Foto: Atdhe Mulla

Arti i tatuazheve: Histori e krenarisë, paragjykimeve dhe e pop-kulturës

Shekuj më parë, arti i tatuazheve festohej si një ndër format më të larta të artit në Ballkan. Me kalimin e viteve, kjo praktikë kritikohej secilën herë e më shumë – e rezervuar vetëm për bandat, kriminelët dhe ushtarët. Sot, praktikuesit e tatuazheve në Kosovë e shpjegojnë ringjalljen e artit të trupit dhe popullaritetin e tij të madh e të zbuluar rishtazi.

Rikthim në vitin 1978: 21-vjeçari Faruk Gashi po shërben si oficer ushtarak pasi u rekrutua në Ushtrinë Kombëtare Jugosllave, JNA. Ai është i vendosur në Ohër, një qytet jug-perëndimor në Maqedoninë e Veriut. I pa shqetësuar, dhe i rrethuar nga miqtë që i jepnin kurajo, Faruku me dëshirë i ofron parakrahun e tij një oficeri tjetër, i cili është i armatosur vetëm me gjilpërë dhe bojë.

Pas pak, ai hap sytë, dhe kthen sytë poshtë për ti parë shkronjat JNA të bëra tatuazhe përgjatë krejt mesit të krahut të tij, bashkë me  fjalën OHRID dhe datën 15.06.78.

Sot, 41 vjet më vonë, Gashi e lëkund parakrahun e tij në tavolinë dhe tatuazhi i tij me shkronjat shumë të zbehura është pothuajse e pamundur të dallohet. Megjithëse i vjen keq për vendimin e tij, e harron këtë dhe thotë. “Të gjithë miqtë e mi atëherë kishin tatuazhe, gjarpërinj, gra cullak… njerëzit i bënin gratis me një gjilpërë. Unë u përpoqa ta fshij menjëherë, por nuk munda dot, “tha ai, duke qeshur.

Megjithatë, kjo nuk ishte gjithmonë një çështje si hajgare për të. Ai kurrë nuk e lejoi babanë e tij, një imam, t’ia shihte atij tatuazhin dhe njerëzit i thanë Farukut se nuk do ta kishte një varrim të duhur për shkak se ai kishte tatuazhin në lëkurën e tij. Një dekadë më vonë, në vitin 1988, Faruku ishte aq dëshpërues në përpjekjen e tij për ta hequr këtë shenjë ushtarake në krahun e tij andaj udhëtoi për në Nish, Serbi, te një mjek për të cilin kishte dëgjuar se mund ta hiqte atë.

Foto: Atdhe Mulla

“Mjeku më tha që mënyra e vetme për ta hequr atë ishte të mbulosh tatuazhin me një copë lëkure duke e marrë prej atje poshtë,” tha ai, duke bërë me shenjë për një copë aty prapa. “Nuk ka asnjë mënyrë që të mund ta bëja këtë.”

Historia e fundit e tatuazheve në Ballkan ka qenë e lidhur ngushtë me konfliktin, nga trashëgimia e kontraverse e tatuazheve të ushtrisë jugosllave në fillimshekullin e 20-të dhe nga policë serbë duke kërkuar tatuazhe falas nga artistët shqiptarë gjatë viteve 1990, deri tek prania e ushtarëve të NATO-s në fillim të viteve 2000, të cilët luajtën një rol vendimtar për të mbajtur gjallë industrinë e tatuazheve në Kosovë.

Sidoqoftë, mentaliteti shoqëror dhe peizazhi kulturor dhe ekonomik i Kosovës po ndryshojnë, një gjeneratë e re e artistëve bashkëkohorë të tatuazheve po e transformojnë këtë industri dhe po e largojnë atë nga trashëgimia e saj e komplikuar.

Praktikat tradicionale të tatuazheve në Ballkan

Në të gjithë Ballkanin, tradita e përdorimit të artit trupor filloi shumë kohë para se Faruku dhe miqtë e tij të silleshin vërdallë me gjilpëra dhe bojë në dorë. Sipas Lars Krutak, një antropolog i specializuar për artin trupor, origjina e tatuazheve në rajonin e Ballkanit mund të lidhet përsëri me gratë që predikonin fenë katolike, apo, ndoshta, edhe më herët në histori.

“Nuk dihet se kur apo ku e kishte origjinën praktika e bërjes së tatuazheve midis katolikëve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë, apo edhe vllehëve të Shqipërisë së Jugut dhe Greqisë veriore,” tha ai.

Krutak përmend antropologët nga shekulli 20 duke risjellë ndër mend se si tatuazhet në Shqipëri dhe rajonin përreth ishin të lidhur jo me fenë katolike, por me “një numër të besimeve të çuditshme pagane” që kanë të bëjnë me errësirën, dritën dhe fuqitë e tjera të shenjta, jo drejtpërdrejt të lidhura me nocionet tradicionale të Krishterimit.

Sipas Krutak, antropologët Ciro Truhelka dhe Mario Petric ishin skeptik ndaj faktit se origjina e tatuazheve mund të ishte e ndërlidhur me katolicizmin. Në shkrimet e tyre në fund të shekullit të 20-të, Truhelka dhe Petric thanë se modelet e zbuluara në lëkurën e njerëzve në shekujt e fundit – kombinimet e kryqëzatave, trupat qiellorë dhe simbolet tjera natyrore të tilla si hëna, dielli dhe bimët – datojnë gjatë me krishterimin.

Foto: Gjergj the Goat Head Tattoo Studio

Krutak tha se arti trupor në Ballkan bëhej nga “pluhuri që nxirrej nga një lloj pishe e egër, e cila mblidhej në një pjatë dhe më pas kombinohej me mjaltë, ujë, pështymë dhe qumështin nga gjiri i garve që kishin një fëmijë mashkull me sy blu. »Edhe substanca tjera janë shtuar gjithashtu për të formuar bojën, duke përfshirë qumështin nga një dele e zezë, qumështin e kuajve, të verdhtë e vezës, lëngun e manave të dëllinjës, ujin e shenjtë dhe sheqerin.

Edhe artistët e tatuazheve edhe pajisjet që kishin përdorur ishin hequr nga studiot moderne të tatuazheve. “Modelet tradicionale të tatuazheve u aplikuan nga gratë e moshuara, të cilat fillimisht dekoronin dizajnin mbi lëkurë duke përdorur pjesën e butë të gjilpërës së tyre të tatuazheve ose përmes ndonjë pendë pule,” shpjegoi Krutak. “Ndonjëherë dizajni ishte gdhendur në një pjesë të shelgut apo lëvores së frashërit, dhe vulosur në shtresën e jashtme të lëkurës.”

Këto praktika po zhduken me shpejtësi të madhe në Ballkan, tha Krutak, sepse gratë që vazhdojnë të ndjekin këtë traditë janë në një moshë të shtyer tani. Krutak i kaloi disa vite në Ballkan në fillim të viteve 2000, duke zbuluar më shumë rreth traditave të tatuazheve. “Kur isha në Greqinë veriore në vitin 2002, i gjeta vetëm dy gra vllahe me tatuazhe – të dyja ishin më shumë se 90 vjeçare,” tha ai.

Ushtarët, bandat dhe frika

Krutak ka kaluar kohë në Ballkan që nga viti 1998, së pari në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më pas duke jetuar në Kosovë në periudha të ndryshme midis viteve 2000 dhe 2002, duke banuar në Suharekë, Dragash dhe Mitrovicë gjatë kohës sa punonte për OSBE.

Në kërkimin e artistëve që punojnë në Kosovë në vitin 2001, kërkimet e Krutak e çuan atë tek personi i quajtur Naki Krasniqi në Prizren. “Kam qenë shumë shpesh në Prishtinë për takime mirëpo nuk arrita ta gjej asnjë artist atje gjatë asaj kohe. Kisha dëgjuar për një artist nga Prishtina të cilin Naki po e ndihmonte të stërvitej dhe një tjetër që u nis për në Gjermani, por me gjasë ishte vetëm Naki artist i tatuazheve që punonte në Kosovë, “tha ai.

“U mahnita se me sa fatkeqësi ishte përballura ai gjatë luftës: mercenarët rusë dhe ushtarët serbë e detyruan Nakin t’u bënte tatuazhe falas, dhe nëse do të refuzonte ta bënte një gjë të tillë, ata e kërcënonin që ta vrisnin atë dhe familjen e tij,” vazhdoi Krutak. “Më në fund, Naki dhe familja e tij u larguan për në Shqipëri derisa lufta të përfundonte.”

Kur Naki u kthye nga Shqipëria dyqani i tij ishte shkatërruar, por pasioni i artistit për artin e shtyu atë të rindërtojë dyqanin e tij përsëri, duke i bërë vetë Krutakut një tatuazh të madh në krahun e tij të majtë.

Foto: Atdhe Mulla

Naki nuk ishte i vetmi artist i tatuazheve që u përball me probleme në vitet ‘90. Enes Baxhaku, një artist tatuazhesh nga Prizreni me studion e tij në qytetin e lindjes dhe në Prishtinë, e rikujton mbylljen e studios së tij të parë gjatë luftës.

“Unë punoja që nga viti 1994, por thjesht bëja punë dore, bëja tatuazheve amatore,” tha ai. “Në atë kohë, klientët e mi kryesorë ishin anëtarë bandash, njerëz që donin këtë lloj tatuazhi, pra tatuazh me stil burgu.”

Vetëm kur lufta mori fund Baxhaku filloi të dizajnojë dhe tatuazhojë në mënyrë profesionale. Kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, atëherë u hapën edhe dyert për të sjellë edhe pajisjet e duhura. Në fillim të viteve 2000, tha ai, tatuazhet akoma nuk ishin aq popullore, për shkak të fesë dhe për shkak të ndërlidhjes të stilit që përdorej nga Baxhaku, tatuazhe dhe dizajne që asocioheshin me kriminalitetin.

Menjëherë pasi filloi të punojë në Prishtinë në vitin 2004, pothuajse të gjithë klientët e tij ishin anëtarë të trupave të KFOR-it të stacionuar në Kosovë. “Trupat e KFOR-it, ndërkombëtarët dhe banda e motoristëve të mi, Shqiponja e Zezë. Ne jemi 89 anëtarë, ata janë vëllezërit e mi,” tha ai, mirënjohës që ata ishin të interesuar në stilin e tij të preferuar të tatuazheve – të zi, gri dhe djallëzor.

Biznesi i tyre e mbajti atë në trend derisa tatuazhi u bë më i popullarizuar në shoqërinë kryesore. Tani, Baxhaku ka studion e ëndrrave të tij. I emëruar si pas bandës së tij së motoristëve, studioja e tij ‘Shqiponja e Zezë’ në Prizren është e pajisur me stacione të mjaftueshme për listën e tij në rritje të nxënësve, dhe koleksioni i tij i motoçikletave klasike zë hapësirën më meritore në këtë studio.

Lulëzimi i industrisë

Industria e tatuazheve është rritur në mënyrë marramendëse që nga përfundimi i luftës, dhe Baxhaku nuk është i vetmi që ka pasur sukses që atëherë. Sulejman Fani dhe Betim Kadriu hapën studion e tyre të vogël të quajtur ‘Heavy Ink’, në muajin shkurt. Sipas tyre, klientela ka ndryshuar në mënyrë dramatike që kur Baxhaku dhe Naki ishin duke punuar në Prizren.

Foto: Atdhe Mulla

“Tatuazhet që përdoreshin më parë për njerëzit që ishin në burg ose në ushtri, këtu kishte filluar ky trend” tha Kadriu. “Këtu ka artistë tatuazhesh të cilët suksesin e tyre ua kanë borxh shumë ushtarëve të NATO-s të stacionuar në Prishtinë.”

Tani, thotë ai, industria është majë të suksesit. “Tatuazhet nuk janë me të vërtetë diçka tabu, nuk është e nevojshme të jesh një bandit apo rrugaç për t’i bërë ato. Mund të shihni  njerëz, pjesëtarë të grupeve të famshme apo edhe në filma që i kanë ato. Tatuazhet nuk janë me aq rëndësi tash e tutje. ”

Alaudin Murturi, i cili e udhëheqë ‘Prishtina Ink Tatoo’, pajtohet me këtë. Por sipas tij, industria e tatuazheve është akoma, pothuajse, e importuar në mënyrë ekskluzive, me pajisje, trajnime dhe madje edhe pjesa më e madhe e klientëve që vijnë në Kosovë, vijnë nga jashtë. “Pothuajse të gjithë klientët e mi tani janë nga diaspora, njerëz nga Gjermania dhe Zvicra,” tha ai.

Për të mësuar se si duhej nisur me artin e tatuazheve dhe të gjejë pajisjet e duhura, Alaudinit  iu desh të transferohej në Luksemburg, dhe të punonte falas në një studio tatuazhesh, duke pastruar, ndërruar gjilpëra dhe duke mësuar ngadalë se si të bënte dekorime, skica dhe dizajne të vogla. Pas gjashtë muajsh, tha ai, pronari i studios mi dha dy makina falas.

Para se të fuste duart në një makinë, Alaudini i përdori masat më drastike për të ndezur dëshirën e tij që të bëhet një artist tatuazhesh.

“Unë jam lindur duke e ditur se kjo ishte ajo që doja të bëja. Mbaj mend që isha dhjetë vjeç dhe shkoja te ndonjë i huaj të cilin dhe e pyesja për tatuazhet e tyre,” tha ai. “Unë i bëra tatuazh vetes sime dhe dy ose tre miqve të mi gjatë shkollës së mesme në stilin “stick-’n-poke”, pastaj ndërtova motorin tim elektrik për të bërë makinën duke e prishur paraprakisht një radio të vjetër dhe duke përdorur pjesët e saja. Ishte budallallëk dhe e rrezikshme, por miqtë e mi janë akoma të gjallë dhe ata akoma i duan tatuazhet e tmerrshme që ua bëra unë”.

Foto: Prishtina Ink Tattoo

Para se të bëhej një artist i suksesshëm i tatuazheve në Shkodër, Shqipëri dhe Prishtinë, profesorët e tij i kishin thënë Sulejman Fanit që të mos e fillonte asnjëherë këtë zanat. “Unë isha duke studiuar në Fakultetin e Arteve në Shkodër, dhe profesorët më thanë që bërja e tatuazheve nuk ishte për mua,” tha ai. “Ata thanë se kjo është një punë e papastër dhe nuk është me të vërtetë një art. Por, sidoqoftë, unë e bëra – fillova të paguaj shkollimin, mund ta bëja këtë sipas mënyrës sime dhe njëkohësisht të bëja këtë i pakufizuar nga dikush apo diçka. Tani, nuk kam nevojë ta bëj këtë për para. Ne kemi sukses sepse tani njerëzit e kuptojnë se tatuazhi është një formë arti. ”

Nuk ka asnjë artist të tatuazheve në Kosovë që e merr këtë liri aq seriozisht sesa Albana, e cila hapi studion e saj me emrin ‘Gjergj the Goat Head’, në fillim të këtij viti, pasi përdori apartamentin e saj si një studio të imponuar për vite me radhë. Për të, tatuazhet janë më shumë sesa art, por një formë shërimi, si për nga ana fizike po ashtu edhe nga ana psikologjike.

Foto: Gjergj the Goat Head

“Kam menduar për piktura me sprej (llak): Sesione Terapie: 20 euro në orë” në dritaren e studios sepse kjo do të ishte përshkrimi më i sinqertë i asaj që bëj unë,” tha ajo. “Për mua, bërja e tatuazheve është një përvojë të cilën unë do ta përdor, që nga momenti kur ju hyni në dyqanin tim. Për njerëzit (klientët), unë bëhem një motër e madhe ose një motër e vogël. ”

Për dallim nga artistët nga ‘Heavy Ink dhe Prishtina Ink’, Albana mishëron një spirtualitet të caktuar dhe ka një qasje tepër të lehtë ndaj zanatit, duke e konsideruar tatuazhin si jo vetëm si diçka të përhershme dhe që ta ndryshon jetën, por si të përhershme edhe tërë procesin e tatuazhit në vetvete.

“Kam pasur shumë njerëz që kanë hyrë në studio dhe kanë kërkuar tatuazhe me simbolin e Përjetësisë (Infinity),” tha ajo, duke gjurmuar shenjën e vogël të figurës së përjetësisë tetëfigurëshe të krahut të saj. “Por asnjë nga ata njerëz nuk u largua nga kjo studio me atë tatuazh. Kur i pyesni ata pse ata besojnë se diçka e tillë i përfaqëson ata, do ta zbuloni se ata frikësohen nga ideja e vdekjes apo diçka e ngjashme. Unë u jap njerëzve hapësirë për t’i vënë në dyshim zgjedhjet e tyre dhe sigurohem se ata me të vërtetë po e ndjejnë se një pjesë e identitetit të tyre po futet në trupin e tyre. ”

Albana gjithashtu është frymëzuar nga modelet tradicionale të tatuazheve të Ballkanit, dhe po bën punën e saj që ta përjetësojë këtë stil të vjetër dhe ta shpikë të njëjtin për kohën e tanishme.

“Këta diej dhe tatuazhe të vjetra ishin bërë tatuazhe vetëm tek gratë, dhe teksa ato po zhdukeshin, kjo përfaqësonte ndryshimin tonë historik nga një shoqëri matriarkale tek një shoqëri patriarkale,” tha ajo për Prishtina Insight. “Kështu që unë dua të ripërtërij këto modele, por nuk i lë plotësisht si të njëjta. Unë kam filluar t’ua bashkangjis atyre ato që shqiptarët e quajnë një ‘fabrikë parash’. Shumë njerëz i mbajnë ato në shtëpitë e tyre, është një pemë e vogël për të cilën thuhet se sjell fat dhe prosperitet. ”

Përmes hulumtimit të tij antropologjik, Krutak ka zbuluar edhe artistë tjerë tatuazhesh gjithashtu duke punuar për të ringjallur këtë traditë. “Artistët kroatë të tatuazheve Zele në Zagreb dhe Sasha Aleksander në Rovinj krijojnë forma bashkëkohore të këtyre tatuazheve antike për klientët e tyre meshkuj dhe femra. Pra, ekziston një ringjallje e tatuazhit në Ballkan që është në zhvillim  e sipër,” tha ai.

Arti i tatuazhit nënkupton lirinë absolute për Albanën, e cila tha se ajo gjithmonë ka luftuar për të jetuar jetën e saj brenda pritshmërisë shoqërore me dizajnim të rreptë të lumturisë dhe suksesit. “Tani, unë jam në gjendje të jem vetvetja plotësisht. Unë jam ajo që vendos kur duhet hapur dyert e mia dhe nëse dikush dëshiron një tatuazh në orën tre të mëngjesit, unë do të jem atje. Unë provova të shkoja në universitet, isha drejtor arti i një kompanie, e provova veten, por një ditë e kuptova  se kisha nevojë të jetoja ndershmërisht. ”

Albana ishte në gjendje ta niste biznesin e tatuazheve kur një shoqe e saj vodhi një makinë që kaloi doganën nga Berlini, duke praktikuar mbi veten dhe miqtë e saj dhe duke e kthyer atë ngadalë në pjesë të jetës së saj.

Lirinë që kjo ia ka sjellë asaj, beson se i ka sjellë asaj një lumturi të vërtetë. “Jeta në Kosovë është tepër e vështirë për kaq shumë njerëz, por nëse punoni sa duhet për të dalë nga rrethi në të cilin aq shumë njerëz janë kurthuar, mund të ndryshoni jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve po ashtu. Dhe sipas meje, kjo është saktësisht ajo që po bëj.”

Ndërsa në vitet ‘70, Faruk Gashi dëshpërimisht donte t’i fshehte tatuazhet e tij nga njerëzit përreth tij, Albana dhe artistët e tjerë të tatuazheve bashkëkohore që punojnë dhe jetojnë në Kosovë, tani mund të shfaqin me krenari tatuazhet, modelet e tyre dhe bizneset e tyre në botë. Megjithëse disa paragjykime ndaj njerëzve me tatuazhe mbeten akoma, thanë ata, të gjithë janë të bindur se tatuazhet më në fund janë pranuar edhe një herë si forma e artit që ishte prezent në Ballkan qindra vjet më parë.