Bahtiri në Kërkim të 15 Mijë Vendeve të Punës (TV)

Erdhi si emër i panjohur më parë në politikën kosovare dhe si post të parë mori karrigen e kryetarit të Mitrovicës. Është ky biznesmeni kosovaro – holandez Agim Bahtiri që u premtoi mitrovicasve 15 mijë vende punë dhe një fabrikë të kërpudhave me financim japonez.

Fabrika e kërpudhave ende nuk ka nisur dhe si duket as që do të ndërtohet në Mitrovicë.

Kjo fabrikë fillimisht ishte paraparë që të ndërtohej  në Zhabar të Mitrovicës, mirëpo marrëveshja mes pronarëve të tokave dhe komunës ka dështuar, meqë pronarët nuk pranuan çmimin shpronësues.

Një parcelë për ndërtimin e kësaj fabrike e ka ndarë në pronat e tij në Lebanë të Prishtinës miliarderi Behgjet Pacolli kryetar i AKR-së, parti përmes së cilës hyri në politikë Bahtiri.

Sipas Agim Bahtirit ndërtimi i fabrikës do të fillojë në fund të majit dhe punëtorët që do të punësohen këtu do të jenë të Komunës së Mitrovicës, për transportin e të cilëve Bahtiri planifikon të angazhojë dy autobusë.

 Në përgjithësi ai i vlerëson të sukseseshëm muajt e parë të qeverisjes së tij.

“Premtimet kryesore të miat, të cilat janë realizuar kanë qenë dy, gjatë këtij 100 ditëshit, Ligji i ri mbi “Trepçën” dhe Zona e lirë Ekonomike”, thotë Agim Bahtiri.

Ndonëse këto dy çështje janë kompetencë qendrore, Bahtiri thotë se ai ka ndikuar për arritjen e tyre duke bërë presion në qeveri, mes tjerash edhe përmes letrave.

Sipas Halil Qelës ish-ushtrues detyre i drejtorit të “Trepçës”, Ligji për “Trepçën” parasheh punësim për qytetarët e komunës së lirë ekonomike si dhe përfitim nga pagesa e taksave që do t’i bëhen Komunës së Mitrovicës nga Ndërmarrja “Trepça”.

Ndërsa zonat e lira ekonomike sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndikojnë  në përmirësimin e ambientit për të gjithë investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.

 Udhëzimi administrativ për zonat e lira ekonomike parasheh që mallrat që shërbejnë si inpute për bizneset që veprojnë në zonat e lira ekonomike, nuk paguajnë pagesën e detyrimeve të importit, pra do të shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ato plasohen në qarkullim të lirë brenda Kosovës, njëjtë sikurse veprohet me depot doganore.

Mallrat që dalin nga zonat e lira ekonomike e që eksportohen/ ri-eksportohen, nuk paguajnë ndonjë ngarkesë të detyrimeve doganore. Gjithashtu, me rastin e importit të mallrave të cilat janë të destinuara për zonat e lira ekonomike të gjitha detyrimet doganore mbulohen me garanci bankare. Bizneset e vendosura në zonat e lira ekonomike janë të liruara nga çdo tarifë doganore për shfrytëzim të sistemit të depos doganore.

Me premtimin e tij për krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës ishte tallur emisioni humoristik “Vikendi” qe krijohet nga një grup artistësh mitrovicas ku banorët e këtij qyteti paraqiten kinse duke u fshehur nga autoritetet komunale të cilat do të mund t’i punësonin me zor, edhe nëse ata tashmë kanë një punë.

Por Bahtiri thotë se nuk e ka harruar premtimin e tij.

“Unë mund të them se kemi punësuar afër 300 persona dhe po shpresojmë në të ardhmen me ngritjen e kompanive, të cilat do të vihen në punë, ai premtimi i dhënë për zhvillimin ekonomik do të realizohet”, thotë ai.

Sipas Bahtirit këta 300 persona janë punësuar nëpër kompani të ndryshme private, të cilat komuna i ka ftuar dhe i ka lutur që të punësojnë njerëz shtesë.

Por ai nuk tregon se cilat janë ato firma që kanë punësuar njerëz.

Faruk Mujka nga Lëvizja Vetëvendosje,  thotë se premtimet për punësime kanë ngecur.

“Nuk ka lëvizje në lidhje me punësimet”, thotë Mujka.

Mujka më tutje shton, se Bahtiri ka dhënë premtime të pamenduara mirë dhe se kjo mund të çojë në një humbje të besimit të qytetarëve.

Mendim të ngjashëm ka edhe Rasim Veseli nga PDK-ja.

“Premtimet kanë qenë megallomane, pa kurrfarë mbulese”, thotë Veseli.

Nexhmedin Spahiu, ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës në dy zgjedhjet e fundit lokale së pari si përfaqësues i AKR-së e pastaj si përfaqësues i të pavarurve, ndërsa tash në cilësinë e drejtorit të televizionit RTV “Mitrovica”, thotë se as qeverisja e kaluar dhe as kjo e tashmja nuk kanë bërë asgjë për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Atë që e ka filluar PDK-ja, po e vazhdon me të njëjtin ritëm dhe pandërprere”, thotë Spahiu.

Bahtiri gjithashtu gjatë zgjedhjeve kishte premtuar se në mesin e të punësuarve, do të ketë ekspert të të gjitha fushave.

“Kemi diçka edhe nga ekspertët”,  thotë tash Bahtiri.

Faruk Mujka, i Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë se Agim Bahtiri ka ngecur mbrapa me të gjitha premtimet që i ka dhënë.

“Ne edhe gjatë fushatë elektorale, e edhe mbas zgjedhjes së tij, nuk kemi parë ndonjë plan konkret të qeverisjes së Agim Bahtirit”, thotë Mujka.

Kurse PDK-ja që ka udhëhequr Komunën e Mitrovicës për 4 vjet, thotë se  arritjet për të cilat flet Bahtiri janë projekte të qeverisjes së kaluar.

 “Zona e Lirë Ekonomike, ka qenë projekt që ka filluar shumë ma herët, dhe ka qenë thuajse i përfunduar si projekt, si dhe projekti i legjislaturës, me të cilën këta mburren e ai projekt ka qenë projekt i legjislaturës së kaluar”, thotë Rasim Veseli i PDK-së.

Ndërtimi i Mbikalimit dhe rrënimi i sheshit të Mitrovicës

Agim  Bahtiri në fillim të qeverisjes së tij ka marrë votat në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, për rrënimin e sheshit të vetëm në qytetin e Mitrovicës, mbi të cilin do të bëhet një mbikalim me shitore dhe restorante, ndërsa përfundi tij do të jetë rrugë automjetesh.

“Nuk do të bëj një mbikalim normal, por do të jetë një mbikalim të cilin e ka edhe Holanda dhe do ta rregulloj atë vend aty”, thotë Bahtiri.

Bahtiri nuk ka prezantuar ndonjë model se si do të duket ky mbikalim.

Edhe Rasim Veseli, i cili ndonëse ka votuar pro këtij plani, thotë se nuk ka shumë informata rreth tij, sepse siç thotë ai nuk është paraqitur asnjë projekt ideor rreth këtij plani.

 “Unë më tepër shohë se aty është ndonjë projekt i interesit të caktuar sesa një projekt që do të bëjë zhvillimin në Komunë”, thotë Veseli.

Kurse Nexhmedin Spahiu thotë se i vetmi shesh në Mitrovicë po shkatërrohet.

“Në emër të mbikalimit po grabitet sheshi”, thotë Spahiu.

Bashkim Avdiu, qytetari i Komunës së Mitrovicës thotë se po vërehen ndryshimet në këtë komunë prej se ka ardhur në qeverisje Agim Bahtiri, por thotë se ende duhet të bëhet shumë në përmbushje të premtimeve.

“Nuk po shoh ndonjë premtim që është përmbushë, vetëm sa ka filluar tash, të shohim”, tha Avdiu.

Sipas tij nuk është parë përparim as në aspektin e punësimit.

Një qytetar tjetër, thotë se ka filluar të vërehet se Bahtiri do t’i mbajë premtimet.

“Ka filluar nga pak t’i realizojë, si premtimin për punësim dhe të tjerat”, thotë Arben Krasniqi.

Agim Bahtiri në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte fituar vetëm 21. 90 për qind të votave, duke mbetur dukshëm mbrapa Avni Kastratit të PDK-së, i cili kishte marrë 42.60 për qind të votave.

Por në balotazhin e 1 dhjetorit 2013 Bahtiri i AKR-së fitoi 52 për qind të votave të qytetarëve.

AKR-ja në Mitrovicë është në koalicion me LDK-në dhe AAK-në.