Asnjë Dobi Prej Kryesimit

Kosova ka kryesuar marrëveshjen e CEFTA-s, gjatë këtij viti, por nuk ka pasur farë përfitimi, madje nuk ka mundur të ndikojë as për heqjen e barrierave për produktet e veta. Prodhues kosovarë thonë se nuk panë farë hairi prej kësaj marrëveshjeje, e cila ishte nënshkruar më 2006 nga UNMIK-u, në emër të Kosovës.

Gjatë kohës sa kryesuam Marrëveshjen për Tregti të Lirë – CEFTA, as shifrat e eksportit të prodhimeve vendore nuk dallojnë me kohën kur nuk kemi pasur kryesimin, për faktin se Kosova nuk e pati fuqinë për të ndikuar tek Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat nuk i pranuan
prodhimet e Kosovës më vulën si shtet.

Profesori Gazmend Qorraj i cili ka qenë përfaqësues i Kosovës në Paktin e Stabilitetit, thotë se Kosova gjatë kryesimit të CEFTA-s ka pasur mundësi të mira për t’i zgjidhur disa çështje të
cilat kanë penguar bizneset vendore, duke iu kushtuar me humbje.

“Thënë realisht, opinioni nuk njeh ndonjë zhvillim pozitiv ose kreativitet të treguar nga ana e institucioneve tona, si dhe ndonjë rezultat nga ky kryesim”, i tha ai, Gazetës Jeta në Kosovë.

Qorraj shton se mossuksesin gjatë kryesimit e tregojnë edhe problemet tregtare me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, që është dashur të zgjidhen në kuadër të CEFTA-s. “As që është tentuar të zgjidhen përmes këtij mekanizmi, por janë bërë pjesë e bisedimeve të niveleve të tjera në Bruksel”. Sipas tij, institucionet e Kosovës është dashur që të kërkojnë zgjidhje për problemet rajonale tregtare, në kuadër të mekanizmave të CEFTA-s, prandaj edhe janë krijuar këto mekanizma.

Kryesimi i CEFTA-s ka më shumë karakter teknik dhe organizativ. Megjithëkëtë Qorraj thotë se Kosova duhet të vazhdojë të jetë pjesë e CEFTA-s, por qasja e saj, karshi problemeve duhet të jetë më serioze, permanente dhe më profesionale.

Ai përmend rastin kur BE-ja kishte ndërprerë preferencat tregtare për prodhimet vendore, por Ministria për Integrime dhe Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, këtë e kanë kuptuar
vetëm kur ka reaguar komuniteti i biznesit. “Institucionet duhet t’iu paraprijnë proceseve dhe të krijojnë parakushte për zhvillim të bizneseve, e jo e kundërta”.

Prodhuesi i lëngjeve, Bashkim Osmani, thotë se pavarësisht se Kosova e pati kryesimin, nuk mundi të ketë kurrfarë ndikimi që të ndryshohet politika e Serbisë dhe e Bosnjë e Hercegovinës, karshi prodhimeve kosovare. “Bizneset kosovare nuk ia kanë parë hairin CEFTA-s… Përveç masave të reciprocitetit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, bizneset e Kosovës nga CEFTA vetëm janë dëmtuar”, i tha ai, Gazetës JnK.

Osmani thotë se mosrespektimi i marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnja, si dhe pafuqia e institucioneve kosovare iu ka kushtuar me humbjen e tregut ndërkombëtar. Krahas mosrespektimit të marrëveshjes së CEFTA-s, edhe mungesa e preferencave tregtare me BE-në, e kanë rritur koston e eksportit të prodhimeve vendore.

Osmani ka treguar për Gazetën JnK se ai është detyruar që prodhimet e veta t’i eksportojë përmes Maqedonisë, për në vendet e tjera. Kjo bën që kostoja e transportit të jetë më e lartë për 35 deri në 40 për qind, e që e ngarkon biznesin e tij.

Ai nuk pret të ndryshojnë gjërat për bizneset kosovare edhe kur kryesimin e CEFTA-s ta marrë Shqipëria, nga 1 janari 2012. “Nuk pres ndryshime në këtë drejtim, pasi sikur Kosova edhe Shqipëria, nuk e ka fuqinë për t’u përballur me Serbinë”, thotë ky prodhues, i cili shton se reciprociteti i Qeverisë së Kosovës për prodhimet e Serbisë është dashur të zgjasë më shumë.

Ende në CEFTA si UNMIK/Kosovo

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, thotë për Gazetën JnK se kryesimi i Kosovës i Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA ka qenë vit produktiv. Ajo thotë se për shkak të presionit politik që ka bërë MTI-ja, është arritur deri të njohja e vulave doganore nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. “Kosova në CEFTA ka treguar se është shtet i cili i respekton marrëveshjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, e po ashtu jemi treguar shumë konstruktivë, me një aftësi për të me menaxhuar kapacitetet tona, pa ndërhyrje”, tha ajo.

Po ashtu, ajo vlerëson se Shqipëria do të vazhdojë proceset të cilat janë filluar nga Kosova, përfshirë çështjen e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA.

Por problem mbetet ende përfaqësimi i Kosovës si shtet. Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila thotë se përfaqësimi si UNMIK-Kosovo është për shkak se marrëveshja për anëtarësim është nënshkruar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. “Për me u ndërru formati i nënshkrimit të marrëveshjes duhet me marrë konsensusin e të gjitha shteteve anëtare. Kosova nuk e ka të Bosnjës, Serbisë dhe Moldavisë”.

“Roli i UNMIK-ut është gati formal, angazhimi në CEFTA bëhet prej palës kosovare përkatësisht MTI-së”, thotë ajo, ndërsa shton se kontakti i CEFTA-së është direkt me palën kosovare, kurse UNMIK-u vetëm informohet me zhvillimet.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, i cili ka qenë autoritet suprem në Kosovë ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, në emër të Kosovës, më 2006. Pas pavarësimit të vendit, më 2008, institucionet e Kosovës thonë se UNMIK-u nuk e përfaqëson Kosovën në asnjë marrëveshje, përfshirë CEFTA-n.

Shtetet anëtare të CEFTA-s, të cilat janë pajtuar për të bërë tregti ndërmjet vete pa barriera, janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia. Por,
Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk i kanë njohur vulat doganore me mbishkrimin e Republikës së Kosovës, duke mos lejuar prodhuesit kosovarë të kalojnë transit për transportin e prodhimeve për në vendet e tjera.

Rritje e ndjeshme e eksportit

Profesori i ekonomisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, thotë se kryesimi i CEFTA-s ka afirmuar Kosovën në kuadër të bashkëpunimit rajonal, por sipas tij nuk është shumë reale të priten menjëherë efektet e kryesimit. “Përmirësimi i mjedisit ecën shumë ngadalë e edhe tek pengesat dhe barrierat që disa nga vendet sikurse Serbia, e në një masë edhe Maqedonia, po i bëjnë tregtisë së lirë”.

“Megjithatë për të arritur më shumë efekte në CEFTA, në rritjen e eksportit, Kosova duhet të përmirësojë pozitën e bizneseve prodhuese vendore si dhe të jetë shumë më atraktive klima për
bizneset prodhuese”, thotë profesori Mustafa.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, thotë se nuk
mund të pritet më shumë nga kryesimi i CEFTA-s, për faktin e kush e ka përfaqësuar
Kosovën në të kaluarën. Sipas tij, deri më kryesimit e CEFTA-s nga zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, Kosova ka pasur një imazh të dobët dhe të pafuqishëm.

Ai thotë se duhet një pragmatizëm dhe një “agresivitet” në këto takime për të arritur qëllimet. Sipas tij, është menduar në fillim se kryesimi me marrëveshjen e për tregti të lirë do të këtë ndryshime në zhvillimin ekonomik. “Komuniteti i biznesit nuk dihet të jetë i kënaqur me të arriturat gjatë kryesimit me CEFTA-n”, thotë kryetari i OEK-së.
 
Eksporti i mallrave kosovare, sipas Doganave të Kosovës, me shtetet e CEFTA-s, për periudhën
janar – shtator 2010 ka qenë rreth 40.4 milionë euro. Në Shqipëri janë eksportuar 17.7 milionë euro; Bosnje dhe Hercegovinë rreth 1 milion euro; Kroaci, rreth 2 milionë euro; Moldavi rreth 5 000 euro; Mali i Zi, rreth 2 milionë euro; Maqedoni 16 milionë euro dhe Serbi 1.4 milionë euro.

Kurse në periudhën e njëjtë të këtij viti, në këto vende janë eksportuar mallra në vlerë 50 milionë euro. Ka pasur një rritje të ndjeshme të eksportit me Shqipërinë – 21 milionë euro; Malin e Zi – 3.8 milionë euro dhe Maqedoninë – 19.2 milionë euro. Kurse eksportet me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinë kanë shënuar rënie.