Banorët e fshatit Sllatinë e Madhe, në pritje të gjatë për zgjerimin e rrugës dhe trotuareve

Banorët e fshatit Sllatinë e Madhe, rruga “Gurët e Gjatë”, në Komunën e Fushë Kosovës, po vazhdojnë të shprehin kërkesën e tyre për rreth dy vite me radhë për t`u zgjeruar rruga dhe të shtrohet trotuari në këtë pjesë të fshatit.

Me rreth 177 nënshkrime, banorët e kësaj lagje kishin bërë peticion të cilin e kanë dorëzuar në Komunën e Fushë Kosovës, në tetor të vitit të 2020 me kërkesën për rregullimin e rrugës.

Mirëpo, përkundër premtimit të Komunës së Fushë Kosovës, se kjo rrugë do të rregullohet “shumë shpejtë”, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Raportuesi i KALLXO.com i cili është banori i kësaj lagje Qëndrim Hykaj, ka thënë për KALLXO.com se disa herë banorët kanë dërguar kërkesa në Komunë të rregullohet rruga. Mirëpo sipas tij kjo ende nuk ka ndodh.

“Është hera e disatë që ne si banorë kërkojmë nga Komuna ta rregullojë rrugën “Gurët e Gjatë, Fushe Kosove, Sllatine e Madhe”, tha ai.

Hykaj ka shtuar se përkundër premtimeve të Komunës ende nuk është bërë rregullimi i rrugës i cili po u shkakton shumë vështirësi.

“Vështirësitë më të mëdha janë për fëmijët të cilën nuk kanë hapësirë të lëvizin në këtë rrugë për në shkollë dhe mundet me ndodhë ndonjë aksident. Po ashtu veturat nuk mund të lëvizin në të njëjtën kohë me kahje të kundërt. kjo lagje ka 64 shtëpi dhe përafërsisht 250 banorë, 168 prej tyre veç kanë nënshkruar peticion”, tha ai.

KALLXO.com këtë temë e ka trajtuar më maj të vitit të kaluar.

Ali Topalli, zëdhënës në Komunën e Fushë Kosovës, kishte thënë për KALLXO.com se për zgjerimin e rrugës, komuna veç se ka marr një vendim në prill të këtij viti për zgjerim.

“Ne veç e kemi marr vendimin më 28.04.2021, dhe rruga për këta qytetarë do të zgjerohet”, tha Topalli duke treguar se asfaltimet pritet të fillojnë shumë shpejtë në gjithë komunën e Fushë Kosovës.

KALLXO.com, gjatë ditës së sotme më 27 janar ka kontaktuar Komunën e Fushë Kosovës, për të pyetur se a është zbatuar vendimi i komunës i lëshuar në prill të vitit 2021.

Topalli tha për KALLXO.com, se për këtë rrugë të fshatit, projektin e kanë të gatshëm dhe se pritet që në fillim të këtij viti të fillojnë procedurat e prokurimit.

Ai tha se në përgjigjet të cilat i ka siguruar nga Drejtoria e Planifikimit Urban thuhet se gjatë vitit 2021, në rrugën “Gurët e Gjatë”, ka pasur ndërhyrje në pjesët ku rruga ka qenë e dëmtuar.

“Gjatë vitit 2021 kemi intervenuar në këtë rrugë ku janë kryer ndërhyrje ndërsa tani është përgatit projekti, është i gatshëm dhe pritet që shumë shpejt të shpallet”, tha Topalli.

KALLXO.com, problemet e kësaj rruge i ka trajtuar edhe gjatë vitit të kaluar.

Banorët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre deri në realizimin e kërkesës së tyre të shprehur përmes peticionit.