Arsyetohet se e Vrau Duke e Menduar për Ari

Agrush Kuqi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe i është shqiptuar një dënim prej 17 vjetësh për veprën penale, vrasje e rëndë.

I dënuari  më 27 qershor të vitit 2009 në malet e fshatit Kotlinë, komuna e Hanit të Elezit, me armët e gjuetisë vret 35 vjeçarin Safet Loku, po ashtu nga Kaçaniku.

Vetë i pandehuri në deklaratën e tij dhënë gjykatës, pretendon se vrasja është bërë nga pakujdesia.

“Unë kam menduar se është arushë e jo njeri dhe vetëm një herë kam shtënë me armë, edhe pse ende kam pasur plumba, por pastaj kam parë që kam gabuar”, i ka thënë gjykatës Agrush Kuqi.

Megjithatë Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka quajtur të pavërteta këto pretendime të palës së akuzuar, ndërsa prokurori i çështjes Rasim Maloku e ka cilësuar vrasjen si hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të dy palët kanë qenë të involvuar në një mosmarrëveshje për çështje pronësore qysh para luftës.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetari i trupi gjykues, Ibrahim Idrizi tha se ne këtë rast ka pasur   ekspertiza balistike, mjeko-ligjore, autopsi, ekzaminime të ndryshme, dëshmitarë dhe rikonstruksion në vendin e ngjarjes.

Dëshmitarë në këtë rast kanë qenë persona që kanë qëlluar në vendin e ngjarjes dhe po ashtu persona që kanë dëshmuar për hasmërinë mes dy familjeve.
 
Avokati i të pandehurit, Shemsedin Piraj, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se cilësimi juridik është i padrejtë.

“Do të bëjmë ankesë ndaj këtij aktgjykimi, sepse besoj se Gjykata e Apelit do të sjellë një vendim të drejtë”, tha Piraj.

I pakënaqur me aktgjykimin ishte edhe Nuhi Paqarizi, avokat i familjes së të ndjerit.

“Kjo ka qenë një hasmëri e vjetër dhe jemi të pakënaqur me dënimin. Sigurisht që edhe ne do të bëjmë ankesë”, tha Paqarizi.

Në tetor të vitit 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar Agrush Kuqin me 20 vjet burgim për këtë rast, por Gjykata Supreme e Kosovës në shkurt 2012 e pati anuluar Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut, me arsyetimin se nuk ka pasur rikonstruktim të vendit të ngjarjes dhe e pati kthyer rastin ne rigjykim.
 
I dënuari Kuqi gjendet në masën e paraburgimit që nga 27 qershori i vitit 2009, masë kjo e cila i ishte caktuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ndërkohë lënda më pas që nga 1 janari pas rikthimit në gjykim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Ferizaj.