Autobusi me Studentë në Humnerë, 12 Viktima

Dyshohet se të paktën 21 studentë të tjerë, të gjitha femra, kanë mbetur të plagosur.

Në vendngjarje, në zonën e quajtur Qafa e Vishës, kanë dalë forca të shumta policore, autoambulanca dhe helikopterë, të cilët kanë sjellë 7 persona në Spitalin Ushtarak, në Tiranë. Aktualisht disa prej tyre jane ne gjendje kome pasi kanë marrë dëmtime serioze në trup. 

Mësohet se autobusi i rrëzuar është me targa të Elbasanit, dhe se studentët janë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Policia shqiptare ka bërë të ditur se është ngritur edhe një grupi i posaçëm për menaxhimin e situatës.

“Në orën 16:50 minuta morën informacionin se në Qafën e Vishës, një autobus me targë Elbasani, “EL 2274 V”, ka dalë nga rruga. Drejt vendit të ngjarjes janë dërguar njësi policore të repartit Delta Forcë dhe të policisë rrugore, si dhe është ngritur një grup pune për menaxhimin e situatës. Në zonën e aksidentit janë dërguar helikopterë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mbrojtjes”, ka njoftuar policia e Shtetit.

Në spitalin Ushtarak në Tiranë kanë mbërritur të plagosurit e parë dhe po marrin ndihmën nga mjekët, transmeton Shekulli Online.  Drejtuesit e spitalit kanë bërë thirrje që qytetarë t’u vijnë në ndihmë të plagosurve duke dhuruar gjak pasi rezervat nuk janë  të mjaftueshme.

Për ngjarjen tragjike në Himarë ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Ai ka shprehur ngushëllim për familjen e studentëve që humbjen jetën dhe ka siguruar se “të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë”