Artistët Kapërcejnë Kufirin në Internet

Kur Patriotic Hypermarket – drama që synonte të sillte shqiptarët e serbët së bashku – ishte shfaqur në Beograd, një njësi policore duhej çuar atje për të siguruar aktorët.

Kjo shfaqje nuk është dhënë në Prishtinë asnjëherë. Pavarësisht premtimeve për të bërë një gjë të tillë, Teatri Kombëtar i Kosovës si duket ka nevojë për kohë.

Shfaqja është pjesë e një numri të produksioneve ndër-kufitare që janë penguar nga tensioni i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila vazhdon ta trajtojë Kosovën si provincë të saj.

Por, një brez i ri i artistëve po anashkalon nacionalistët e të dyja anëve të kufirit duke përdorur Internetin – duke u mbledhur në Skype ose shkëmbyer ekspozitat në Facebook.

Hija e politikës

Trembëdhjetë vjet pasi përfundoi lufta e Kosovës, artistët kosovarë dhe serbë janë duke bërë hapa të vogël drejt bashkëpunimit me njëri tjetrin me ndihmën e organizatave të huaja.

Por këto aktivitete vazhdojnë të jenë të brishta. Një ekspozitë në vitin 2008, “Exception: The Contemporary Art Scene of Prishtina”, ishte ndaluar të hapej në Beograd pasi që Shoqata Serbe e Artistëve dhe organizata ultra-nacionaliste Obraz protestuan.

Inati serb u zgjua pasi që në një nga faqet e katalogut të ekspozitës ishte i shfaqur komandanti i UÇK-së Adem Jashari.

Alban Muja, pjesëmarrës në këtë ekspozitë, thotë që nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim serioz me artistët serbë që nga atëherë.

“Ky bashkëpunim nuk është përshëndetur shpesh nga pjesa tjetër e të ashtuquajturve artistë apo pjesa tjetër e shoqërisë, sidomos në Serbi”, thotë ai.

“Por ka pasur shpesh kritika edhe tek ne, por jo nga ndonjë zë serioz a profesional”.

Organizatorët e Patriotic Hypermarket, Kulturanova nga Beogradi dhe Qendra Multimedia nga Prishtina, nuk e dinë pse Teatri Kombëtar i Kosovës ka përçmuar përpjekjet për të vënë në skenë këtë shfaqje.

Pasi që kishin kontaktuar teatrin vitin e kaluar, atyre u ishte konfirmuar që shfaqja do të jepej për Nëntor dhe Dhjetor por premtimi nuk është mbajtur. 

Milan Vracar, Drejtor i Kulturanovas, thotë se shfaqja nuk do t’a arrijë qëllimin e saj nëse nuk shfaqet edhe në Prishtinë.

“Mendoj se kjo është shumë domethënëse edhe për publikun e Prishtinës,” thotë ai.

“Shfaqja nuk do t’a arrijë qëllimin e saj nëse nuk shfaqet edhe në Prishtinë” Milan Vracar

Patriotic Hypermarket është pjesë e projektit multidiciplinar “Pamje nga Dritarja Ime” që merret me rrëfimet personale nga Serbia dhe Kosova.

Si pjesë e tij, 40 serbë dhe shqiptarë të Kosovës ishin intervistuar dhe kishin rrëfyer kujtimet e tyre rreth luftës së Kosovës, pritjet e tyre për të ardhmen dhe mundësive të pajtimit.    

Këtë material, Milena Bogavac, dramaturge nga Beogradi, dhe Jeton Neziraj, dramaturg nga Prishtina, bashkëpunuan për të shkruar dokumentarin. Dino Mustafic, regjisor nga Sarajeva, punoi me aktorët nga Beogradi, Prishtina, Shkupi e Tirana.

Neziraj thotë që kultura vazhdon të mbetet peng i politikës. “Grupet e frustruara të horrave nacionalistë përmes targetimit të iniciativave kulturore të kësaj natyre synojnë të mbushin bateritë e tyre të ndryshkura patriotike”, thotë ai.

Por, Shasivar Haxhijaj, këshilltar politik i Ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi thotë se kjo çështje është më e komplikuar.

Ai thotë se kjo ministri nuk bashkëpunon institucionalisht direkt me Serbisë. “Përderisa nuk njihemi si shtete mes vete atëherë edhe këto forma të bashkëpunimit nuk mund të ndodhin”, thotë ai. 

“Përderisa nuk njihemi si shtete mes vete atëherë edhe këto forma të bashkëpunimit nuk mund të ndodhin” Shasivar Haxhijaj

Hypermnesia, një shfaqje e bazuar në tregimet personale të tetë aktorëve të lindur në ish-Jugosllavi, gjithashtu është ballafaquar me probleme kur ishte planifikuar të vinte në Prishtinë.

Vetëm pas intervenimit të nivelit ministror, Teatri Kombëtar u pajtua ta shfaqte. Në mesin e aktorëve ishte edhe Alban Ukaj i cili flet serbisht dhe shqip gjatë lojës së tij në këtë shfaqje.

Burime nga Teatri, të cilët kërkuan të mbesin anonime, na thanë që Teatri Kombëtar nuk donte të sillte këtë shfaqje në Prishtinë, derisa Petrit Selimi, Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme, intervenoi.

Selimi e konfirmoi që kishte intervenuar për Hartefact, producentët e Hypermnesia-s. “Po, i kam ndihmuar Hartefact të vijnë në Prishtinë”, tha ai.

Milan Vracar, drejtor i NovaKultura, e cila ka prodhuar Patriotic Hypermarket, e vlerëson këtë veprim.

Në përgjithësi nuk është mirë kur politika intervenon në kulturë, por në këtë rast, bazuar në atë çka kam dëgjuar, ishte e domosdoshme.

“Është mirë që kjo shfaqje, është shfaqur në Prishtinë, pasi që pa një veprim të atillë, nuk do të mund të shfaqej”.

 

foto  
Nga Face the Reflection. Foto: Berin Hasi  

 

Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Teatrit insiston që nuk ka prapavijë politike ose nacionaliste se përse Patriotic Hypermarket nuk është shfaqur ende.

“Patriotic Hypermarket do të shfaqet kur të kemi ditë të lira në program të teatrit, tha ajo.
“Nuk ka arsye të tjera prapa kësaj [vonese]”, tha ajo.”Nuk e di si mund të mendoni në këtë mënyrë, thjesht kemi pasur shfaqje të tjera në program.”

Fuqia e artit

Producenti i shfaqjes Hypermnesia, Andrej Nosov, thotë se arti është i domosdoshëm për të rindërtuar bashkëpunimin regjional.

“Shpesh, shumë njerëz e përjashtojnë artin dhe fuqinë e tij”, thotë ai. “Harrojnë që shumë rrallë epokat mbahen mend sipas politikanëve, më shumë mbahen mend sipas artistëve – sidomos ato epoka të cilat kanë qenë turbulente”.

“Arti ka fuqi të madhe të themelojë komunikim, të zgjerojë kufijtë dhe të krijojë hapësirë të lirë për mendim, në çdo nivel”, shton ai.
 
Por me tensionimet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkëmbimet ndërkulturore vazhdojnë të heqin.

Një OJQ nga Kosova, që udhëheq programet kulturore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, na tha se ka anuluar një udhëtim për në Beograd pas arrestimeve të fundit.

“Kishim planifikuar të vizitojmë me një grup të shqiptarëve Beogradin, por e anuluam pas arrestimeve të fundit”, na tha zyrtari i kësaj OJQ-je.

Rrjetet sociale

Përderisa komunikimi direkt vazhdon të jetë problematik, artistët gjejnë mënyra të tjera për t’i ikur kësaj bllokade.

Ana Dragic, menaxhere e projektit “Face the Reflection”, filloi të përdorë Facebookun për të punuar me artistë nga Beogradi e Prishtina.

Ideja i erdhi derisa ishte duke studiuar në Amerikë dhe u miqësua me shqiptarë.

foto  
Nga Face the Reflection. Foto: Berin Hasi  

 

“Ishte një paradoks, që unë duhej ta kaloja oqeanin për të takuar dikë nga një qytet vetëm 6 orë larg me makinë. Ajo përvojë ishte krruciale për mua që të fillojë këtë projekt”, thotë ajo.

Artistët të përfshirë në këtë projekt nuk e njihnin njëri-tjetrin. Ata komunikonin vetëm përmes fotografive, por jo përmes fjalëve.

Për Dragic është i pamundur bashkëpunimi ndërkulturor ndërmjet artistëve nga Kosova dhe Serbia pa ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

“Marrëdhënia ndërmjet artit kosovar dhe atij serb është një metaforë e brishtë e relacioneve politike – ata kanë nevojë për një negociator”, thotë ajo.

Të tjerët po përdorin Skype për të kaluar kufijtë. Këtë gjë e shfrytëzonë rock grupi The Artchitects, të përbërë nga muzikantë shqiptarë e serbë nga të dy anët e qytetit të ndarë të Mitrovicës.

Politika dhe çështjet e sigurisë tregojnë se pse ata përdorin Skype.

Gitaristi Leart Gara thotë që mësuesi i tij nga Mitrovica Rock School, Ruud Brogers, i sugjeroi atyre që të formojnë The Artchitects pasi që i kishte dëgjuar të performonin individualisht në vitin 2011.

Problemi ishte që ata nuk mund të takoheshin me njëri tjetrin në Mitrovicë. Ata mund të takoheshin vetëm një herë në Shkup, Maqedoni, për të ushtruar dhe incizuar. Në ndërkohë ata ushtrojnë përmes Skype dhe Facebook.

”Fakti që ata duhet të shkojnë diku tjetër për të ushtruar i thotë të gjitha,” thotë Brogers.

The Artchitects është i formuar nga tre serbë nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe dy shqiptarë nga jugu.

Leart Gara dhe Blerta Kosova, dy shqiptarët, thonë që e duan muzikën dhe nuk ua ndien për politikë.

“Në histori, muzika ka ndryshuar politikën, Jimmy Hendrix, Bob Dylan, Woodstock dhe shumë njerëz dhe ngjarje të tjera”, thotë Lerati. “Muzika ka luftuar gjithmonë për paqe. Qëllimi ynë është paqja.

“Motivimi është i madh dhe nuk kemi asnjë problem mes vete, jemi shokë. Problemet politike nuk janë për ne. Ne bëjmë art kështu që nuk jemi të interesuar në këto gjëra”, shton Blerta.

“Motivimi është i madh dhe nuk kemi asnjë problem mes vete, jemi shokë. Problemet politike nuk janë për ne” Blerta Kosova

Ndonëse janë formuar rishtazi, ata kanë më shumë se katër këngë origjinale të inqizuara, kanë performuar dy herë në Holandë dhe në Shkup.

Por performimi në Mitrovicë nuk është në plan dhe tre anëtarët serbë të grupit refuzuan të përgjigjen në pyetjet tona, duke thënë që ndihen jo rehat kur diçka lidhet me “politikën”.

Në një intervistë të mëparshme me webfaqen Transitions Online, Filip Milovanovic, bateristi serb në bend, thoshte që ai kurrë s’e kishte takuar dikë nga Mitrovica e jugut para se të shkonte në Shkup në shkollën verore.

“Të jepet mundësia të luash muzikë dhe të takohesh me njerëz nga jugu”,shton ai.
Në këtë pjesë të qytetit, flamujt e Serbisë valojnë në secilin qosh të rrugës. “Në TV flasin për [shqiptarët] në një mënyrë tjetër, por kur i takon ata, është krejt ndryshe”, theksoi ai.