Bashkëpunimi vështirë i arritshëm mes shumicës parlamentare dhe opozitës

Partitë opozitare parlamentare në Kosovë nuk po arrijnë që të kenë një koordinim me shumicën parlamentare – Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për të çuar përpara nismat e tyre që po iniciohen në seancat e Kuvendit. 

Javën e kaluar, dy rezoluta të propozuara dhe harmonizuara nga subjektet politike opozitare nuk arritën të miratohen nga legjislativi.

Njëra ishte propozuar pas debatit parlamentar të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në lidhje me arsimin në Kosovë në situatë të pandemisë. Kurse tjetra kishte të bënte me faljen e gjobave të bizneseve që u shqiptuan gjatë pandemisë, e cila ishte propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). 

Në lidhje me këto zhvillime, deputeti nga radhët e PDK-së [partia më e madhe opozitare], Bedri Hamza ka thënë për KALLXO.com se për tema në dobi të qytetarëve janë të gatshëm të bashkëpunojnë me partinë në pushtet. 

“Po besoj që janë tema aktuale, janë tema të rëndësishme. Për tema të tilla dhe në dobi të qytetarëve, të vendit është mirë me ekzistu një bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës. Gjithmonë si propozues të temave të caktuara jemi të hapur të pranojmë edhe mendime të tjera, plotësime dhe ide më të avancuara. Fatkeqësisht ka pasur debate, mirëpo realisht nuk ka pasur një përkrahje prej shumicës, kështu që  ato nuk kanë kaluar dhe mbetet pastaj të vlerësohen”, tha ai.

Hamza vlerëson se do të ishte jashtëzakonisht pozitive që në tema të rëndësishme të ketë bashkëpunim dhe unifikim.

“Ne jemi për të dhënë kritika, me ngritë tema dhe mbi të gjitha alternativa. Edhe unë e përkrah shumicën kur është në interes, ndërsa si vepron shumica unë nuk mund të paragjykoj, është në autoritetin e tyre”, theksoi deputeti për KALLXO.com.

Kurse, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë për KALLXO.com se opozita nuk po ofron fakte të qëndrueshme. 

“Ata po ftojnë edhe ministra në interpelanca, por jo me fakte të qëndrueshme  dhe nisma të cilat ne nuk mund t’i mbështesim pikërisht sepse ne jemi zotuar, kjo qeveri edhe pse unë në këtë rast jam deputete, ne jemi mazhorancë, që do të bëjmë gjithë angazhimin për sundim të ligjit në vend, për një drejtësi sociale”, tha ajo.

Mulhaxha-Kollçaku shtoi se është e nevojshme që opozita të jetë aktive. 

“Është shumë e nevojshme që opozita të jetë aktive dhe të paraqesë vërejtjet, sugjerimet, sepse puna besoj e institucioneve do të jetë edhe më kualitative nëse kemi në rend të parë një opozitë konstruktive. Ajo çfarë pritet nga opozita është të adresojë kritikë të qëndrueshme”, theksoi ajo.

Deputetja ka shtuar se për të është shqetësuese situata gjatë seancave në sallën e Kuvendit, kur sipas saj deputetët opozitarë po pengojnë fjalimet e tyre. 

“Ajo çfarë mua si deputete më pengon konkretisht më së shumti janë komentet e pafundme gjatë çdo fjalimi qoftë kur e merr fjalën ministri, qoftë ndonjë deputet i pozitës. Unë jam gati ndonjëherë që ta ndërroj vendin, për shkak të disa deputetëve anash që gjatë gjithë kohë lëshojnë fjalë sikur ata nxënësit e pasjellshëm”, tha ajo.

Sipas deputetes së LVV-së, në komisione parlamentare bëhet një punë më e mirë dhe më konstruktive.

“Ne duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët aty kur është diçka shumë e rëndësishme, qoftë për ligje, për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me shtetin tonë. Është e pritshme që opozita të ketë qëndrime të kundërta, të mos pajtohet me çdo gjë, por ajo çfarë pres është një kritikë e qëndrueshme, mirëpo jo kritikë siç u pa deri tani veç sa për të kritikuar e për të mos thënë asgjë”, përfundoi deputetja. 

Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë të ditur për KALLXO.com aktivitetet legjislative të partive opozitare. 

Haxhiu ka theksuar se që nga fillimi i legjislaturës VIII të Kuvendit, deputetët e opozitës gjegjësisht atë të grupit parlamentar të PDK-së kanë iniciuar një nismë ligjore,  Projektligjin për plotësim – ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. 

“Kjo nismë është proceduar në Qeveri për mendim dhe pas marrjes së mendimit nga Qeveria, pra pas kalimit të afatit një mujor, ajo do të vendoset në procedurë për shqyrtim në Kuvend”, ka thënë ajo. 

Sa i përket seancave, Haxhiu ka shtuar se deri tani që nga fillimi i punës së kësaj legjislature nuk ka pasur iniciativë nga opozita që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndonjë çështje, por i kanë shfrytëzuar punimet e rregullta plenare për të shqyrtuar pikat që i kanë inciuar ata. 

“Në këtë drejtim, deri tani opozita ka iniciuar tri debate parlamentare dhe dy interpelanca. Debatet janë thirrur nga GP i PDK-së ndërsa interpelancat nga GP i AAK-së dhe deri më tani vetëm njëri nga debatet e thirrur nuk është mbajtur ende dhe kjo me pajtim edhe të propozuesit pritet të mbahet në ditët në vazhdim”, tha ajo.

Haxhiu ka shtuar se sa i takon rezolutave, opozita deri tani ka iniciuar katër rezoluta, por asnjëra prej tyre nuk kanë marrë numrin e nevojshëm të votave që të kalojë, meqë shumica parlamentare ka votuar kundër tyre.

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovë është karakterizuar edhe me tentim për përleshje fizike dhe ofendime mes ministrave dhe deputetëve të opozitës, në maj të këtij viti.