Artistët Duan ta Braktisin Kosovën Geto

Statusi jozyrtar i Kosovës si “geto” e Evropës është një burim i frustrimit shumë të madh për artistët e vendit, disa prej të cilëve as nuk mund të marrin pjesë në ekspozitat personale jashtë vendit, për shkak të kërkesave për viza.

Udhëtimi për qytetarët e vendit që e shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, mbetet i vështirë.

Ndryshe nga qytetarët e vendeve fqinje, kosovarëve iu duhen vizat për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian dhe janë në pamundësi të vizitojnë disa destinacione, sepse pasaportat e tyre nuk pranohen atje.

Dizajnerit grafik, Rrezeart Galica, dy herë i është refuzuar aplikimi për vizë, si rrjedhojë e së cilës ai u desh të tërhiqet nga ekspozita, ku punimet e tij u desh të paraqiten.

“Në fund të vitit 2009, unë kam marrë një ftesë nga Shoqata Kulturore në Parisit që të hapë një ekspozitë atje”, kujtoi ai.

“Fillova të kompletoj dokumentet e nevojshme për aplikim për vizë franceze. Pasi që vizita ishte e lidhur me aktivitete kulturore, mendova që do të bëhet shumë lehtë. Përgatita gati të gjitha 30 punimet e mia, shtypa rreth 200 posterë e katalogë dhe isha i bindur që viza do të jepet shumë lehtë, por unë u refuzova,” shtoi ai.

“Kurrë nuk kam menduar që Franca, si djepi i kulturës evropiane, do të më refuzonte”.
 
Regjisorja Blerta Zeqiri, filmi i së cilës muajin e kaluar fitoi një çmim në festivalin prestigjioz amerikan “Sundance Festival”, nuk mundi të udhëtojë në festivalin e filmit në Egjipt, në vitin 2003, sepse ajo nuk mund ta merrte vizën.

Ky problem do të thotë që artistët kosovarë janë shpesh të ndaluar nga pjesëmarrja në festivalet ndërkombëtare, ose ekspozitat, thotë ajo. “Ka vende në të cilat është shumë e vështirë të udhëtohet, jo vetëm për shkak të vizës, por për shkak se ata nuk e njohin pasaportën e Kosovës – si Bosnja ose Argjentina”, shton Zeqiri.

Ajo e përshkruan procedurën e marrjes së vizave për qëllime artistike si shumë të komplikuar dhe kohë të shpenzuar, duke përfshirë mbledhjen e “miliona” dokumenteve. “Puna e artistit zakonisht mund të prezantohet pa praninë e artistit, por duke qenë i pranishëm është e rëndësishme sepse shpesh i jepet mundësi kontakteve të reja dhe projekteve në të cilat Kosova mund të marrë pjesë,” vazhdon ajo.

Dramaturgia Doruntina Basha tha se ajo e konsideron fyes procesin e aplikimit për vizë.

“Procesi i aplikimit për vizë është shumë ofendues. Me dhjetëra dokumente duhet të dorëzohen për të treguar që aplikuesi nuk është gënjeshtar dhe më me rëndësi që ai planifikon të kthehet në shtëpi pas udhëtimit,” the Basha. “Çfarë artisti nuk do të kthehet në shtëpi?” pyet ajo. 

Arian Krasniqi, një dramaturg dhe kritik i kulturës, beson se izolimi i Kosovës e ka varfëruar jetën kulturore.

“Lehtësimi i vizave do të promovonte jetën kulturore dhe artistike të vendit tonë,” tha Krasniqi.
“Artistët nuk janë në gjendje të zhvillohen në këto rrethana.”

Albert Heta, bashkë-themelues dhe drejtor artistik i Qendrës Stacion për Art Bashkëkohor në Prishtinë, pajtohet se  izolimi i Kosovës dhe mungesa e lëvizjes së lirë ka ndikuar në jetën kulturore.

“Ndikimi më i madh është… ndjenja e Kosovës për izolim, e cila rezulton me pamundësinë tonë të komunikojmë me botën,” tha Heta.

Alban Muja, artist i mirënjohur kosovar, për vete nuk është ballafaquar me vështirësitë e sigurimit të vizave, por frikësohet se të tjerëve u është marrë e drejta nga një përvojë e rëndësishme e të mësuarit.

“Për njerëzit që merren me kreativitet është gati e pamundur të synojnë të bëjnë diçka, nëse mungon liria e lëvizjes, sepse nuk e ke mundësinë të shohësh çka po ndodh në botë,” tha ai.

“Fatkeqësisht, shumë artistë tanë të rinj nuk i kanë mundësitë që kolegët e tyre në cilindo vend normal i kanë dhe si rezultat kanë shumë pak informacion,” shtoi Muja.

Kthimi i frustrimit në frymëzim

Por disa artistë janë duke e kthyer këtë teori mbrapsht, duke përdorë izolimin e Kosovës si burim paradoksal të frymëzimit. Kur Galica nuk kishte mundësi të udhëtonte në Paris për ekspozitën e tij, ai vendosi ta kthejë përvojën dhe ndjenjat e ti për këtë gjë në një punim arti.

“Unë fillova të mendoj rreth një koncepti bazuar në mbajtjen në mend të refuzimit francez, i cili e kishte shkatërruar ekspozitën time. Shumë artistë të tjerë kanë vuajtur fatin e njëjtë, prandaj duke marrë parasysh këto fakte dhe të tjerat të cilat ndërlidhen me qytetarët e Kosovës, unë vendosa që koncepti im i ardhshëm në Berlin to të prekë mbi çështjen e liberalizimit të vizave,” tha ai.

“Kërkova nga të tjerët të cilët kanë aplikuar për viza të skanojnë pjesën e refuzimit duke menduar të bëjë diçka të quajtur ‘JO MË’”.

“Koncepti ishte në një formë që kishte për qëllim të apeloj nga Evropa heqjen e vizave [për kosovarët],” shtoi ai. “Rastësisht, ekspozita u hap dy ditë  para se BE filloi dialogun për lehtësimin e vizave [për Kosovën],” theksoi Galica.

Artistë të tjerë kanë punuar me temë të ngjashme. Ekspozita e vitit 2010 e quajtur “Martesa e Bardhë”, paraqiti gjashtë artistët kosovarë – Arta Agani, Artan Balaj, Arzana Kraja, Dafina Hajra, Lorik Sylejmani dhe Majlinda Kelmendi – ishte referencë e qëllimshme ndaj të ashtuquajturës listës “Së Bardhë” të Schengen-it.

Është anëtarësia në këtë listë që i lejon shtetasit e një vendi të hyjnë në Evropë pa viza. Balaj, njëri nga artistët e përfshirë, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se mesazhi kishte për qëllim t’i drejtohej burokratëve të Brukselit – dhe duket se ka pasur sukses. “Ekspozita është pranuar me interes të madh nga publiku,” theksoi ai.

“Audienca kryesisht ka qenë e përbërë nga vendimmarrësit për Kosovën, parlamentarët evropianë dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik ne Bruksel.”

Dera e getos hapet me një plasaritje?

Në të ardhmen, artistët mund të mos i synojnë zyrtarët e BE-së në mënyrë aq të qëllimshme.
Më 19 janar, Cecilia Malmstrom, Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, vizitoi Kosovën për të lajmëruar fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave. Nëse  Kosova e përmbush një seri të standardeve, përfundimisht do të bëhet pjesë e zonës së BE të liruar nga vizat, ka konfirmuar Malmstrom.

Heta thotë se ndryshimi nuk mund të vijë mjaft shpejt.  “Imagjinoni nëse ne mund t‘i kemi parë të gjitha ndryshimet të cilat kanë ndodhur përreth botës; në vend të kësaj ne kemi qenë në geto gjatë gjithë kësaj kohe.

“Ne mund të kemi zhvilluar ide të reja, fitojmë çmime të reja dhe ta bëjmë ndryshimin,” shtoi Heta. Muja thotë se procesi tanimë ka zgjatë tepër shumë dhe nuk po i shihet fundi.

“Zgjatja e këtij dialogu ka dëmtuar artistët kosovarë dhe përparimin e tyre. “Të rinjtë tanë do të jenë të ngujuar për vite në vijim.”

Por të tjerët ndihen më optimistë. Fotografi Jetmir Idrizi thotë nëse procesi i dialogut për viza ka sukses, do të ndryshojë tërë perspektivën e artistëve kosovarë. “Natyrisht nëse kjo ndodh do të jetë një ndryshim përfitues,” tha ai.

“Unë e urrej burokracinë e ambasadave. Ne do ta kemi mundësinë t’i eksplorojmë kulturat e reja, të shohim punimet e të tjerëve dhe të integrohemi… dhe kjo është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë skenës artistike të getoizuar,” shtoi Idrizi.

Trina Gojani, një autore dhe përkthyese, ndihet ngjashëm. “Unë kurrë nuk kam qenë në Paris, por më pëlqen shumë tregimi i Kuazimodos në Notre Dame. Kurrë nuk kam qenë as në Holandë, por do të doja të shoh se prej nga ka ardhur Van Gogh”, thotë ajo.

“E vetmja mundësi për mua të perceptoj botën momentalisht është përmes librave dhe filmave,” shton ajo.

Ky artikull është financuar në kuadër të projektit BICCED, të përkrahur nga Programi Kulturor Zviceran