Bandat e drogës në Britani rekrutojnë njerëz në Veriun e Shqipërisë

Bandat shqiptare të krimit kanë ardhur për të dominuar tregun e kokainës në Britani, duke u mbështetur në emigrantë të paligjshëm nga veriu i largët dhe malor i vendit, ku varfëria është shumë e përhapur.

 

I liruar së fundmi nga në një burg britanik, Kadri Dema ka filluar të kultivojë arra në një parcelë të vogël toke që është në pronësi të familjes së tij në fshatin Patin, në juglindje të kryeqytetit shqiptar, Tirana.

Rajoni i largët malor dhe shtëpia e vogël e bardhë e familjes së tij janë shumë larg nga klubet e natës në skelë dhe bregdet në Brighton, qyteti turistik bregdetar një orë larg nga Londra ku Dema u arrestua në qershor 2016 dhe u dënua vitin pasues së bashku me tetë shqiptarë të tjerë, duke përfshirë edhe vëllain e tij Izmir, për “komplot për të furnizuar kokainën”.

26-vjeçari Dema është një nga pak më shumë se 6,200 shtetas shqiptarë të deportuar nga Britania në mes të prillit 2015 dhe prillit 2019, që përbën numrin më të madh të ndonjë shteti.

Numri më i madh i tyre besohet të jenë nga tri pre 12 bashkive të Shqipërisë – Shkodër, Kukës, dhe Dibër, ku edhe gjendet Patini.

Duke folur në prillin e vitit të kaluar, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, tha “60 deri në 70 për qind” e 726 të burgosurve shqiptarë në atë kohë në Britani ishin nga këto tri bashki veriore.

Duke qenë në varfëri të skajshme, rajoni është bërë një teren i përshtatshëm rekrutimi për bandat e krimit shqiptar që tani dominojnë tregun e kokainës në Britani.

“Ata u larguan si të gjithë të tjerët”, tha Kujtimja, nëna e Demajt, për djemtë e saj. “U thanë se kishte punë dhe ata paguan për të shkuar atje,” tha ajo për BIRN. Tetë nga nëntë të dënuar në rastin e Demaj ishin në mënyrë të paligjshme në Britani të Madhe, njoftoi BBC.

Grupi vogël me ndikim të madh

Grafika: BIRN

Autoritetet britanike vazhdojnë të jenë të shqetësuar për rolin që luajnë bandat e krimit shqiptar në tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe.

Në qershor të vitit 2017, raporti vjetor i Agjencisë Kombëtare të Krimit identifikoi bandat shqiptare si ushtrues të “kontrollit të konsiderueshëm” mbi trafikimin e drogës në vend.

“Është një grup i vogël (në numër), por i madh në ndikim”, tha zëvendës-drejtori i Agjencisë, Matthew Horne, për BBC.

Raporti i vitit 2017 tregoi se kriminelët nga Ballkani po krijonin “marrëdhënie të drejtpërdrejta” me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine.

Në vitin 2017, kanë qenë  726 shqiptarë në burgjet britanike, krahasuar me 154 në 2010.

Kontaktet janë thelbësore për të gjetur të rinj të tjerë shqiptarë për të punuar ilegalisht në Britaninë e Madhe.

“I pari që u largua ishte Mevlan Dema; ai është pjesë e fisit tonë “, tha Kujtimja. “Bijtë e mi më thanë se siguronin punë në një auto-larje atje. Sikurse të gjithë të tjerët, bijtë e mi paguan dhe u shkuan, unë nuk e di se si”.

Mevlan Dema u arrestua së bashku me Izmir-in dhe Kadri Demën në vitin 2016, si udhëheqës i akuzuar i bandës së drogës.

Mevlani ishte 34 vjeçar në atë kohë, por shumica e bandës ishin në të njëzetat e tyre. Në një emision televiziv të transmetuar nga ITV britanik  duke parë punën e policisë së Brighton, banda u përshkrua si potencialisht “kontrolluese e furnizimit të drogës” në qytet; disa anëtarë, u tha aty, shfaqën “potencial për një nivel të vërtetë të rëndësishëm të dhunës”.

Pëllumb Nako, ish-drejtor i departamentit të kufirit dhe migrimit në Policinë e Shtetit Shqiptar, tha për BIRN: “Britania e Madhe mbetet një destinacion për rininë shqiptare në veri [të Shqipërisë], pasi ata kanë lidhjet e tyre atje, ata kanë njerëz atje”.

“Është pikërisht kjo diasporë që ofron përkrahje për këta shtetas” për t’u futur në Britani, tha ai.

Burime të policisë në Shqipëri thonë se shqiptarët paguajnë deri në 10,000 funta për t’u kontrabanduar në Britani.

Zyrtarë të lartë të policisë, që folën në kushte anonimiteti, thanë që këto banda kriminale shpesh i kanë për synim të rinjtë shqiptarë për t’i rekrutuar sepse gjasat janë më të mëdha që nëse kapen, gjykatat do të jenë më të buta.

“Grupet kriminale zakonisht përdorin të rinjtë, të cilët marrin rrezikun për shkak të masave më të lehta ndëshkuese”, tha një zyrtar.

‘Ai u largua sapo u kthye’

Foto: BIRN

Kadri dhe Izmir Dema ishin dënuar me 3.5 vite burg, sipas burimeve të mediave.

Nën skemën britanike të ‘largimit të hershëm’, shtetasit e huaj dërgohen në shtëpi deri në nëntë muaj para se të jenë në gjysmë të përfundimit të dënimit me burg.

Nëse të burgosurit bien dakord të largohen vullnetarisht, ata mund të marrin deri në 1.500 funta nga qeveria e Britanisë së Madhe.

Nuk dihet sigurt nëse vëllezërit u kthyen sipas skemës, por kjo duket e mundshme duke marrë parasysh periudhën kohore.

Fotot e ngarkuara në profilet e Facebook-ut (tashmë të fshirë) në emrat e tyre i shfaqin vëllezërit në Tiranë dhe Patin në gjysmën e dytë të vitit 2017, në kohën kur ata do të ishin akoma duke kryer dënimin nëse do t’i kishin shkuar deri në fund.

Kadriu nuk pranoi të fliste për BIRN. Kujtimja tha se Izmiri ishte kthyer në Britani.

“Ai është në Angli; u largua sapo u kthye”, tha ajo për BIRN. “Ai thotë që është mirë dhe ne flasim kohë pas kohe në Skype”.

‘Të braktisur dhe të varfër’

Grafika: BIRN

Qyteti më i afërt i Patinit, Klosi, është pak përtej rrugës së ndërtuar nën Mbretin Zog I, qeverisja 11 vjeçare e të cilit përfundoi me pushtimin italian në 1939, para se diktatori komunist Enver Hoxha ta kthejë Shqipërinë në një shtet stalinist pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendorët ankohen me hidhërim për ndriçimin rrugor dhe furnizimin me ujë. Shumica e banorëve janë të moshuar që mbijetojnë me paratë e dërguara nga fëmijët që kanë emigruar.

“Qoftë për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, ose mungesës së ujit të pijshëm dhe ujitjes, ky rajon është braktisur dhe varfëruar”, tha Basir Çupa, Kryetar i Bashkisë së Klosit.

Përveç skemës së ‘largimit të hershëm’, qeveritë britanike dhe shqiptare nënshkruan një marrëveshje në vitin 2013 sipas të cilës të burgosurit shqiptarë në burgjet britanike mund të riatdhesohen për të shërbyer pjesën tjetër të dënimit në atdheun e tyre.

Por zbatimi i saj ka qenë i ulët. Shifrat më të fundit nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se vetëm 24 të burgosur shqiptarë janë transferuar sipas marrëveshjes.

Ambasadori britanik, Norman, tha se mënyra se si dënimet ishin ‘konvertuar’ nga një sistem juridik në një tjetër, nënkuptonin që disa të burgosur mund të përballeshin me qëndrime më të gjata përtej grilave.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me qeverinë shqiptare për të ndryshuar marrëveshjen dhe për t’i dhënë fund asaj që shumë të burgosur e shohin si një praktikë të padrejtë”, tha Norman për BIRN.

Thirrje për sekuestrim të pasurisë

Ambasadori ka qenë i zëshëm në lidhje me shqetësimet e Britanisë për rritjen e bandave të krimit shqiptar në tokën britanike, duke thënë në tetor 2017 se qeveritë kanë diskutuar konfiskimin e aseteve të investuara në Shqipëri. “Duhet të ketë bashkëpunim të mirë me autoritetet shqiptare”, tha ai në atë kohë.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it.

Bashkimi Evropian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, ka qenë kritik në të kaluarën ndaj asaj që është perceptuar si dështim nga Shqipëria për të ndjekur pasuritë e grupeve të krimit të organizuar dhe një shqetësim që po kapen vetëm peshqit e vegjël, por jo edhe shefat.

Fabian Zhilla, ligjërues i drejtësisë dhe etikës në Institutin Kanadez të Teknologjisë në Tiranë dhe ekspert mbi krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka thënë që fakti se bandat e tilla po i synojnë të rinjtë e pakënaqur, paraqet një kërcënim për vendin.

“Shumë prej tyre nuk njihen si kriminelë në Shqipëri,” tha ai për BIRN, “por më tepër si emigrantë që sjellin para dhe investojnë”.