Auditimi, shkeljet dhe sfidat e katër viteve të fundit të MTI-së

Parregullsi në prokurim, punësimet e personave me kontrata mbi vepër dhe ngecje në zbatimin e rekomandimeve, ka evidentuar mes tjerash Zyra Kombëtare e Auditimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në katër vitet e fundit.

Në analizën që i është bërë katër raporteve të fundit të auditimit për këtë dikaster, është vërejtur se një prej problematikave më të theksuara ka qenë angazhimi i personave për shërbime të veçanta, për më gjatë se gjashtë muaj.

Ndërkaq, në raportin e fundit për këtë ministri theksohet se MTI-ja kishte paguar mbi 15 mijë euro për dy dreka zyrtare si dhe kishte blerë një orë si dhuratë.

Në kohën e Endrit Shalës, Ministria e Tregtisë bleu orë për dhuratë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa blerje kontraverse të kryera në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2019.

Sipas auditorit, MTI-ja kishte blerë një orë si dhuratë, ndonëse nuk dihet nga kush, për kë dhe sa është kostoja për këtë blerje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MTI se për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Pjesë e ekzaminimeve të ZKA-së ishin katër procedura të prokurimit në lidhje me kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Ndërkaq, për dy procedura të zhvilluara, Auditori thekson se nuk e kanë gjetur dokumentacionin origjinal tek zyrtari i prokurimit për “Blerja e një dhurate – orë” dhe “Furnizim me veshmbathje”. Nga zyrtari i prokurimit, ZKA-së i janë ofruar vetëm një pjesë e dokumentacionit në kopje.Ndërsa, sipas Ligjit për Prokurim Publik Zyrtari i Prokurimit do të mbajë dokumentacionin origjinal për prokurimin përkatës, i cili do të vihet në dispozicion sa herë kjo kërkohet nga organet mbikëqyrëse.

Ndërkaq në rastin tjetër, në kontratën lidhur për ‘Mirëmbajtjen e Parkut të Biznesit- Drenas’ ishin përfshirë dy afate të ndryshme të zbatimit të kontratës.

Auditori thekson se sipas nenit 2 të kontratës, afati kohor për kryerjen e shërbimeve ishte 24 muaj, kurse sipas kushteve të veçanta të kontratës neni 6.4, koha e përfundimit të shërbimeve ishte 12 muaj, ndërsa inicimi dhe procedurat ishin zhvilluar duke theksuar afatin për 24 muaj.

Por rastet e tilla sipas ministrisë ishin vlerësuar si gabim teknike.

“Mungesa e dokumentacionit origjinal për nevoja rishikimi, kufizon mundësinë e dokumentimit dhe krijon paqartësi nëse furnizimet dhe pagesat janë kryer sipas rregulloreve. Ndërsa, afatet kontradiktore të kohëzgjatjes në shërbimet e mirëmbajtjes, mund të krijoj paqartësi në mes palëve kontraktuese dhe mund të përfundoj me konteste gjyqësore”, thuhet në raport.

MTI-ja ‘mal’ me raste ndër vite me kontratat mbi vepër

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mbuluar pozita të përhershme me kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj.

Kjo ishte njëra ndër gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për vitin 2019.

Sipas raportit, krahasuar me vitet paraprake numri i kontratave mbi vepër është rritur pasi në vitin 2019 ishin raportuar 68 të punësuar, krahasuar me 52 sa ishin në vitin 2018.

“Duke pasur parasysh periudhën e angazhimit, 45 prej tyre ishin të angazhuar për më shumë se gjashtë muaj. Për më tepër, në tre nga katër raste të testuara është vërejtur se nuk ka raport pune si dëshmi të pagesës për angazhimin në punë”, ka gjetur Auditori.

Në raport tutje thuhet se moskujdesi për të plotësuar pozitat e lira të aprovuara me buxhet, ka shkaktuar vazhdimin e këtyre kontratave.

Mbulimi të pozitave të përhershme me kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj, kishte gjetur Auditori për MTI-në edhe në raportin për vitin 2018.

Sipas ZKA-së, në vitin 2017 ishin 20 punëtorë, ndërsa në 2018 ky numër ka arritur në 45 të punësuar me këtë lloj kontrate, ndërsa sipas Ligjit të Buxheti nga gjithsej 248 pozita të aprovuara, vetëm 210 pozita janë të mbuluara me zyrtare te rregullt.

“Angazhimi për shërbime të veçanta është në programet e përhershme të punës të cilët trajtohen si të punësuar të rregullt (vijueshmëria, pushimet vjetore) ndërsa paguhen nga mallrat dhe shërbimet, ku prej tyre 32 kanë kaluar periudhën e angazhimit për më shumë se gjashtë muaj (nga 7 deri 33 muaj). Moskujdesi për të plotësuar pozitat e lira të aprovuara me buxhet, ka shkaktuar vazhdimin e këtyre kontratave”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në raportin e auditimit për vitin 2017 për MTI-në thuhet se prej angazhimit të 20 punëtorëve me kontrata mbi vepër, prej tyre 12 janë angazhuar më tepër se gjashtë muaj (8 deri 25 muaj), po ashtu angazhimi i tyre ndërlidhet me programet e përhershme të punës si zyrtar për markat tregtare, zyrtar i prokurimit, ekspert i meteorologjisë, mbikëqyrës i projekteve kapitale.

Në anën tjetër, në raportin vjetor për vitin 2018 për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Auditori ka gjetur se në këtë dikaster është bërë mbulimi i pozitave menaxheriale me ushtrues detyre.

ZKA thekson se sipas Ligjit për Shërbimin Civil neni 30 “Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, U.D. nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj”.

Megjithkëtë në MTI, në tri raste janë identifikuar se pozitat janë mbuluar me U.D. më gjatë se tre muaj.

“Pozita Udhëheqës i Divizionit të Turizmit, mbulohej me U.D. që nga dt. 20.07.2015. Situatë e njëjtë ishte edhe te pozita e Udhëheqësit të Sektorit për Zhvillimin e Zonave Ekonomike në AIPNK e cila mbulohet me U.D. që nga data 17.05.2016, dhe vazhduar me vendim të dt.25.08.2016 për zyrtarin e njëjtë. Këto pozita vazhdojnë të mbulohen me U.D. edhe në vitin 2017, përkatësisht deri muajin prill, në kohen sa ishim në auditimin final”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit edhe pozita Menaxher i Prokurimit, mbulohej me U.D. që nga dt. 10.05.2016 me të njëjtin zyrtar.

“Përndryshe kjo pozitë mbulohej me U.D. që nga 2013 përkundër përpjekjeve që janë bërë për shpalljen e rekrutimeve në vitin 2014 dhe 2015. Megjithatë, për këtë pozitë në fund të vitit 2016 është bërë përzgjedhja e zyrtarit të rregullt sipas konkursit”, theksohet në raport.

Ngecjet në zbatimin e rekomandimeve

Në raportin për MTI-në për vitin 2016, Auditori ka gjetur se kjo ministri  ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve, megjithatë mos zbatimi i plotë i të gjitha rekomandimeve ka ndikuar që disa mangësi të përsëriten nga viti i kaluar.

“Kjo ishte evidente te menaxhimi i burimeve njerëzore si dhe te regjistrimi i pasurisë”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, mos zbatimi i plotë i rekomandimeve rritë rrezikun e pranisë së vazhdueshme të mangësive të njëjta, të cilat mund të ndikojnë në dobësi në menaxhimin financiar dhe të kontrolleve.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2017 theksohet se rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ndërlidhen më çështjet si: pagat dhe mëditjet sipas përshkrimit të punës dhe mbulimi i pozitave udhëheqëse me ushtrues detyre.

Auditori në raportin për vitin 2018 për MTI-në ka gjetur se deri në fund të auditimit për këtë vit, gjashtë rekomandime janë zbatuar, një ishte në proces, pesë nuk janë zbatuar, dhe tre ishin të mbyllura të pazbatuara.

Në raportin e ZKA-së për vitin 2019 thuhet se ministria kishte përgatitur një plan veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatojë rekomandimet e dhëna.

Por tutje thuhet se ministria nuk ka dorëzuar raportin e Progresit mbi zbatimin e rekomandimeve (30 shtator dhe 15 mars) sipas kërkesave të dala nga Rregullorja e Punës për zbatimin e auditimit dhe planeve të veprimit.

“Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2019, tri rekomandime janë zbatuar; tri ishin në proces, dy mbyllura të pazbatuara dhe pesë nuk janë adresuar ende”, thuhet në raport.

Shkeljet në prokurim, më 2019 MTI-ja pagoi mbi 15 mijë euro për dy dreka zyrtare

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paguar 15 mijë e 967 euro për dy dreka zyrtare përmes procedurave të prokurimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin vjetor për 2019-n për këtë ministri, thotë se dy pagesa për dreka zyrtare në vlerë prej 9,200€ dhe 6,767€ ishin procesuar përmes modulit të blerjeve edhe pse këto shërbime janë të përjashtuara nga procedurat e prokurimit.

Sipas Auditorit, pagesat ishin realizuar pa dëshmi të nevojshme lidhur me aktivitetin, si agjenda, lista e pjesëmarrësve dhe dëshmi të tjera të cilat arsyetojnë mjetet e shpenzuara.

“Ndërkohë që, edhe pse këto shpenzime janë të përjashtuara nga prokurimi publik, ato janë procesuar përmes modulit të blerjeve (përmes prokurimit)”, thuhet në raport.

Për më tepër, sipas ZKA-së, njëra nga pagesat edhe pse përmbante pjesën më të madhe të shpenzimit për nevoja të akomodimit, ishte kategorizuar si drekë zyrtare.

“Zyrtarët përgjegjës për procesimin e pagesave të tilla nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje të bazuar. Kjo është një praktikë e cila është ndjekur nga ministria për shpenzime të tilla”, thekson Auditori.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë aktualisht udhëhiqet nga ministri Vesel Krasniqi , i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

MTI-ja në Qeverinë Haradinaj 2017-2020 është drejtuar nga Endrit Shala, po ashtu nga Nisma, ndërkaq në Qeverinë Kurti, për 50 ditë, ky dikaster është udhëhequr nga Rozeta Hajdari e cila ishte përcaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkaq në raportin për vitin 2018 për MTI-në, Auditori ka gjetur se ka pasur mos përgatitje të planit për menaxhimin e kontratës sipas rregullave.

ZKA thekson se sipas nenit 81 te Ligjit për Prokurim Publik, autoritetet kontraktuese janë të obliguara për përgatitjen e planit për menaxhimin e kontratave, duke përfshirë në veçanti çështjet e aspekteve organizative, ekonomike, teknike dhe ligjore.

Por në MTI, Auditori ka gjetur se nga katër mostra të testuara për furnizime dhe shërbime, për asnjërën nuk është plotësuar nga menaxherët e kontratave plani për menaxhimin e kontratës me informatat e nevojshme sipas kërkesave ligjore.

“Formulari standard i KRPP-së, ka vetëm informatën ‘Sipas dosjes së tenderit’. Kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës së menaxherëve të kontratave mbi detyrën e pranuar dhe mungesës së mbikëqyrjes nga ana e menaxhmentit”, thuhet në raport.

Anashkalim të procedurave të prokurimit ka gjetur Auditori në MTI, sipas raportit për vitin 2017.

Sipas Auditorit, ministria kishte paguar 5 mijë euro për organizimin e gala mbrëmjes për projektin “Made in Kosova”. Por ky shërbim nuk i është nënshtruar procedurave të ofertimit dhe kontraktimit të rregullt.