BBC: Emigrantë shqiptarë të rekrutuar nga bandat e drogës në Mbretërinë e Bashkuar

BBC ka dëgjuar prova që bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore si një terren rekrutimi, duke ofruar pagesën e kalimit të atyre që janë përgatitur për të punuar në industrinë e drogës në Mbretërinë e Bashkuar pas mbërritjes.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e pothuajse 40,000 njerëzve që kanë mbërritur me varka të vogla deri më tani këtë vit, sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët e lartë të policisë dhe emigracionit në të dy anët e Kanalit janë të shqetësuar nga rritja e rolit të ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimeve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka akuzuar Britaninë e Madhe se po i jep të drejtën bashkëqytetarëve të tij për t’i justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.

BBC ka parë sesi qytetet pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës kanë mbetur thuajse bosh dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt bregdetit francez.

Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët pushtuan një pjesë të kampit kryesor të emigrantëve atje.

Dhe hotelet e vegjël përreth stacionit – të tillë si Hotel Bretagne dhe Le Lion d’Or – janë krijuar tashmë poste për emigrantët shqiptarë: dyert e tyre të mbyllura përgjithmonë, pa personel në sy, një numër telefoni 24-orësh i fiksuar në xhami.

Këto janë disa nga vendet ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientët – duke vepruar si një lidhje kritike me kalimet e vogla të varkave të dominuara nga rrjetet irakano-kurde.

“Në Francë ka njerëz që të presin,” më tha një shqiptar, pasi arriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël këtë verë. “Të gjithë në botë e dinë se ku të shkojnë, nëse doni të shkoni në Angli”.

Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirk, ne dallojmë Kevin në dritaren e dhomës së tij të katit të dytë në Le Lion d’Or, teksa pi një cigare. Një e ardhur e re nga Shqipëria, 20 vjeçe, plot energji nervore për udhëtimin në vazhdim.

Pas vetëm disa ditësh këtu, ai tashmë ka gjetur dikë që ta organizojë kalimin e tij dhe pret thirrjen për t’u larguar.

“Moti nuk është i mirë,” thotë ai. “Duhet të presim ndoshta edhe dy ditë të tjera”.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi, arritja në Francën veriore është e lehtë; ata kanë të drejtë të hyjnë në BE si turistë deri në tre muaj pa vizë.

Shumica mbërrijnë me autobus ose veturë, të nxitur nga reklamat në mediat sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais ose Dunkirk.

Duke u prezantuar si një emigrant shqiptar, ne kontaktuam dy kontrabandistë që reklamonin klientë në platformën e ndarjes së videove TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsione për të paguar në Francë ose në Angli, dhe udhëzime për të shkuar në Belgjikë ose Francë, ku një ndërmjetës do të vinte kontakt. Mesazhi i të dyve ishte: “Është e lehtë”.

“Të afrohen ndërmjetësit dhe ti shkon me ofertën më të lirë”, më tha Eraldo Harlicaj, gazetar shqiptar.

Eraldo së fundmi ka pozuar i fshehtë si emigrant për kanalin televiziv shqiptar ABC. Ai tha se shumica e ndërmjetësve shqiptarë qëndruan larg kampit kryesor të emigrantëve në Dunkirk, ku kontrollin e kanë rrjetet kurde dhe të tjera.

“Kur ishim brenda kampit, kuptuam se shqiptarët nuk kishin asnjë pushtet të vërtetë. Gjithçka drejtohej nga kurdët,” më tha Eraldo. “I gjithë organizimi në kamp dhe transportimi i njerëzve drejt Anglisë është bërë nga kurdët”.

Një zyrtar i lartë francez, i fokusuar në këtë fushë, konfirmoi se shqiptarët aktualisht po luajnë rolin e ndërmjetësve, duke i lidhur emigrantët shqiptarë me bandat e kontrabandës irakiako-kurde.

Ai tha se rrjetet kurdo-irakiane i udhëheqin aktualisht 80% të operacioneve me varka të vogla, por se autoritetet franceze janë të shqetësuara për mundësinë që shtetasit shqiptarë t’i krijojnë operacionet e tyre të pavarura, me rrezikun e konfliktit të dhunshëm midis grupeve.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla këtë vit, pothuajse të gjithë të rinj që udhëtojnë vetëm.

Në Shqipëri, disa zona rreth kryeqytetit Tiranë po boshatisen nga njerëzit.

Mundësia ekonomike mbetet shtytësi kryesor prapa vërshimit të shqiptarëve për në Britani të Madhe. Korrupsioni është një problem sistematik, dhe Eurostat tregon nga viti 2018 të ardhurat mesatare të familjeve në Shqipëri (1,997 euro), me ato të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë 10 herë më të larta (21,464 euro).

Djali i Majlindës u nis për në Britani të Madhe një muaj më parë, me tre-katër shokë të lagjes.

Majlinda nuk është emri i saj i vërtetë, ajo ka kërkuar që të mos e zbulojmë identitetin e saj. Ajo më tha se djali i saj arriti në Dunkirk, por më pas pa para në pamundësi për ta paguar kalimin prej aty.

“E kishte shumë të vështirë të hipte në varkë”, më tha ajo. “U detyrova ta përfshija kushëririn tim të dytë, i cili vepronte si garant në Angli. Ai ka një vizë britanike dhe ka qenë atje për 20 vjet.”

Ajo tha se kushëriri i ka dërguar një foto të djalit të saj kontrabandistëve, për ta identifikuar atë.

Kur kalimi përfundoi, kontrabandistët i dërguan një foto të dytë të djalit të saj kushëririt, për t’ia dëshmuar se ai kishte arritur në tokën britanike.

Edhe për ata që nuk kanë para për të paguar paraprakisht, ka mënyra për të kaluar.

Një shqiptar, i cili arriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël disa muaj më parë, na tha se skautët e bandave shqiptare të drogës vepronin brenda kampit të Dunkirk.

Ai ra dakord për një intervistë personalisht në Londër, me kusht që ne të mos e identifikonim në asnjë mënyrë.

Ai na tregoi se rekrutuesit i ishin afruar atij “katër ose pesë herë”.

“Ata më ofruan shumë gjëra – se do të paguanin për udhëtimin tim, se do të kishte një punë për mua [në Mbretërinë e Bashkuar] – por unë nuk isha i interesuar,” tha ai.

Ai vlerëson se shumica e të rinjve që i ka takuar në kampin e Dunkirk planifikonin të punonin në rrjetet shqiptare të kanabisit dhe kokainës në Mbretërinë e Bashkuar.

Asnjë agjenci qeveritare apo zyrtar i imigracionit nuk e ka konfirmuar këtë vlerësim. Por një ish-migrant shqiptar, i cili punonte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar për një dekadë, na tha se gjysma e stafit emigrant në kantierin e tij ishte joshur nga bandat e drogës që ofronin paga më të larta.

Sipas Andrea Wilson, zëvendësdrejtor në Agjencinë Kombëtare të Krimit, tregu i drogës kriminale në Mbretërinë e Bashkuar është një tërheqje/joshje e rëndësishme për njerëzit që do të vijnë.

“Kemi parë raste të trafikimit, raste kur njerëzit janë me borxhe”, më tha ajo. “Ata kanë ardhur për ta shlyer koston e udhëtimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Ata janë viktima të trafikimit – dhe ne e marrim skllavërinë moderne shumë seriozisht.”

Por ka pak strukturë të organizuar për vetë rrjetet e kontrabandës së njerëzve, tha ajo.

“Ndërkohë që te droga apo armët e zjarrit ju shihni një strukturë hierarkike me një udhëheqës në krye, në migrimin e organizuar, ne shohim shoqëri të ngushta, rrjete të lirshme ku individët vihen në kontakt përmes mediave sociale – gjë që e bën atë shumë sfidues”.

Shqipëria ka rënë dakord t’i ripranojë me shpejtësi shtetasit të cilëve u refuzohet e drejta për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka dërguar staf për ta ndihmuar policinë kufitare britanike.

Mirëpo kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më tha se rrjetet që operonin në Francën veriore ishin të natyrës ndërkombëtare dhe se kishte një kufi për atë që qeveria e tij mund të bënte për t’i trajtuar ato.

“Kanali nuk është gjeografikisht dhe politikisht nën përgjegjësinë e qeverisë shqiptare”, tha ai.

“Vendet e origjinës nuk duhet të quhen në momentin që problemi është në gazeta. Është shumë e lehtë të jesh kryeministër britanik dhe të dalësh në TV dhe të tregosh muskujt dhe [ta drejtosh gishtin] tek Shqipëria dhe shqiptarët.”

Rrjetet shqiptare të kontrabandës me njerëz kanë ekzistuar në Francë shumë kohë përpara se të fillonin kalimet me varka të vogla. Për dekada, ndërmjetësit shqiptarë në Francë dhe Belgjikë i fshehën bashkatdhetarët e tyre brenda kamionëve të nisur për në Mbretërinë e Bashkuar.

Investimi masiv i Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në forcimin e sigurisë në portet e trageteve e ka bërë atë rrugë më të vështirë dhe më të shtrenjtë.

Kalimet me varka kushtojnë më pak se gjysma e çmimit të kalimit me një kamion dhe mediat sociale janë plot me dëshmi nga ata që e kalojnë atë. Majlinda ka marroë lajme për djalin e saj që nga ardhja e tij në Britani të Madhe. Ai është jashtë paraburgimit dhe jeton në një hotel.

“Ai u largua për një jetë më të mirë”, tha ajo. “Por ka sakrifica. Ne jemi në borxh tani për t’i kthyer paratë që kemi marrë hua.”

Djali i vogël i Majlindës, 14 vjeç, tashmë po planifikon udhëtimin e tij.

Historia e vëllait të tij, me rrezikun dhe borxhin e tij, është shndërruar nga ujërat e Kanalit në një mundësi joshëse.

Çdo kalim i suksesshëm, është një fije e padukshme që tërheq vëmendjen e shqiptarëve në Shqipëri./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala