Arsyet që mund të çojnë në shkarkimin e bordit të Ujësjellësit "Prishtina"

Pas shkarkimit të bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar analizimin e gjendjes edhe në ndërmarrjet e tjera publike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se Qeveria do të analizojë të gjitha raportet e Auditorit për ndërmarrjet publike para se të marrë vendime për bordet që mund të shkarkohen.

E njëjta gjë është konfirmuar edhe nga ministrja e Ekonomisë, Punësimit dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ajo ka thënë se në ditët e ardhshme do të analizohen raportet e Auditorit dhe ato të performancës së ndërmarrjeve publike.

KALLXO.com në vazhdimësi i ka publikuar raportet e auditimit që u janë bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit ndërmarrjeve publike.

Vetëm Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës kishte opinion të pamodifikuar nga 11 ndërmarrjet e audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit. 10 ndërmarrjet e tjera kishin opinione të kualifikuara apo të kundërta, të dyjat opinione që tregojnë se kishte parregullsi në pasqyrat e tyre financiare.

Një prej tyre është edhe Kompania Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se aspektet financiare në KRU “Prishtina” janë përkeqësuar në vitin 2018 krahasuar me vitin paraprak.

Në vitin 2017,  Auditori kishte dhënë një opinion të ‘kualifikuar’ për pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrjeje publike.

Janë dy raste kur Auditori jep opinion të kualifikuar.

“Auditori duhet të japë një opinion të kualifikuar nëse: (1) pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, auditori arrin në përfundimin se keqdeklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë materiale por nuk janë përhapur në pasqyrat financiare, ose (2) nëse Auditori nuk ka mundur të marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme në të cilat të bazojë një opinion, por arrin në përfundimin se efektet e çdo gabimi të pazbuluar mbi pasqyrat financiare kanë mundur të jenë materiale por jo të përhapura”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kurse në vitin 2018 kishte përkeqësim, pasi opinioni i Auditorit ishte i ‘kundërt’.

“Auditori duhet të japë një opinion të kundërt nëse, pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, Auditori arrin në përfundimin se keqdeklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare”, thuhet në shpjegimet e bëra nga Auditori për ‘opinionin e kundërt’.

Auditori në raportin e auditimit të KRU “Prishtina’ 2018 ka theksuar se “pasqyrat financiare vjetore për vitin 2018 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”.

“Sipas opinionit tonë, për shkak të efekteve të çështjeve të përshkruara në paragrafin për Baza për Opinion të Kundërt, pasqyrat vjetore financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, të KRU “Prishtina” për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në raport.

Siç bën të ditur Auditori në raportin për vitin 2018, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, rivlerësimet duhet të bëhen në mënyrë të rregullt çdo tre ose pesë vjet, që të sigurohet se vlera kontabël (neto) e aktivit nuk ndryshon materialisht nga ajo që do të përcaktohej nëse do të përdorej vlera e drejtë në fund të periudhës raportuese.

Kurse, kompania procesin e vlerësimit të aseteve për herë të fundit e kishte realizuar në vitin 2007.

Si rezultat i kësaj, në regjistrin kontabël të aseteve figurojnë një numër asetesh me kosto historike në shumën 12,325,994 euro e që janë të zhvlerësuara në tërësi dhe të regjistruara me vlera zero.

“Këto pasuri janë ende aktive dhe për të njëjtat nuk ishte bërë rivlerësimi dhe rishikimi i jetëgjatësisë së tyre”, thekson ZKA.

Çështja e rivlerësimit të aseteve ishte trajtuar edhe në raportin e auditimit financiar për vitin 2017, mirëpo ende nuk ishte përmirësuar për shkak të dështimit të procedurave të prokurimit në përzgjedhjen e kompanisë vlerësuese.

Mes tjerash, në raport theksohet se arkëtimet në shumën prej 648,443 euro nuk u janë zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, por këto mjete ishin regjistruar në zërin kontabël me përshkrimin “Pagesat e dyshimta dhe të jashtëzakonshme”.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, kjo ka ndodhur si pasojë e vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e shkarkimit të pagesave nga llogaria bankare.

Në këtë ndërmarrje publike, në vitet 2017 dhe 2018, ishin gjetur edhe një varg shkeljesh të tjera, si zbatim i ulët i rekomandimeve, dobësi në prokurim dhe telashe me menaxhim të kontratave.

Qeveria e Kosovës në qershor të vitit 2019 kishte emëruar bordin e drejtorëve të KRU “Prishtina” , i cili përbëhet nga Betim Berisha – kryesues, si dhe drejtorët e tjerë: Amir Gashi, Bajram Jashari, Albetron Sahiti, Sejdë Tolaj dhe Ilir Rexhepi.

Bordi i politizuar i KRU “Prishtina”

KALLXO.com kishte raportuar se bordi i ndërmarrjes publike KRU “Prishtina” do të kryesohet nga Betim Berisha, nipi i ish-deputetes së PDK-së, Sala Berisha Shala.

Betim Berisha, në vitin 2016, ka qenë zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas si dhe ka qenë drejtor i Urbanizimit në Komunën e Drenasit.

KALLXO.com ka marrë përgjigje nga Komuna e Drenasit si dhe dokumentin për lirim nga detyra për ish-drejtorin e Urbanizmit, Betim Berisha. Në vendim thuhet se Berisha është liruar nga detyra më 11 prill 2017. Pra, kanë kaluar 26 muaj që kur Berisha mbante një post politik.

Në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” është emëruar edhe Sejdë Tolaj, ish-anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Tolaj për KALLXO.com kishte thënë se nga viti 2018 është dorëhequr nga pozitat që kishte në partinë e tashmë ish-kryeministrit.

Në bordin e kësaj ndërmarrjeje është emëruar edhe Bajram Jashari, dhëndri i deputetit tjetër të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Jashari nuk kishte post politik në 36 muajt e fundit. Por, Organizata “Çohu” kishte publikuar një hulumtim në të cilin tregonte për lidhjet dhe postet që Jashari kishte me Partinë Demokratike të Kosovës.

Jashari e ka pranuar për KALLXO.com që ka qenë pjesë e PDK-së, por se tash e një kohë i ka ndarë rrugët me politikën.

“Jo, kam dhënë dorëheqje (nga PDK) në kohën kur ka qenë Agim Ceku kryetar për kandidat komune, në vitin 2010-2011”, tha ai.

Anëtari i katërt i bordit të KRU “Prishtina” është Albatron Sahiti. Ai ka qenë asamblist i AAK-së dhe ish-anëtar i Këshillit Drejtues të partisë së Haradinajt.

Sahiti ka qenë asamblist në mandatin e kaluar, që i bie deri në fund të vitit 2017, pra më pak se dy vjet që prej se nuk është më në atë pozitë.

“Kam qenë asamblist i AAK-së në Ferizaj por aktualisht jam vetëm aktivist. Anëtar nuk jam në struktura të AAK-së. Nuk jam rizgjedhur në zgjedhjet”, kishte thënë Sahiti për KALLXO.com.

Edhe partia Nisma Socialdemokrate e ka marrë një vend në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Ilir Rexhepi, pasi kishte aderuar në Nismën Socialdemokrate është rizgjedhur në bordin e KRU “Prishtina”.

Rexhepi ka mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate, por KALLXO.com ka gjetur se ai kishte aderuar në Nisma më 27 shkurt të vitit 2018.

Edhe anëtari i gjashtë i bordit të Ujësjellësit “Prishtina” ka të kaluar politike të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës.

Amir Gashi, që ka qenë kryesues i bordit në mandatin e kaluar, tash është zgjedhur vetëm anëtar bordi. E kaluar e tij është e lidhur me PDK-në. KALLXO.com në vitin 2016 ka raportuar se Gashi ishte parë në atë kohë në një foto me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, po ashtu edhe në faqen zyrtare shkruante që Amir Gashi ushtronte funksionin e sekretarit organizativ të degës së PDK-së në Prishtinë.

Gashi në atë kohë kishte thënë se fotot datonin nga viti 2012. PDK-ja asnjëherë ka dhënë përgjigje se kur është dorëhequr Gashi. Ai vazhdon të insistojë se nga PDK-ja ishte larguar në vitin 2012.

“Unë ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së që nga viti 2012, sepse kur janë mbajtur atë kohë zgjedhjet e Këshillit Drejtues nuk jam zgjedhur. Tani nuk jam as aktivist”, tha Gashi për KALLXO.com.

Neni 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë drejtorët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Favorizimi i bashkëpartiakëve për bordin e KRU Prishtinës (DOKUMENT)

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.