Avokatët Serbë në Grevë

Shoqata e Avokatëve Serbë pezulloi punën e saj, përfshirë gjyqet, të martën, si shenjë solidaritet me kolegun e tyre të sulmuar, por edhe shenjë pakënaqësie me pozitën e tyre në shoqëri dhe trajtimin nga autoritetet.

“Vitin e fundit ka pasur një numër sulmesh ndaj kolegëve tanë, dhe deri më tani asnjë nga ta nuk është hetuar. Shoqata kërkon që autoritetet t’u japin avokatëve statusin e zyrtarëve publikë, të njëjtin si gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e policisë”, lexohet në deklaratën e Shoqatës së Avokatëve në Serbi.

Të shtunën në mbrëmje, avokati Nenad Vukasovic u rrah në zyrën e tij dhe iu hodh acid në sy nga dy persona të maskuar. Ai u transferua menjëherë në spital, ku mbetet ende.

Vuksanovici njihet nga publiku si avokati mbrojtës i Zvezdan Jovanovicit, ish-koloneli i njësisë së policisë speciale serbe dhe ish anëtar i grupit të njohur kriminal të njohur si Klani i Zemunit, përgjegjës për vrasje dhe vjedhje në Serbi dhe jashtë vendit. Jovanovici, i njohur si Gjarpri, po vuan dënimin me 40 vjet burgim për vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Djindic.

Ministria e Drejtësisë në Serbi tha se mbështesin grevën e avokatëve, duke shtuar se do të diskutojnë me përfaqësues të shoqatës për ndryshimin e statusin e tyre si zyrtarë publikë.

Ministria i bëri thirrje gjithashtu policisë serbe të gjejë menjëherë autorët e krimit duke qenë se “avokatët janë një nga lidhjet kryesore në sistemin ligjor”.

Ky artikull u botua fillimisht nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një program rajonal i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).