Autostradat Nën Mbikëqyrje të Ish-Punëtorëve të Bechtel

Disa metra larg selisë së konzorciumit amerikano-turk Bechtel-Enka, në zonën industriale në Fushë-Kosovë gjenden tri zyra të improvizuara në kontejnerë.

Aty janë të vendosur zyrtarët  e “Hill International-it”, një kompani amerikane e menaxhimit të projekteve të ndërtimit të rrugëve.

Ata kanë mbikëqyrur Bechtel-Enkan-n gjatë ndërtimit të autostradës me kosto miliardëshe që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe janë paguar 6 milionë e 98 mijë euro për këtë shërbim. 

Por kompania  pritet që të kryejë të njëjtën punë edhe gjatë ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë që pritet t’i kushtojë shtetit 599 milionë e 944 mijë euro. 

Ministria e Infrastrukturës shpalli fituese këtë kompani me 2 shtator të këtij viti. Oferta e saj peshon 7 milionë e 88 mijë euro.

“Hill International” drejtohet nga ish-punëtorët e “Bechtel-it”, të cilët punuan aty për disa dekada.

Robert L. Brunett që kishte punuar në “Bechtel” në qershor të vitit 2010 është emëruar si zëvendëspresident  për Zyrën e Dubait në “Hill…”. Po ashtu Mohamed A. El Zahabi një ish-punëtor tjetër i “Bechtel-it është emëruar më 2010 në pozitën e zëvendëspresidentit të “Hill-it”.

Gazeta Jeta në Kosovë mësoi se “Hill International” nuk plotësoi kriteret teknike të paracaktuara nga Ministria e Infrastrukturës, pasi që nuk arriti të mbledhte 70 pikë sa ishte pragu minimal për t’u vlerësuar si kompani e përgjegjshme që plotëson kushtet për të lidhur kontratë publike.

Ministria e Infrastukturës nëpërmjet Lah Nitajt, këshilltarit për medie të ministrit Fehmi Mujota, mbron vendimin që shpall fituese kompaninë amerikane, por nuk komenton lidhjet e saj me kompaninë “Bechtel” që do të ndërtojë autostradën Prishtinë-Han i Elezit.

Por Visar Ymeri, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila në maj të vitit 2011 bëri publike kontratën sekrete të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës e konzorciumit Bechtel-Enka, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “Hill International” është dashur të eliminohej nga tenderi për shkak të afërsisë me “Bechtel-in”.

“ ‘Bechtel-in’ e kemi peshqesh nga ish ambasadori Christopher Dell, i cili tash punon në ‘Bechtel’. Kështu ‘Bechtel-i’ e fitoi kontratën përmes ndikimit politik që kishte punonjësi i ardhshëm i tyre Dell dhe po mbikëqyret nga ish-punonjësit e tyre në ‘Hill International’”, tha Ymeri për Gazetën Jeta në Kosovë.

BIRN-i në bashkëpunim me prestigjiozen britanike “Guardian” raportoi në prill të këtij viti për punësimin e ish-ambasadorit amerikan në korporatën “Bechtel”.

Ndërsa Fidan Kalaja, drejtor i programeve në Organizatën Joqeveritare “FOL”, tha se që nga viti 2011 është  shfaqur shqetësimi në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit për mbikëqyrësin e autostradës, “Hll International”.

“Ne kem kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që raportet e rregullta dhe raporti përfundimtar i mbikëqyrjes se autostradës të jetë i qasshëm për publikun në mënyrë që taksapaguesit e këtij vendi të jenë të informuar rreth ndërtimit të autostradës. Asnjëra nga këto fatkeqësisht nuk ka ndodhur atëherë, e as që kanë ndodhur tash, kur kjo kompani është shpallur fituese e tenderit për mbikëqyrjen e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup”, tha Kalaja për Gazetën Jeta në Kosovë.

Hill fitoi edhe pse nuk i plotësoi pikët

Ministria e Infrastrukturës kishte vënë një kriter te pjesa teknike e dosjes së tenderit. Pjesa teknike përfshin vlerësimin e ekipit të ekspertëve të kompanisë, përvojën e kompanisë në punë të ngjashme dhe afatin e kryerjes së punëve.

Kriteri i MI-së parasheh që konkurrentët në tenderë duhet të arrinin më shumë se 70 pikë nga 100 të mundshme, gjatë vlerësimit të pjesës teknike për të mos u eliminuar nga gara.

Por këtë prag minimal, bazuar në ankesën e kompanisë “Louis Berger” që i referohet raportit të komisionit vlerësues, nuk e ka arritur asnjëra nga tri kompanitë që janë shpallur si të përgjegjshme, e  madje as kompania fituese. 

“Hill International” në këtë tender kishte arritur vetëm 64.40 pikë, por zyra e prokurimit e shpalli fitues të tenderit.

Vetëm 56 pikë kishte arritur kompania franceze  “Louis Berger”, ndërsa 49.70 pikë kishte arritur kompania “Technital” nga Italia.

Lah Nitaj, zëdhënës në Ministrinë e Infrastrukturës tha se gjithçka ka shkuar sipas rregullave të tenderit.

“Nuk ka pasë shkelje as një milimetër të tenderit dhe ka qenë tenderi më korrekt që ka shkuar ndonjëherë”, tha Nitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Esat Gashi, përfaqësues i Kompanisë “Hill International” për Kosovë nuk deshi që të komentonte asgjë në lidhje me këtë tender.

“Ne ende nuk e kemi nënshkruar kontratën dhe është politikë e jona që të mos flasim deri sa të nënshkruhet kontrata”.

Megjithatë, “Hill…” ka dhënë ofertën më të përgjegjshme financiare. Ka ofruar çmimin më të ulët në krahasim me dy konkurrentët që ishin shpallur të përgjegjshëm nga Ministria e Infrastrukturës. 

Derisa amerikanët kërkojnë 7 milionë e 88 mijë euro për kryerjen e kësaj pune, janë francezët e Kompanisë “Louis Berger” që kërkojnë 20 mijë euro më shumë. 

Oferta e tyre 7 milionë e 108 mijë euro.

Ndërkaq Kompania “Technital S.P.A” kërkon 10 milionë e 75 mijë euro.

Në këtë tender kanë konkurruar edhe tri kompani tjera, por ato janë vlerësuar si të papërgjegjshme dhe janë diskualifikuar nga Ministria e Infrastrukturës, pa iu dhënë mundësia e prezantimit të ofertës financiare.. 

Dy prej tyre, “Aecom Bosnje” dhe “Instituti IGH” nga Kroacia, ende nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë.

Ndërsa “Egis International” nga Franca nuk pranoi të komentonte.

“Ne i kemi politikat e tona dhe nuk duam që të komentojmë, është politikë e kompanisë sonë”, thuhet në një përgjigje të zyrës në Prishtinë të kësaj kompanie.

Ministria e Infrastrukturës nuk dha përgjigje se pse këto kompani u vlerësuan si të papërgjegjshme, por vetëm tregoi se ofertat e tyre financiare nuk u hapën fare.

Pretendimet e “Louis Berger-it”

Luis Palmerias, drejtor për Ballkanin i Kompanisë Franceze “Louis Berger”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Ministria e Infrastrukturës  ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit duke mos u dhënë konkurrentëve raportin e komisionit vlerësues që e përzgjedhë si fituese Kompaninë “Hill International”.

“Louis Berger” me 15 shtator 2014 e ka dorëzuar  një  ankesë tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Francezët pretendojnë se tenderi do të duhej të ishte i anuluar.

“Në bazë te dokumenteve të tenderit, piket minimale do te duhej të ishin 70, në mënyrë që Ministria e infrastrukturës të konsiderojë ofertat të përputhshme dhe të mundësojë hapjen e ofertave financiare”, thuhet në ankesën e francezëve në OShP.

Gjykata e tenderëve konfirmoi dorëzimin e ankesës dhe pohoi se ka nisur procedurat për trajtimin e saj.

“ Organi Shqyrtues i Prokurimit, ju njofton se konform nenit 113 të Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042, ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të shqyrtuar procedurën e zhvilluar lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, si dhe vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankimore”, tha  Ardian Behra, zyrtar për pranimin e ankesave në OShP.

Përveç “Louis Berger-it” edhe kompania “Technital”, thotë se u befasua me rezultatet e tenderit.

Asmaà Khadr, menaxhere e zhvillimeve për projekte ndërkombëtare në kompaninë italiane, tha se për ta ky tender është një përvojë e keqe.

Khadr tha se propozuan një ekip kyç ndërkombëtar për menaxhimin e projektit të autostradës Prishtinë-Han i Elezit.         

“Ne nuk mendojmë asgjë. Ne vetëm u përballëm me një rezultat të keq të tenderit dhe ne duam që të shikojmë përpara për mundësitë e ardhshme në rajon, duke shpresuar se ne do të jemi më të suksesshëm”, tha Khadr.

Derisa “Technital” nuk dëshiron të komentojë se cilat janë arsyet e mundshme të humbjes së garës, janë francezët e “Louis Berger-it” që pretendojnë se e dinë se pse fituan amerikanët e ‘Hill International-it”. 

 “Lidhjet me ‘Bechtel-in’ ka mundësi qe e kanë vendosur ‘Hilli-in’ në një pozicion më të mirë” tha Luis Palmerias, drejtor për Ballkan i kësaj firme. 

Tekstit i koontribuoi edhe Petrit Çollaku.