njerëzit tanë,” tha Vuciq pas takimit me liderët e serbëve të Kosovës në qytetin e Leposaviqit, në veri të Kosovës, të dielën.

Dragisha Miloviq, kryetari [paralel] i Zveçanit konfirmoi se një marrëveshje për bashkëpunim të vazhdueshëm është mbërritur. “Ne nuk kemi shtet rezervë [tjetër nga Serbia] dhe duhet të punojmë së bashku”, tha Miloviq.

Kosova dhe Serbia pranuan marrëveshjen pesëmbëdhjetëpikëshe për normalizim marrëdhëniesh, më 19 prill në Bruksel, për të avancuar drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja kryesisht rregullon shqetësimet dhe të ardhmen e bashkësisë serbe në Kosovë.

Marrëveshja garanton që serbët e veriut do ta zgjedhin një komandant lokal të policisë, ndërsa përbërja e policisë në veriun e Kosovës do të jetë në përputhje me strukturën etnike të popullsisë në atë pjesë. Marrëveshja propozon që të ketë më shumë gjyqtarë në veri, nga pakica serbe.

Liderët e serbëve veriorë kundërshtuan marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh, duke e vlerësuar si hapin e parë të Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Javën e kaluar ata i shkruan letër Rusisë, duke kërkuar nga Kremlini për t’i mbështetur kundër marrëveshjes.

Vuçiq tha të dielën se nuk ka ardhur në Kosovë për t’u arsyetuar, por për të folur për të ardhmen dhe mënyrat se si Serbia do të mbështesë serbët e Kosovës.

Ai vuri në dukje se marrëveshja nuk thotë se Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet në veri dhe shtoi se Ushtria e Kosovës nuk do ta shkelë me këmbë veriun.

Sipas tij derisa sistemi kosovar i drejtësisë duhet të zbatohet në veri, Serbia do të vazhdojë ta financojë sistemin e shkollimit dhe shëndetësinë.

Zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja është kushti kryesor për Serbinë që ky shtet në qershor ta marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Në prill Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të Europës që Serbia duhet ta marrë këtë datë.