Badovci rrezikohet nga ndërtimet, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra

Një njoftim në rrjete sociale i kompanisë ‘KAWA Group’ dhe ‘4M Group’ ka ngritur në këmbë mbi 20 mijë qytetarë për të mbrojtur liqenin e Badovcit.

Qytetarët janë shprehur kundër lagjes së planifikuar buzë liqenit nga dy kompani, në pronën private të Rrahman Haradinit.

Dy kompanitë ‘KAWA Group’ dhe ‘4M Group’ së bashku me pronarin e tokës Rrahman Haradini, kishin nënshkruar me 8 janar një marrëveshje tri-palëshe që të realizonin projektin ndërtimor “Lakeside Gardens” pranë Liqenit të Badovcit.

Përveç krijimit të grupit, qytetarët përmes një peticioni online janë munduar ta transmetojnë te Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shqetësimin e tyre për kualitetin e ujit dhe shkatërrimit të natyrës.

Në letër ata kanë kërkuar që të ndërpritet çdo procedurë për dhënien e pëlqimeve e lejeve për ndërtim në brigjet e liqenit të Badovcit, jo vetëm aplikuesve eventual nga ‘KAWA Group’ dhe ‘4M Group’, por edhe për të gjitha ndërtimet në zona të gjelbra.

“Kërkojmë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të sqarojë nëse ka dhënë leje mjedisore dhe leje ujore e ndërtimi për KAWA Group ose kompani tjera për ndërtim ne brigjet e liqenit të Badovcit. Nga Komuna e Prishtinës kërkojmë që mos të miratojë kushte ndërtimore as leje ndërtimore për asnjë kompani për ndërtim në brigjet e liqenit të Badovcit, ku sipas planit zhvillimor të Prishtinës nuk lejohen ndërtime”, thuhej në peticionin e qytetarëve.

Polemikat e MMPH-së dhe Komunës së Prishtinës

Dy institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e liqenit kanë hedhur topin te njëra-tjetra duke u shfajësuar.

Ndonëse është diskutuar shumë që kompanitë në fjalë ishin pajisur me leje nga organet kompetente, nga kompanitë thuhet ndryshe.

Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com, kompania ‘KAWA Group’ thuhet se nuk kanë leje të ndërtimit dhe se nuk do të fillonin punën pa e poseduar atë.

Sipas kompanisë, projekti në fjalë është vetëm projekt ideor dhe se në të janë paraparë të gjitha rreziqet e mundshme duke mos e dëmtuar liqenin.

“Ne nuk kemi lejen e ndërtimit dhe nuk kemi pasur të fillojmë punën atje, pa lejen e komunës. Postimi prej të cilit është përhapur panik ka qenë i marrëveshjes së brendshme për ndërtimin e kësaj lagje. Asnjëherë s’kemi thënë që kemi Lejen e Ndërtimit. Kjo punë është punë parimesh. Ne asnjëherë nuk kemi punuar pa leje, në asnjë vend dhe në asnjë moment. Projekti përveç që ka projektin ideor, ai është punuar edhe në projektin detaj. Gjithçka është e paraparë, gjithçka. Në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk përkrahim ndotjen e liqenit e as ndotjen e mjedisit kudo qoftë”, thuhej në përgjigjen e kompanisë.

Gjithashtu, për KALLXO.com, përfaqësues të kompanisë kanë treguar se nga komuna e Prishtinës posedojnë kushtet ndërtimore, dokument ky, i cili është lëshuar pas një vendimi të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas investitorëve, ky projekt në asnjë moment nuk planifikon të helmojë ujin e pijshëm për banorët e Prishtinës.

“Projekti ynë nuk planifikon ta helmojë ujin! Projekti ynë planifikon mbjelljen e më shumë se 1000 drunjve të ndryshëm të cilët do të ndihmojnë që të mos vazhdojë erozioni i dheut nga shirat, siç po ndodh tani. Projekti jo që vetëm i përmbush të gjitha kërkesat e organeve kompetente në Komunën e Prishtinës dhe të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, synon që t’i tejkalon ato duke krijuar projektin e parë që do të jetë BREEAM 4 Star, i certifikuar”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se investitorëve në fjalë u janë lëshuar vetëm kushtet ndërtimore dhe jo ndonjë leje tjetër dhe se investitorët nuk kanë aplikuar ende për asnjë leje tjetër.

Më pas, kryetari i Prishtinës, përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se investitorëve u përcaktohet qartë në kushtet ndërtimore se duhet së pari të kenë Pëlqimin dhe Vlerësimin Mjedisor e më pas t’i drejtohen komunës për t’u pajisur me leje të tjera.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, kishte shkruar ai.

Sipas tij, në vitin 2015 Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2 mijë hektarë dhe ka marrë statusin e peizazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. “Një pjesë e peizazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujërave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017 dhe kjo nuk bën të rrezikohet.

Sipas tij, Liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të Republikës së Kosovës dhe se vendimet për mbrojtjen e Liqenit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror.

“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se as kompanitë dhe as pronari i pronës nuk kanë aplikuar në MMPH për asnjë leje.

“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit te mediave lidhur me iniciativën rreth një projekti i cili synon te ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës (Rrahman Hajredini), dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, Nuk ka aplikuar dhe Nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, thuhet në publikimin e ministrit.

Poashtu, Matoshi ka shkruar se sot ministria ka dërguar shkresë te Komuna e Prishtinës që të kërkojë më shumë informacione në lidhje me këtë projekt dhe rrjedhimisht nëse kanë lëshuar leje ose jo.

“Lidhur me këto shqetësime, sot i kemi dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës. Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë cështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, ka përfunduar publikimi i tij.

Përsëri kishte reaguar Komuna e Prishtinës në lidhje me lëshimin e kushteve ndërtimore për investitorët.

Komuna përmes një publikimi kanë deklaruar se lëshimi i kushteve ndërtimore është bërë pasi janë obliguar nga MMPH.

Komuna thotë se kanë refuzuar t’u lëshojë kushtet e ndërtimit kompanive ‘KAWA Group’ dhe ‘4M Group’ por që pas refuzimeve pala është ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e pas kësaj, sipas tyre, Komuna është obliguar të marrë vendim për lëshim të kushteve.

“Komuna e ka refuzuar dy herë vendimin për kushte në dy vite të ndryshme duke u bazuar në vendimin e qeverisë për mbrojtjen e ujërave. Ministria si shkallë e dytë dy herë pas vlerësimeve ligjore i ka dhënë të drejtë palës që në Zonën II nuk është regjimi i rreptë dhe ministria vendos se a janë marrë masat e duhura për mbrojtjen e liqenit”, thuhet në postimin e Komunës në rrjetin social ‘Facebook’.

Duke vazhduar komunikimin përmes Facebook-ut, MMPH kishte lëshuar edhe një reagim rreth akuzave të Komunës së Prishtinës.

MMPH përmes një publikimi ka thënë se asnjëherë nuk e ka obliguar Komunën e Prishtinës të japë kushtet ndërtimore për investitorët dhe të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Në publikim MMPH thotë se ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas katër dokumenteve: Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi, Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse të burimit Ujor përreth Liqenit të Badovcit; Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017- Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje rrënimi për Kategorinë e I dhe te II të ndërtimeve.

Mos-konsultimi i kompanisë menaxhuese

Kompania, e cila e menaxhon liqenin e Badovcit është e painformuar nëse në atë pjesë të Prishtinës planifikohet ndërtimi i një lagjeje në afërsi të liqenit.

Kryeshefi i kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina”, Illir Abdullahu, ka thënë për KALLXO.com se informacionet i ka marrë nga mediat dhe se askush nuk e ka kontaktuar kompaninë menaxhuese, ujësjellësin K.R.U “Prishtina”.

Abdullahu ka treguar se ndërtimet në zonën e parë dhe të dytë të liqenit të Badovcit janë të rrezikshme sepse ndikojnë në kualitetin e ujit me të cilin furnizohet rreth 30% e Prishtinës.

“Në zonën e dytë dhe të tretë duhet të ketë kujdes secili institucion dhe individ i cili fillon planifikon ndërtim ose aktivitet dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë këto zona janë strikte sepse ndikon në kualitetin e ujit. Burimet e ujit, Badovci e Batllava janë burimet tona të ujit, të cilat duhet të ruhen, mirëmbahen dhe mirë-menaxhohen. Çdo investim që planifikohet në zonën e Badovcit ka me paraqitë vështirësi në furnizimin me ujë, duhet të kujdesemi shumë për të gjitha planifikimet dhe paraprakisht për çdo gjë duhet të konsultohet edhe ujësjellësi që në të ardhmen të mos ketë vështirësi të shpërndarjes së ujit të pijshëm”, ka thënë Abdullahu.

Ndër të tjera Abdullahu ka thënë se lagjja e planifikuar të ndërtohet është pjesë periferike dhe nuk ka asnjë mundësi të furnizimit me ujë dhe ndërtimit të kanalizimit.

“Lagjja nuk ka bërë kurrfarë kërkese dhe nuk ka kurrfarë mundësi të furnizimit të asaj lagjeje me ujë, larg janë mundësitë edhe për ujësjellës edhe për kanalizim, nuk ka mundësi. Ajo është një zonë periferike dhe asnjëherë nuk kemi pasur asnjë ide që mund të ketë në atë pjesë ndërtime. Ata nuk kanë ardhur asnjëherë dhe edhe po të vinin, ne nuk do të jepnim asnjë aprovim, jo vetëm për këta investitor, por të gjithë sepse duhet t’i mbrojmë resurset sepse e kemi edhe përgjegjësi ligjore”, shton më tej ai.

Ai ka treguar se kjo kompani si menaxhuese e liqenit të Badovcit do të punojnë që të rrethojnë zonën e parë prej dhjetë metrash në mënyrë që të kos kenë qasje qytetarët sepse larja dhe aktivitetet e peshkimit liqeni i merr me vete nga ku shkaktohet edhe ndotja e ujit në masë të madhe.

Investitorët, rreth sistemit të kanalizimit kanë thënë se tashmë kjo është menduar dhe asnjëherë nuk do të ndotet liqeni nga ujërat e zeza të patrajtuara.

 “Funksioni i sistemit të kanalizimit është shumë i qartë. Ky sistem do të jetë i ndarë në sistemin e ujërave të zeza dhe ujërave atmosferikë, pra dy sisteme të ndara. Kjo zgjedhje është bërë pasi do të ndërtohet impianti për pastrimin e ujërave të zeza. Impianti do të jetë i ndërtuar në fund të lagjes dhe do të pastrojë ujërat e zeza, duke i përdorur më pas në mirëmbajtje të lagjes, që mblidhet në rezervuar. Pra, këtu nuk k asgjë shqetësuese”, thuhet në përgjigjen e ‘KAWA Group’.

Me ndërtim të lagjes, Prishtina do të ketë rrezik të ujit të pijshëm…

Eksperti i ujërave, Avdi Gjonbalaj, në një intervistë për KALLXO.com tregon se në zonën e liqenit të Badovcit nuk duhet të lejohen ndërtimet, përderisa nuk ka ‘Plan të Mbrojtjes Sanitare’.

Gjonbalaj thotë se këtë plan nuk e ka bërë asnjë ndërmarrje në Kosovë dhe se prurjet e vogla të ujit janë të lidhura drejtpërsëdrejti me cilësinë e ujit.

“Ju po e shihni se ku ka ra niveli i ujit dhe zona sanitare praktikisht është e pambrojtur dhe përderisa në Udhëzim Administrativ thuhet që duhet të jetë e rrethuar zona e parë, e në zonën e dytë janë ndalesat, e po ashtu edhe në të tretën ka ndalesa. Komuna e ka pasur për detyrë që ta bëjë edhe Planin Zhvillimor Komunal në bazë të Udhëzimit Administrativ. Por, nuk e di nëse e ka bërë. E di se tash komuna është duke e hartuar Planin e Menaxhimit të Peizazheve se a guxon dhe sa guxon të ndërtohet përderisa nuk ka Plan të Mbrojtjes Sanitare nuk guxojmë të lejojmë të ndërtojë jo vetëm këtu, por në asnjë zonë tjetër të mbrojtur”, thotë ai.

Një projekt i tillë sipas Gjonbalajt do të ndikonte shumë keq në ruajtjen e  burimit të ujit në Badovc, si dhe do të hapte rrugë për ndërtime të tjera të ashpra në atë zonë.

Po ashtu ai thotë se ndërtimet janë të rregulluara edhe historikisht përderisa të gjithë e dinë se nga ajo zonë janë shpërngulur fshatra, ndërsa tash po mendohet të ndërtohet.

“Zona e dytë duhet të kuptohet më ashpër. Ju e dini fshatin Novosellë, por për shkak të ndërtimit në zonën e liqenit është shpronësuar dhe është bërë eksproprijimi ku është dashur të jepen edhe të holla dhe për një kohë aty nuk ka pasur vendbanime dhe nuk besoj se tash duhet të bëjmë presion në zonën e liqenit, sepse ndodhin ndotje me dashje dhe pa dashje. Dhe po e shihni se për liqe askush nuk përkujdeset, ndërmarrja që e menaxhon nuk ka asnjë shërbim dhe nuk e menaxhon as digën dhe nuk ka pasur asnjëherë përkujdesje që kur është ndërtuar që është obligim ligjor për të bërë monitorimin dhe të shënohet zona eventuale e rrezikut të shkatërrimit ose të kapërderdhjes dhe nuk besoj se duhet të lëshohet derisa të bëhet elaborati për të parë se çka parashihet në atë elaborat, sepse zonat e ndikimit do të shihen ekzakt në elaboratin që do të duhej të përfundonte në 2019-ën”, ka treguar Gjonbalaj.

Ai tërheq vëmendjen se Liqeni i Badovcit ka edhe probleme të tjera dhe jo vetëm këtë projektin e fundit.

Gjonbalaj ka thënë po ashtu se ndërtimet lejohen në zonën e tretë, por gjithmonë duke mos i tejkaluar udhëzimet administrative.

Për dhënien e kushteve ndërtimore, Gjonbalaj ka thënë se ky veprim është i pafalshëm përderisa nuk janë organizuar dëgjimet publike.

“Nëse ministria ka dhënë pëlqim ose çfarëdo akti pa bërë diskutimin publik e pa konsultuar ndërmarrjen, është gabim i pafalshëm. Por edhe komuna nuk mundet pa komunikuar me ministrinë dhe ndërmarrjen që e menaxhon. Prandaj komuna nuk guxon të veprojë kështu sepse menaxhimi nënkupton pjesëmarrjen e publikut dhe nëse publiku nuk merr pjesë, atëherë ne tregojmë se nuk jemi shoqëri e pjekur”, ka përfunduar ai.

Lajmet për ndërtimet në Badovc janë në kohën kur institucionet kanë paralajmëruar se Kosova po përballet me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!