Autoritetet Pretendojnë se në Siri Luftojnë Vullnetarë nga 83 Shtete

Disa qindra turq janë mes mijëra të huajve në taborin e rebelëve islamikë që luftojnë forcat e presidentit Bashar al-Assad në Siri, duke prodhuar, sipas disa politikanëve turq, rrezikun e një beteje të radikalizuar që do të shpinte në zgjerimin e sulmeve siriane në tokën turke.

“Ne i dërgojmë për xhihad, ata që janë pjesë e rrugës së Zotit”,  i ka thënë Reutersit Abu Huseyin, i cili nga disa njerëz lokalë është identifikuar si personi që rekruton luftëtarët për në Siri,  nga qytetet e përziera turke, arabe dhe kurde, 50 kilometra larg kufirit me shtetin  epërfshir[ në luftë.

Opozita turke është e alarmuar, meqë disa grupe islamike të lidhura me Al Qaidan, siç është Jabhat al-Nusra, organizata e quajtur “Shteti Islamik i Irakut” dhe organizata “Levanti” kanë dalë në pah midis rebelëve duke marrë kontrollin territorial në Sirinë Veriore afër kufirit.

Prezenca e luftëtarëve të huaj prej botës islamike, ku përfshihen dhe turqit, shton rrezikun se konflikti do të zgjerohet përtej Sirisë, thonë opozitarët turq, duke akuzuar qeverinë për pasivitetin e saj në luftën kundër këtij kërcënimi.

Ndërkohë, zyrtarët turq kanë refuzuar fuqishëm sugjerimet se kritika e tyre ndaj regjimit të Assadit nënkupton mbështetjen për armiqtë e tij të Al Qaida-s.

“Thënia ‘dashuri për Al Qaeda-n’ është përdorur për të më ngacmuar mua personalisht. Asnjë ministër turk nuk kultivon simpati të veçantë për Al Qaeda-n, ose ndonjë grup terrorist”, tha para komisionit të parlamentit, Ahmet Davutoglu, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë.

Fotografi të publikuara në internet nëpër faqet e xhihadistëve turq lartësojnë ata që kanë vdekur duke luftuar në Siri, video të ndryshme në YouTube shfaqin persona të armatosur që flasin turqisht, duke i thirrur bashkëvendësit e tyre  për t’iu bashkuar xhihadit.

Në mesin e atyre të cilët kanë qenë të inspiruar për të luftuar, ishin dhe vëllezërit binjakë 20 vjeçarë, të cilët u larguan nga shtëpia e tyre në Adiyaman, 150 km larg kufirit me Sirinë, disa muaj para se të regjistroheshin në studimet universitare.

Babai i tyre, Mehmeti, fajëson islamistët lokalë për rekrutimin e tyre.

“Ata i rrëmbyen fëmijët e mi me forcë. Ata ua shpëlanë trurin”, i tha Reutersit Mehmeti, shërbyes civil i pensionuar që kishte udhëtuar në Siri para dy muajsh, në përpjekje për të gjetur djemtë e tij në Aleppo.

“Ata refuzuan të më tregojnë djemtë e mi dhe i mbanin në një dhomë lart. Kur fillova të grindem me ta, më drejtuan armët dhe deshën të më vrasin, prandaj u detyrova të largohem”, tha ai.

Ambasadori britanik në Turqi David Reddaway kishte shkruar për këtë çështje në një kolumne botuar në një gazetë turke, ku kishte thënë se mijëra luftëtarë të huaj po luftojnë në Siri, duke përfshirë këtu një numër të konsiderueshëm nga Britania.

“Ne jemi thellësisht të brengosur me potencialin e kthimit të këtyre njerëzve në Turqi dhe vende tjera për të kryer sulme”, shkruan Reddaway.

Një varrim simbolik për turqit që dhanë jetë duke luftuar në Siri, është mbajtur këtë verë në xhaminë e Stambollit, i përcjellë nga mbështetësit e grupeve islamike.

Udhëheqësi i Asociacionit Islamik “Ozgur-Der”, i përfshirë në dhënien e ndihmave për  sirianët, ka vlerësuar se gjithsej 50 turq kanë vdekur në Siri, në mes të disa qindra turqve që kanë lënë shtëpitë e tyre për të luftuar atje.

Ridyan Kaya, zëdhënës i Ozgur-Derit tha se ky asociacion nuk i ka dërguar luftëtarët në Siri, por gjithashtu nuk kundërshtonte këtë veprim.

“Ne nuk konsiderojmë se Siria ka nevojë për luftëtarë, meqë një numër i madh i njerëzve atje tashmë rezistojnë regjimin”, tha ai. “Por ne besojmë se një propagandë lufte është duke u zhvilluar kundrejt xhihadistëve islamikë”.

Luftëtarët e Ballkanit

Mediat kanë raportuar për mbi 600 luftëtarë të huaj të vrarë në Siri, gjatë pjesës së parë të vitit 2013.

Myslimanë nga regjioni i Ballkanit po ashtu i janë bashkuar luftës së opozitës kundër qeverisë, dhe disa prej tyre kanë rezultuar të vrarë.

Shumë të rekrutuar sipas radios Evropa e Lirë, janë nga regjioni i Sanxhakut, sidomos nga Novi Pazari. Disa qindra myslimanë kanë udhëtuar për në frontin e Sirisë nga Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Maqedonia Kosova dhe Shqipëria.

Dyshohet se ekzistojnë qendra apo individë në këto vende, që kanë lidhje me disa organizata dhe ata motivojnë njerëzit për xhihad.

Anel Grboviq një gazetar nga Novi Pazari tha se shumica e luftëtarëve nga Serbia ishin tërhequr fillimisht prej komunitetit islam, para se të udhëtojnë për në Siri.
“Është fakt se ata i mbajnë ritualet e tyre në disa hapësira të veçanta, që do të thotë se ata e përjashtojnë veten nga xhamitë, duke u tërhequr kështu nga komuniteti islamik dhe janë më lehtë të ndikueshëm nga disa persona dhe organizata”, tha Grboviq.

Mediat vendore në Kosovë kanë raportuar për 10 shqiptarë të vrarë deri më tani, duke luftuar kundër presidentit sirian, Bashar al- Assad.

Sipas të përditshmes Koha Ditore, viktima e fundit shqiptare është 22-vjeçari Muhamet Koprova.

Gazeta shkruan se tetë shqiptarë të vrarë janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, kurse dy të tjerë janë shtetas sirianë me prejardhje nga Kosova.

Televizioni boshnjak FTV raportoi se  52 luftëtarë boshnjakë shkuan në Siri që nga fillimi i luftës. Dy prej tyre dihet se janë vrarë, ndërsa 32 janë kthyer.

Nëntë boshnjakë lëshuan një video xhirim në YouTube, duke thënë se do të luftonin në qytetin Homs, ndërkohë që flasin edhe për xhihadin në Irak dhe Afganistan.

Qeveria siriane tenton ta paraqesë konfliktin si luftë kundër terrorizmit

Ministri sirian i Punëve të Jashtme Walid Muallem në një paraqitje para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, në fund të shtatorit tha se qeveria siriane është duke luftuar me një “grup terroristësh prej 83 shteteve” si pjesë e “së drejtës së saj kushtetuese” për të mbrojtur njerëzit e vendit.

Në fjalimin e tij, Muallem ka tentuar ta mbulojë definicionin e konfliktit të Sirisë si luftë civile, duke thënë se qeveria siriane është përfshirë në “luftë kundër terrorizmit që nuk njeh vlera, drejtësi, barazi dhe anashkalon çdo të drejtë dhe ligj”.

“Kjo ngarkon komunitetin ndërkombëtar që të veprojë në përputhje me rezolutat relevante që trajtojnë terrorizmin”, ka thënë ai.

Në një intervistë me BBC-në ai kishte thënë se bisedimet për ndalimin e konfliktit në Siri nuk mund të kenë sukses, përderisa turqit, sauditët dhe banorët e Katarit janë duke u ndihmuar rebelëve.

Numri enorm i refugjatëve shkakton problem

Agjencioni i OKB-së për refugjatë UNHCR, ka paralajmëruar se numri i madh i refugjatëve sirianë është duke kërcënuar kohezionin politik dhe social në tërë regjionin.

Antonio Gueterres shefi i UNHCR-së ka thënë se “ngarkesa është tejet e rëndë për t’u marrë me të vetëm shtetet fqinje”.

Ministri irakian i Punëve të Jashtme, Hoshyar Zebari kishte thënë se ardhja e mbi 240.000 refugjatëve sirianë që nga mesi i shtatorit në Kurdistan “ka krijuar një ngarkesë substanciale në burimet e qasshme dhe ekonomitë lokale”.

Homologu i tij në Jordani, Nasser Judeh deklaroi se çmimi që jordanezët paguajnë si rezultat i kësaj krize është i “paprecedent”.

BBC-ja shkruan se Libani nuk ka të holla, shkolla, ose shtëpi të qasshme për t’u përballur me fluksin e refugjatëve sirianë, kurse Jordania dhe Turqia me nga 500.000 refugjatë secila, besohet se kanë harxhuar deri më tash, së paku 2 miliardë dollarë për ta.

Apeli i OKB-së për ndihmë prej 4.4 miliardë dollarësh për refugjatët sirianë, deri tash është financuar vetëm 50 për qind, ndërkohë që ka pasur pak gatishmëri për pranimin e këtyre refugjatëve nga shtetet perëndimore.

Britania dhe SHBA-të nuk kanë marrë përgjegjësinë për të pranuar ndonjë deri më tani, ndërsa  Gjermania do të pranojë 5000 dhe Austria 500 refugjatë.

Konflikti në Siri ka filluar në mars të vitit 2011 si pjesë e “pranverës arabe”, për t’u zhvilluar më vonë në një luftë që konsiderohet të ketë marrë jetën e 100.000 njerëzve.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga Reuters, BBC, FTV, Koha Ditore