Audienca

Mbas shumë telefonatave dhe lutjeve me shkrim, më në fund më mbërriti ftesa nga zyra e ministrit. Sipas saj, të premten, z.Ministri më pret në zyrën e tij.

U gëzova pa masë dhe të premten, mbasi i vesha një palë rroba gjysmë të leckosura dhe këpucët me gojën hapur si tullumbat e Lulit, ia mësyva pallatit të qeverisë.

Në recepcion më pritën pesë-gjashtë gardianë, hyzmeqarë dhe truproje. Së pari më bastisën prej koke deri tek thembrat e pastaj më shtruan njëqindmijë pyetje: Si? Pse? Çka? Kush të ka dërguar? etj.- dhe më në fund, e përcjellë me një mrrolan gjigand (sigurisht ishte vëllai i Arnold Schwarzenegger-it?), pranë të cilit dukesha si një nxënës i klasës së dytë fillore, hymë në lift.

Në katin e tretë dolëm nga lifti dhe unë u gjenda në një korridor të gjatë me zyre të shumta. Secila e kishte derën e hapur dhe në prag të derës qëndronin hyzmetçarët e Ministrit. Të gjithë (femra dhe meshkuj) të veshur bukur si në ndonjë sfilatë mode, të krehur, të pastër dhe të buzëqeshur. Që të gjithë dukeshin të lumtur dhe ashtu plot gaz e hare pëshpëritnin njëri me tjetrin, por vazhdimisht duke e shikuar derën e liftit dhe duke pritur shefin e tyre.

Mua më ulën në një karrige pranë murit dhe ai mrrolani im menjëherë u vendos pranë meje. Prita e prita dhe kur mendova se kam ardhur kot, në korridor u paraqit z.Ministri. Me të ishin edhe dy përcjellës. Ministri e kaloi korridorin hap mbas hapi duke e shpjeguar një anekdotë popullore (të vjetër sa toka e zezë). Të gjithë hyzmeqarët e tij shkonin mbas Ministrit duke e shikuar me buzëqeshje dhe admirim dhe duke e dëgjuar me kureshtje fjalimin e tij. Ministri nuk i drejtohej asnjërit prej tyre. Ai fliste ashtu në përgjithësi duke iu drejtuar dyerve, karrigeve, korridorit dhe, kur mbaroi anekdotën, që të gjithë ia plasën gazit aq fuqishëm sa kumboi i tërë korridori. Ashtu duke qeshur dhe duke brohoritur, të gjithë, e përcollën Ministrin deri te dera e zyrës së tij.

Ministri hyri në zyrë dhe menjëherë ai mrrolani im më kapi për jake dhe, duke më tërhequr zvarrë, më futi tek ai. Ministri më shikoi për një moment e pastaj u ul në fotelen e vet dhe njëherësh më dha shenjë edhe mua që të ulem në një karrige afër derës. Mrrolani u vendos pranë meje. Në të njëjtën kohë në zyrë hynë dy vajza të bukura dhe një djalë i gjatë. Edhe vajzat edhe ai djali i mbanin në dorë notesat dhe lapsat për të shënuar çdo fjalë dhe urdhër të zotëri Ministrit.

Ministri më shikoi edhe njëherë dhe, sikur i kaloi një buzëqeshje e lehtë në fytyrë, më tha me një zë qortues:

-Ta dish se tu kam idhnu. Më ke harrue krjet!

– Paj . . .

– E di pse ke ardhur. S’ke nevojë me fol hiç. Të gjithë vijnë te unë me të njëjtin problem. Kërkojnë t’ua punësoj dikë dhe të gjithë ata që kërkojnë punë, bash të gjithë, e flasin anglishten, dinë të punojnë me kompjuter, e kanë të kryer fakultetin dhe masterin…por ja që ekziston edhe një “por”…Më së pari a je gjallë ti? Ku je? Ku po rron? . . .

– Unë valla, zotëri Ministër, nuk jam kurrkund. Jam askund… Desha menjëherë t’ia hapi hallin tim, por ai nuk më lejoi. Më preu fjalën duke u buzëqeshur.

-Nuk e di, tha, a e ke dëgjuar një anekdotë shumë të mirë? Dëgjoje! Dhe, pa më dhënë afat as të hap gojën, filloi të më shpjegojë të njëjtën anekdotë të cilën e thoshte derisa kaloi nëpër korridor. Kur e kreu anekdotën ia plasi gazit dhe bashkë me të qeshën zëshëm edhe ato dy vajzat e bukura dhe ai djali i gjatë. Bile ai mrrolani im u valakat në dysheme duke u qeshur dhe tha se kurrë në jetën e vet nuk kishte dëgjuar anekdotë më të mirë.

Mendova se më erdhi momenti im dhe ia nisa t’i flas për problemin tim, por zotëri Ministri prapë ma preu fjalën.

– Ne jemi, tha, popull i butë, popull bamirës, popull i traditës dhe i zakonit. Para së gjithash, jemi popull familjar. Eh kjo, bash që jemi familjarë po na qet problem në shtetformimin e kësaj Kosovës sonë të dalë nga lufta. Qeh! Këqyrëm mua! Unë jam i mirë dhe këtë e dinë të gjithë. Jam dorëlirë dhe bamirës – edhe këtë e dinë të gjithë dhe, besa, e keqpërdorin të gjithë! Nuk e di se a po më kupton se çka po dua të them?…

– Po të kuptoj bre burrë, i thashë, por unë e kam një hall…

– Halli ynë më i madh është, ma ndërpreu fjalën, se jemi kësi çfarë jemi. Këqyrëm mua! Unë i kam gjashtë vëllezër e pesë motra. Kam shokë, miq, jarana dhe ta dish se të gjithë së bashku i kanë sytë në mua. Të gjithë mburren me mua dhe mbështeten në mua. Unë jam njeri familjar. Familja është gjë e madhe për ne shqiptarët. Lidhja familjare është ajo që na ka mbajtur gjallë nëpër shekuj.Bile edhe pleqtë tanë na kanë lënë amanetin: “mos të lashtë Zoti pa tëndin”. Lidhja familjare i ka të mirat e veta, por besa i ka edhe vështirësitë e veta. Është shumë vështirë të gjithëve me iu gjetë dhe me iu ba mirë. Ti as nuk e di se sa i lumtur je që nuk je i përfshirë në qeverisjen tonë. Nuk mban, more vëlla, përgjegjësi ndaj askujt. E këqyrë punën tënde dhe idaren tënde dhe kurrkush nuk t’i numëron kafshatat e gojës.

Qeh, kqyrëm mua! Më erdhi vëllai i madh dhe m’u lut me ia marrë një djalë në punë. Nuk mujta me refuzu! Vëlla e kam. Bac e kam! Ia morra djalin këtu te unë, por çka ndodhi? Menjëherë më erdhën edhe të gjashtë vëllezërit e tjerë dhe ma zunë derën e nuk pata qare pa ua marrë edhe të gjashtëve nga një djalë në punë. Nuk kisha qysh me i refuzu. Nuk mundesh ti sot me iu ba dikujt nanë e dikujt njerkë. Pra ua punësova të gjashtëve nga një djalë, por gazepi im nuk përfundoi me kaq. Morën vesh motrat e mia dhe të pestat më erdhën në shtëpi bashkë me fëmijët dhe nipat e vet ma okupuan shtëpinë më zi se Serbia këtyne here! Nuk të dalim prej shtëpie, më thanë, pa na e marrë nga një fëmijë në punë. Veç ty të kemi, më thanë, dhe lum e lum që të kemi e ti po do me na e kthye shpinën! A bën kështu? Nuk bën, u thashë, dhe të pestave ua punësova nga një fëmijë. Çka me të tregue, morë vëllai im? Ia nisën hallku me fol, me më përgojue nëpër miq e akraba! Për me ua mshelë gojën u detyrova që edhe atyre t’ua punësoj ndonjë djalë a vajzë – si dita e si mujta . . .

Populli po na kritikon. Po na shan. Por, pa të drejtë. Kurrkush nuk e di se në çfarë zjarrmi po digjemi ne. Gati është e pamundur edhe me e ndërtue shtetin edhe me ruejt traditën. Këto të dyja kurrsesi nuk po shkojkan bashkë. . . Kqyrëm mua! Kqyre se çka më bani vaki para një muaji. E qo dreqi një koleg timin – edhe ai është ministër – e qo dreqi dhe e punëson një dhëndër të motrës sime të vogël. Tybe treqind tybe n’e paqa ditë a n’kofsha përzie unë në këtë punë, por ec e mbushu mendjen këtyre motrave tjera të mia. Të pestat prapë më erdhën në shtëpi me gjithë atë kallaballëkun e vet dhe nuk më dolën nga shtëpia derisa të pestave nuk ua punësova nga një dhëndër. Veç me vra veten se tjetër derë nuk gjeta . . .

Këtu zotëri Ministri e ndërpreu monologun e vet dhe më shikoi.

-Ndoshta fola shumë e nuk të lash ty me çelë problemin tënd, por . . .

-Unë nuk kam kurrfarë problemi, i thashë, zotëri Ministër. Veç kam ardhur me të pa si shok të vjetër e asgjë tjetër . . .

– Bëfsh hajër se je tregue burr dhe shok i mirë. Po ata shokët tjerë? Ku janë ata? A janë gjallë? Me çka po merren? . . .

– Gjallë janë zotëri Ministër, gjallë e mirë janë por kanë hall . . .

-Po po, më keni harrue krejt. A po më përmendni bile ndonjëherë?

– Po, i thashë, po të përmendim shpesh, por diqysh më shpesh po ta përmendim nanën tande sesa ty . . .

– U ngrita, dhe i përcjellë nga vëllai i Arnold Schwarzeneggerit, dola.