BE-ja Cakton Personat Që Do Të Themelojnë Asociacionin

Igor Kalamar, Ljubomir Mariq, Dragan Jablanoviq dhe Dejan Radojkoviq do të jenë anëtarët e Ekipit Menaxhues për krijimin e Asociacionit.

Emërimi i tyre, sipas Ashton-it, ka ardhur pas arritjes së konsensusit brenda grupit punues për themelimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa është bërë në përputhje me Planin e Zbatimit të Marrëveshjes së 19 Prillit, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Marrëveshja në fjalë kryesisht rregullon shqetësimet dhe të ardhmen e bashkësisë serbe në Kosovë, por palët vazhdojnë të mos gjejnë gjuhë të përbashkët për zbatimin e disa çështjeve që rregullon ajo.

Marrëveshja garanton që serbët e veriut do ta zgjedhin një komandant lokal të policisë, ndërsa përbërja e policisë në veriun e Kosovës do të jetë në përputhje me strukturën etnike të popullsisë në atë pjesë.
Marrëveshja propozon që të ketë më shumë gjyqtarë në veri, nga pakica serbe.

Që nga fundi i konfliktit në Kosovë, pjesa veriore e vendit ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë në Prishtinë, derisa Serbia ka financuar sistemin e sigurisë, gjyqësisë, shëndetësisë dhe edukimit.

Me marrëveshjen e 19 prillit parashihet mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri nën ombrellën e institucioneve shtetërore të Kosovës, për të zgjedhur liderët “legjitimë” në zonat me shumicë serbe të asaj pjese të vendit.