Ashton Kërkon Zgjedhje të Drejta

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendëskryetarja e Komisionit, Catherine Ashton ka thënë sot se zgjedhjet në Kosovë janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. 

Ajo po ashtu tha se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme për zbatimin e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të këtij viti.

“Shumë njerëz kanë punuar shumë për t’i përgatitur këto zgjedhje, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, dhe unë i përshëndes këto përpjekje. Një falënderim i veçantë i shkon OSBE-së, përkushtimi i së cilës me rolin e saj lehtësues ka qenë i dobishëm për të na sjellë aty ku jemi sot,” thuhet në komunikatën për shtyp të zyrës së Ashton-it.

Ajo i përshkroi kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë si të guximshëm që patën vizionin dhe kurajën për të arritur marrëveshjen e prillit dhe për zbatimin e saj.

Baronesha Ashton iu bëri thirrje Thaçit dhe Daçiqit për të siguruar zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. 

“BE-ja do ta përcjellë nga afër mbajtjen e zgjedhjeve. I inkurajoj të dy liderët që të adresojnë çfarëdo sfide të mbetur rreth zgjedhjeve”, tha Ashton në fund të deklaratës së saj.