Bashkë Për Garantimin e Zgjedhjeve të Lira

Përfaqësues institucionesh që organizojnë zgjedhjet, sigurojnë ato, ndjekim veprat penale të shkeljeve zgjedhore dhe shqyrtojnë ankesat elektorale të subjekteve politike, nënshkruan memorandum bashkëpunimi të enjten në objektin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

KQZ-ja, Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i patën njerëzit e tyre në këtë aktivitet për të garantuar proces të drejtë dhe të qetë zgjedhor.

“Do t’i dorëzojmë KQZ-së të gjitha informatat për personat e duhur dhe të akuzuar nga prokuroria e shtetit lidhur me procesin e zgjedhjeve “ tha Isuf Meizini, zëvendës i kryeprokurorit të shtetit.

Edhe Enver Peci kryesues i  Këshillit  Gjyqësor të Kosovës tha se janë mobilizuar.

“Organet e rendit dhe ligjit janë të mobilizuara dhe do të dërgohet një mesazh i qartë se do të jemi shumë rigorozë në kuptimin e zbatimit të ligjit në këto zgjedhje” tha Enver Peci.

Drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, tha se në veri do të bashkëpunohet me ndërkombëtarët rreth zgjedhjeve.

“Në pjesën veriore fokusi i ynë do të jetë avancimi i bashkëpunimit dhe koordinimit edhe me partnerët ndërkombëtarë siç janë EULEX dhe KFOR-i “, tha Maxhuni.

Valdete Daka nga KQZ-ja tha se beson te bashkëpunimi ndërinstitucional i precizuar me memorandum.

 “Praktikat që i kemi pasë në zgjedhjet lokale kanë tregu [memorandumin e bashkëpunimit] si një prej lëvizjeve më të sukseshme që është ndërmarrë  sa i përket organizimit të zgjedhjeve dhe shpresoj  që edhe kësaj here ky bashkëpunim do të sjellë  si rezultat zgjedhje fer, demokratike dhe të lira”,  tha Daka.

Edhe Shukri Sylejmani nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përmendi bashkëpunimin mes institucionesh në zgjedhjet e 2013-ës.

“ Edhe për këto zgjedhje ne si institucione kemi nënshkruar një memorandum, me qëllim që të ngrejmë në shkallë më të lartë në nivelin e bashkëpunimit dhe koordinimit të këtyre institucioneve që… të ndalen shkeljet dhe parregullsitë që mund të na ndodhin gjatë këtyre zgjedhjeve”

Një memorandum bashkëpunimi mes këtyre institucioneve ishte nënshkruar edhe vitin e kaluar.