Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, Foto: KALLXO.com
Bashkim Ramosaj përballë listës së zyrtarëve komunalë që morën subvencione dhe dërgimit te përmbaruesi nga kompania e motrës
Në debatin për perfomancën në tri vjet mandat në krye të Deçanit, Bashkim Ramosaj nga AAK u përball me hulumtimin e ekipit “Jeta në Komunë”, i cili tregon se si disa zyrtarë komunalë përmes organizatave joqeveritare përfituan subvencione nga vetë Komuna e Deçanit.
Më 27.05.2024, Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit kishte publikuar një listë me përfituesit e subvencioneve për Organizatat e Shoqërisë Civile. Ekipi i “Jeta në Komunë” ka konfirmuar se nga 25 përfituesit, të paktën gjashtë OJQ që përfituan subvencione drejtohen nga zyrtarë të Komunës së Deçanit.
Përfitues nga lista e publikuar janë: Ajne Iberhysaj, Inspektore për Mjedis në Komunën e Deçanit; Bajram Çekaj, Zyrtar për Bujqësi; Zeqë Malaj, Zyrtar për Arsim; Mustafë Ramaj, Zyrtar për Trashëgimi Kulturore; Avni Rexhaj, Zyrtar për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Miftar Januzaj, Zyrtar në Recepsion. Secili nga zyrtarët e kontaktuar nga KALLXO.com kanë thënë që nuk e shohin konflikt interesi që si zyrtarë të komunës të përfitojnë subvencione nga vetë ekzekutivi lokal.
Ajne Iberhysaj nga OJQ ‘Iniciativa për Zhvillim’ ka përfituar 3 mijë euro subvencione nga Komuna e Deçanit për organizimin e “Ditës së gështenjës”.
“Nuk e bëj për përfitime…meqenëse jam, edhe njëherë po e theksoj që jam ideatore, e kam bë një format më ndryshe me piktorë, se dikur Deçani ka pasur një traditë të piktorëve dhe me vazhdu këtë dhe mos me harru, një trashëgimi natyrore që të gërshetohet me trashëgiminë kulturore. Normal që nganjëherë bien ndesh, ta them sinqerisht, po është diçka që jam e para që e kam bë në këtë format dhe nuk e shoh asnjëherë fitimin si diçka, po vetëm vazhdimësinë” – ka thënë Iberhysaj.
Zyrtari për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Deçanit, Avni Rexhaj, kishte aplikuar për subvencione me Klubin e Futbollit Deçani. Ai ka konfirmuar se KF Deçani ka marrë 15 mijë euro subvencione por ka thënë që nuk është më pjesë e klubit.
“O ngom! Unë jam kanë person zyrtar, po tash nuk jam pjesë e klubit a po kupton, a ke të qartë?. Po, unë e kam bë vet kërkesën, mirëpo tash nuk jam pjesë e klubit…Unë nuk ma merr mendja që u bë një konflikt interesi” – ka thënë Rexhaj për ekipin e “Jeta në Komunë”.
Një tjetër zyrtar komunal që përfitoi përmes OJQ-së subvencione në Komunën e Deçanit ishte Zeqë Malaj me Fondacionin “Dhuro edhe ti”. Malaj përfitoi 2 mijë euro subvencione dhe është Zyrtar për Arsim në komunë.
“Ky është fondacion humanitar që i ndihmojmë qytetarët për nevoja të shëndetësisë, sëmundjeve, nevoja humanitare, ushqimore, qashtu qe… Vallain jo, s’e kom pa konflikt interesi, kam aplikuar, i kam marrë edhe ne kemi shumë aktivitete në komunën e Deçanit…” – ka deklaruar ai.
Zeqë Malaj aktualisht është pjesë e KF Deçanit. Ai ka konfirmuar se menaxhon edhe me 15 mijë euro që klubi i futbollit i mori subvencione nga Komuna e Deçanit.
“Po, po menaxhohen na derisa të zgjidhet bordi, se patën dhanë dorëheqje me kryesi, me kryetar i klubit me të gjitha, patën dhënë dorëheqje. Mua nuk m’i kanë qitë ata, personalisht nëse kisha marrë unë një donacion, personalisht prej komunës ma merr menja që është konflikt interesi” – tha ai.
Zyrtari tjetër që përfitoi nga komuna është Bajram Çekaj nga Grupi Lokal i Veprimit ‘Gjeravica’ i cili ishte Zyrtar për Bujqësi në komunë. Ai ka konfirmuar që kishte përfituar 2 mijë euro subvencione por tha se do t’i kthej për shkak se nuk i mjaftojnë për aktivitetet e parapara.
“I kam kërkuar diku 5 mijë euro, 4 mijë e 500 a 5 mijë euro, më kanë thënë veç qeto i kemi. Ju kam thënë s’muj me i realizu, se nuk muj me i kry shërbimet çka nevojiten. Nuk me kanë jep më shumë” – ka deklaruar ai.
“Unë nuk mendoj që është konflikt interesi, se kjo është diçka që është nga trashëgimia kulturore, nuk e kam parë që është, se unë për qejf ato si mbaj hiç për mos me u bë shuarja e këtij eventi, kësaj tradite…” – ka thënë Çekaj.
Zyrtari i pestë i komunës në Deçan që përfitoi subvencione gjatë vitit 2024 ishte Mustafë Ramaj nga OJQ “Dervish Shaqa”. Ai përfitoi 1 mijë euro. Ramaj ka thënë që nuk e sheh konflikt interesi përfitimin e subvencioneve, ani se është punëtor i Komunës së Deçanit.
“Jo, kjo shoqatë joqeveritare është more zotëri, këtë e merr krejt Kosova jo veç unë… O zotëri unë jam edhe para pensionit edhe dy muaj a tre edhe dal…Ja, në vazhdimësi jo, veç nja dy herë, ma shumë jo, dy herë a tri, a më shumë jo” – ka deklaruar ai.
Miftar Januzaj me OJQ-në “Etno Kastrioti” përfitoi 2 mijë euro subvencione. Januzaj punon në recepsion në Komunën e Deçanit.
“Kam me muros muzeun, kam me veshë në guri…se ai është muze, nëse kam… du me ia nis se ajo kushton 100 mijë euro. Dëgjo, unë nuk jam kah shoh konflikt interesi, a din pse? Se e kam të regjistruar OJQ-në” – ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Deçanit ka thënë që nuk e di nëse është konflikt interesi kur zyrtarët komunalë përfitojnë subvencione nga vetë komuna.
“Nuk e di a është konflikt interesi dhe nuk besoj. Po ndihem mirë që këta njerëz që i kanë marrë këto subvencione sepse e di çfarë pune bëjnë. Tepër të rëndësishme” – ka thënë Bashkim Ramosaj në “Jeta në Komunë”.
“Është një komision i komunës, ne jashtëtokësorët nuk mundemi me i pru me i fut në komisione as me pru jashtëtokësorë me apliku” – ka përfunduar ai.
Kompania e motrës së kryetarit e dërgon komunën te përmbaruesi
Kompania “Limi Vizion” kishte kryer punë për Komunën e Deçanit në vlerë prej 10 mijë e 424 euro gjatë viteve të kaluara. Por, komuna që drejtohet nga Bashkim Ramosaj nuk kishte arritur që në kohë t’i kryente obligimet financiare ndaj kompanisë. Për këtë, kompania e kishte dërguar komunën te përmbaruesi.
“Limi Vizion” është në pronësi të Herolinda Ramosaj-Malaj, e cila është motra e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Në emisionin ‘Jeta në Komunë’ i pari i komunës së Deçanit e ka konfirmuar se kompania është e familjarëve të tij.
“Pronari i “Limi Vizion” është një djalë që e ka motrën time nuse” – ka thënë Bashkim Ramosaj.
Tutje, Ramosaj ka shpjeguar edhe punët që janë kryer nga kompania pronare e së cilës, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), është motra e tij.
“Nuk është tender që lidhet me komunën, janë tenderë për dy projekte, qoftë projekti i panairit qoftë projekti i “Ditës së gështenjave”, janë kampanje që i bëjnë organizatat që i marrin një pjesë të buxhetit për me i realizu këto” – ka thënë kryetari i Deçanit.
“Ata merren me qëso dokumente, reklama, qëso…” – tha tutje Ramosaj.
I pyetur, pse pikërisht kompania në pronësi të motrës, ai tha se nuk është zgjedhur pse është kompania në pronësi të familjares së tij.
“Nuk e kam këqyr kaq shpejt unë…me bë me këqyrë kështu, na krejt Deçani ilake dalim” – ka deklaruar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Ku e kapi në rrenë Krypometri kryetarin e Deçanit?
Në fushatën zgjedhore të vitit 2021, Bashkim Ramosaj kishte dhënë disa premtime për qytetarët.
E Krypometri gjeti se jo të gjitha prej tyre janë përmbushur.
Në vitin 2021, Ramosaj pati deklaruar se është përgjegjësi morale e ligjore të shkarkojë drejtorët komunalë në rast se u ngritet ndonjë aktakuzë.
“Është edhe obligim moral edhe ligjor që me jep përgjegjësi në këtë rast”- kishte deklaruar Ramosaj.
Dy drejtorë të Komunës së Deçanit kanë aktakuza dhe janë dënuar nga shkalla e parë e gjykatës, por ata nuk janë shkarkuar. Në këtë rast, të akuzuar janë drejtori i Inspeksionit, Halil Tolaj dhe drejtori i Urbanizmit, Ramë Melaj.
“Dy drejtorë (kanë aktakuza). Për të dy drejtorët nuk ka vendim të prerë nga gjykata”- thuhet në përgjigjen e komunës kur u pyet për numrin e drejtorëve me aktakuza.
E kryetari Ramosaj tha se aktakuzat e ngritura ndaj dy drejtorëve të tij nuk kanë të bëjnë me keqpërdorim të buxhetit apo të shkeljes së detyrës zyrtare.
“Drejtorët nashta edhe ishin shkarku në rast se ishte vlerësu se kanë bo ndonjë korrupsion, ndonjë hajni, ndonjë keqpërdorim të parasë publike, por këtu tek ne është e kundërta dhe kjo procedurë duhet të shkojë deri në fund si pasojë e prezumimit të pafajësisë së tyre kur të vendosë shkalla e fundit e gjykatës. Bëhet fjalë për dy aktakuza të cilat nuk kanë të bëjnë me shpërdorim të mjeteve buxhetore” – tha Ramosaj.
Ramosaj në vitin 2021 ishte zotuar edhe për ndërtimin e dy çerdheve publike në Deçan.
“Nuk jam i sigurtë me e thanë me numër mirëpo dy çerdhe shtesë publike do të jenë”- kishte thënë Ramosaj.
Ndërkaq, Krypometri gjeti se në Deçan për tri vite të qeverisjes së tij, është ndërtuar vetëm një çerdhe me partneritet publiko-privat. Këtë e konfirmoi edhe ekzekutivi lokal në Deçan.
“Një çerdhe publiko-private është ndërtuar. Dy çerdhe janë aktive me 115 fëmijë. Një çerdhe është në proces të ndërtimit dhe ka përfunduar faza e parë, për dy çerdhe pritet që të hapet procesi i tenderimit deri në gjysmën e vitit të ardhshëm dhe dy çerdhe do të jenë adaptim në shkolla ekzistuese” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Deçanit.
Premtim tjetër i kryetarit ishte se qysh në muajin shkurt të vitit 2022 do ta publikojë listën e uzurpatorëve.
Krypometri e vlerësoi “Rrenë” këtë premtim të Ramosajt pasi lista e uzurpatorëve ende nuk është publikuar në faqen e komunës.
“Jemi në procedurë gjyqësore me tre uzurpatorë që kanë qenë të një pronë pak më të madhe dhe njëri prej tyre tash e ka kryer procesin e marrjes në shfrytëzim të asaj pjese që është quajtur e uzurpuar…Këta janë evidentë, janë në procedurë gjyqësore edhe t’a shohim se si ka me përfundu kjo procedurë”- u arsyetua Ramosaj.
Kryetari Ramosaj mbajti premtimin për bursat e studentëve. Ai pati premtuar në vitin 2021 nga 50 bursa për studentë çdo vit.
“Në vitin 2021 janë ndarë 66 bursa në vlerë prej 300 euro. Në vitin 2022 janë ndarë 89 bursa në vlerë prej 300 euro. Në vitin 2023 janë ndarë 151 bursa në vlerë prej 400 euro” – ka deklaruar komuna.
Kryetari Ramosaj mbajti premtimin edhe për numrin e grave në krye të drejtorive komunale. Ai kishte premtuar tri dhe të njëjtin numër e ka emëruar si drejtoresha komunale.
Cila ishte cilësia e projekteve të promovuara nga Ramosaj?
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka monitoruar edhe cilësinë e punëve të cilat kryetari Bashkim Ramosaj i promovoi në rrjetet e tij sociale gjatë tri viteve të fundit të mandatit të tij. Në profilin e tij në Facebook, ai i kushtoi kujdes promovimit të punimeve në kanalizimin e fshatit Drenoc që kanë nisur në vitin 2021.
Në mesin e shumë fotografive, Ramosaj në vitin 2021 premtonte se problemi me ujërat e zeza do të zgjidhet shpejt për banorët e këtij j fshati. Por, tri vite më pas, problemi me kanalizimin në këtë fshat, nuk është zgjidhur.
Ekipi i KALLXO.com verifikoi se në fund të këtij fshati, tek rruga që të dërgon nga Deçani në Gjakovë, kanalizmi nuk është rregulluar dhe ishte duke u derdhur mbi tokë, ndërkaq era e tij kundërmonte gjithandej.
Përveç kësaj edhe banorët e këtij fshati kanë treguar se edhe pjesa e rregulluar nuk është punuar sipas standardeve. Në një pjesë të fshatit Drenoc, gropat të cilat janë hapur për kanalizim nuk janë mbyllur ende.
“Kjo është e dyta herë që punohet në kanalizim sepse ky ka qenë i ndërtuar para 5-6 viteve me të meta shumë të mëdha. Po ka mbetur më keq se që ka qenë. Ka ra një kingj në shaktë, por ka mujtë me qenë edhe më keq” – ka thënë Halil Dukaj, banor i fshatit.
Një projekt tjetër i promovuar në Facebook nga kryetari i Deçanit ishte shëtitorja në hyrje të Grykës së Deçanit. Projekti i promovuar në Facebook kishte edhe shtigje të biçikletave por në terren ato nuk janë parë.
Ramosaj po ashtu promovoi rrugë të asfaltuara nëpër fshatrat e Deçanit. Por, hulumtimi i “Jeta në Komunë” evidentoi që rrugët nuk kishin shënjëzime, sinjalistikë e shenja të komunikacionit.
“Shyqyr rrugët janë ba, sinjalistika edhe vendoset, nuk shkon shumë gjatë” – ka thënë Ramosaj.
Ai ka folur edhe për kanalizimin në fshatin Drenoc.
“Kanalizimin e kemi pas problem edhe më herët në prokurim derisa u lidhë kontrata, ka fillu këtë vit dhe tash kemi një telashe për vendosjen e një trafo të rrymës” – ka thënë ai.
Vlerësimi në Raportin e Perfomancës – “Krejt është problemi te raportimi”
Në bazë të të dhënave të Raportit të Performancës së Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Deçani del të jetë komuna e katërt në fushën e barazisë në punësim dhe shërbimeve sociale, në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publik është radhitur në vendin e 29-të.
Kjo komunë në fushën e transportit publik është radhitur në vendin e nëntë e në mbrojtje të mjedisit është komuna e 21-të në Kosovë kurse në kujdesin primar shëndetësor është radhitur e treta në mesin e komunave të Kosovës.
Ndërkaq tek fusha e aktiviteteve të kulturës, rinisë dhe sportit të organizuara me buxhet komunal, Decani është vlerësuar nga MAPL me zero pikë.
“Nuk kemi raportu me kohë”- u arsyetua kryetari Ramosaj.
“Krejt është problemi i raportimit. Nëse ti e ke një datë të caktuar dhe e ke një orë të caktuar edhe nuk e ke raportu, nuk merret si e mirëqenë”- vazhdoi tutje Ramosaj.