Asamblisti i LDK-së, Atdhe Berisha, i cili është zgjedhur sekretar në SHML Gjimnazi "Bedri Pejani". FOTO: Atdhe Berisha, Facebook (9 shtator 2021).

Asamblisti i LDK-së në Pejë sekretar në gjimnazin “Bedri Pejani”

Në qershor të këtij viti, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Atdhe Berisha, është zgjedhur si kandidati më i suksesshëm për sekretar në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, komunë që udhëhiqet nga e njëjta parti.

Për detyrën e re kishte njoftuar edhe vet Berisha në llogarinë e tij në Facebook.

“Të dashur miq, përveç angazhimit tim si anëtar i Kuvendit Komunal, nga tani e tutje do ta ushtrojë edhe detyrën e Sekretarit të SHML Gjimnazi “Bedri Pejani” Pejë” – kishte shkruar Berisha më 12 korrik 2022 në Facebook.

KALLXO.com ka kontaktuar me Atdhe Berishën, asamblistin e LDK-së dhe tashmë sekretarin e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë. I njëjti ka thënë se është e drejtë e secilit të kandidojë për ndonjë pozitë.

“Unë mendoj që është e drejtë e secilit që mendon për një pozitë të kandidojë në bazë të kritereve të konkursit, dhe unë e kam parë të arsyeshme edhe pse jo…Sa i përket aktivitetit politik ato vetëm brenda kuvendit, unë shkoj. Unë i përcjelli procedurat e konkursit dhe mundem me komentu që i kam plotësu ato kritere dhe gjithçka ka shku në rregull për atë pa përfshirë as parti as kurgjo” – është përgjigjur ai për KALLXO.com.

“Sa i përket këtyre ndërhyrjeve politike që mund të bëhen apo aludohen të bëhen që kanë qenë në të kaluarën me ato nuk merrem. Unë mendoj vetëm që mund të përzgjidhem që i kam plotësuar ato kritere të cilat janë parë nga Drejtoria e Arsimit në këtë rast dhe i kam ndjekur ato procedura që është dashur, domethënë testimin e këto procedurat tjera edhe jam zgjedhur si kandidati më i suksesshëm. Ndërsa mendoj që s’ka pse të jetë konflikt interesi përderisa nuk ka ndërhyrje” – ka vijuar Berisha.

Sipas CV-së së Berishës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ai ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal të Pejës në mandatin 2017-2021, po ashtu nga viti 2017-2021 Berisha figuron të ketë qenë anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa gjersa nga viti 2021 ai figuron të jetë përsëri Anëtar i Kuvendit Komunal në Pejë në mandatin aktual 2021-2025.

FOTO: Web faqja zyrtare e komunës së Pejës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Pejë, Naser Gega, për të pyetur nëse ka pasur ndonjë ndërhyrje politike për zgjedhjen e asamblistit të Pejës si sekretar i gjimnazit “Bedri Pejani”.

Gega ka thënë se përzgjedhja e Berishës si kandidati më i sukseshëm është bërë për shak të përgatitjes së tij profesionale dhe rezulatateve në test e intervistë.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, përgatitja profesionale dhe rezultatet e testit që i ka pasur me shkrim dhe intervistën me gojë” – ka thënë Gega për KALLXO.com.

Gega e ka pohuar se kanë qenë në dijeni se Berisha është asamblist i LDK-së.

“Po, po e kam ditë atë punë, por në këto raste krejt cilësia vendosë, nuk vendosë asnjë rrethanë tjetër” – ka thënë ai teka ka shtuar se momentalisht ligji nuk e pengon Berishën në situatën e tij. Nëse më vonë ka për ta ndaluar ligji si më herët, për shembull këta që janë drejtorë të institucioneve, nëse është drejtor i shkollës nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe drejtor edhe asamblist. Në këtë drejtim nuk e atakon ligji dhe nëse në ta ardhmen merret ndonjë vendim që e atakon atëherë me dy pozita duhet më i lëshu, ama për momentin nuk e atakon” – ka vijuar Gega.

Sipas konkursit të shpallur më 22 prill 2022, kontrata e punës për sekretarin e gjimnazit “Bedri Pejani” do të ketë një kohë të pacaktuar.

Komuna e Pejës numëron mbi 45 shkolla. Kjo komunë po udhëhiqet në mandatin e tretë nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Në gusht të vitit 2020, KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim në lidhje me drejtorët politikë të shkollave në Pejë.

Anëtarët e LDK-së në Pejë bëhen drejtorë shkollash