Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsimi në Kosovë mes premtimeve për digjitalizim dhe mungesës së librave

Përfaqësuesit e partive politike nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia Boshnjake (VAKAT) shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për arsimin në #DebatPernime.

Në mesin e premtimeve përfaqësuesit e LDK-së, Frashër Demaj dhe VV-së, Blerim Gashani, premtuan digjitalizimin e shkollave, ndërtimin e objekteve parafillore, mësimin e kombinuar teorik-praktik në shkollat profesionale, reforma në kurrikula, pajisjen e shkollave me internet, ndryshimin në mënyrën e notimit. Ndërsa, përfaqësuesit e partive jo-shumicë nga PLE, Artan Berisha dhe Qerim Bajrami nga VAKAT shtruan problemet e tyre për shkollim dhe kërkesat për pajisje me libra në gjuhët e tyre, ndërtimin e objekteve parafillore dhe parandalimin e braktisjes së  shkollës fillore.

Përfaqësuesi i LDK-së Frashër Demaj shpalosi programin e LDK-së me nëntë shtylla për arsimin: Arsimi në pandemi, avancimi i strukturave dhe funksioneve në arsim, kurrikula, edukimi parashkollor, arsimi parauniversitar, arsimi profesional, arsimi për komunitetet jo-shumicë, arsimi i lartë dhe profilizimi i universiteteve publike dhe shkenca.

Përveç këtyre Demaj premtoi pjesëmarrjen e fëmijëve nëpër institucione parashkollore, funksionalizimin e anekseve në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, ku ka vend të mjaftueshëm që t’i adaptojnë për edukim parashkollor, ndërtimin e institucioneve të tjera parashkollore, pajisjen me psikologë, sociologë, koordinatorë të cilësisë dhe këshilltarë për karrierë.

“LDK ka krijuar një regjistër të shkollave që janë të pashfrytëzueshme dhe e para që do bëjmë është funksionalizmi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta që ka vend të mjaftueshme të i adoptojmë për kushtet dhe nevojat që i ka edukimi parafillor. Pas kësaj faze do vazhdojmë me ndërtimin e tyre, ku në këtë kuadër hyn mbështetja që LDK do të jap për komunat në ndërtimin e institucioneve të reja, sepse buxheti i tyre është i pamjaftueshëm”, deklaroi Demaj në DebatPernime.

Tutje, Demaj premtoi përkrahjen e Qeverisë për komunat për ndërtimin e institucioneve parashkollore, riaftësimin e mësimdhënësve që do të merren me arsimin parashkollor, trajnime të veçanta që të jenë 100% gati për institucionet parashkollore, qëndrim gjithë ditor në shkollat ku ka infrastrukturë të nevojshme, ndërtimin e objekteve të reja dhe brenda mandatit. Kurse në kuadër të mësimit gjithë ditor Demaj premtoi edhe zvogëlimin e nxënësve nëpër klasa, menaxhimin e integruar të shkollës, pavarësimi i menaxhmentit të shkollës.

“Në mënyrë që të mos kemi drejtor politik t’i pajisim drejtorët me kontrata të përhershme, por secili prej tyre t’i nënshtrohet vlerësimit të jashtëm”, tha Demaj.

Ndër të tjerash Demaj premtoi që në fshatrat në të cilat rrezikohet mbyllja e shkollave si pasojë e shpërnguljeve e migrimeve, ai tha nëse është një nxënës në një shkollë, ai të bartet në një shkollë tjetër, por nëse ka më shumë nxënës duhet të bëhet e pamundur që mos të mbyllet shkolla.

Kurse për mësimdhënësit që i janë afruar moshës së pensionit dhe kanë probleme shëndetësore ai tha se ka mundësi që ata të pensionohen para kohës që ndikon në krijimin e mundësive të reja për mësimdhënësit e rinj dhe të përgatitur profesionalisht.

Demaj deklaroi se ku ka ngecje do të organizojnë orë shtesë në shkolla që të evitohen mangësitë te nxënësit, internet në të gjithë territorin e Kosovës që në vitin e parë të qeverisjes, hapjen e shkollave digjitale në shtatë rajonet kryesore të Kosovës, arsimin për komunitete –skemën e veçantë të bursave për t’u shkolluar në secilin nivel, tekstet shkollore për komunitetet jo-shumicë, përgatitjen e mësimdhënëse të komuniteteve jo-shumicë, dhënien e drejtimeve arsimore për komunitet jo-shumicë, profilizimin e shkollave profesionale do të jetë i lidhur me ekonominë, mësimi dual, pjesa teorike dhe pjesa praktike dhe vlerësimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve.

Përfaqësuesi i LVV-së dhe listës së Vjosa Osmanit në këtë debat ishte Blerim Gashani, i cili shpalosi programin qeverisës për arsim për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gashani premtoi përfshirje sa më të madhe e fëmijëve nga 2 deri në 4 vjeç në arsim parashkollor, përfshirjen e plotë e fëmijëve në arsimit parafillor, digjitalizimin e shkollave, pajisjen e çdo familje me kompjuterë, ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja, adaptimi i objekteve për institucione parashkollore, pajisjen e të gjitha shkollave me biblioteka, banim të përballueshëm për mësimdhënësit, vlerësimi i mësimdhënësve.

“Kujdes i shtuar do t’i japim përfshirjes në mësim të fëmijëve nga mosha 2 deri në 4 vjeçare, pastaj perfeksionimit të edukimit parashkollor, ndryshimit të paradigmës të shkollimit të nivelit fillor nga klasa e parë deri në të pestën. Do e largojmë notimin diferencial duke e zëvendësuar me formativ”, tha Gashani në #DebatPernime.

Gashani premtoi që për familjet në nevojë dhe ato në skema sociale, rëndësi do t’i jepet përjashtimit nga pagesa edhe në institucionet parashkollore private, perfeksionimin e kurrikulës të edukimit parashkollor, ndryshimin e plotë i nivelit të ulët 1 deri në 5, heqjen e notimit diferencial duke e zëvendësuar me notimin formativ dhe sinkronizimin e arsimit profesional me tregun e punës.

Ndërsa për qëndrim gjithë ditor të fëmijëve Gashani tha se fokus do t’i jepet pilot-projekteve për qëndrim gjithë ditor në shkolla deri të vjen koha që qëndrimi gjithë ditor të bëhet standard.

Kurse, për mbylljen e shkollave për shkak të mungesës së nxënëseve në fshatra si pasojë e braktisjes se zonave rurale si reforma në Kamenicë, Gashani tha se mbyllja e shkollave është zgjidhja e fundit në planin e tyre.

Në mesin e premtimeve Gashani ai tha se plani i tyre është implementimi i shkollave digjitale dhe ndihma ndaj familjeve që nuk kanë pajisje menjëherë pas zgjedhjeve, në mandatin e parë.

“Shkolla digjitale do të ndihmonte që në një mënyrë më të zgjuar të përdorim mjetet teknologjike që po na i ofron shkenca, që t’i zëmë mësimet derisa të kaloj pandemia. Sapo të përfundojnë zgjedhjet, ditën e parë jo të pritet”, tha Gashani.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Artan Berisha dhe përfaqësuesi i VAKAT, Qerim Bajrami, shpalosën propozimet, kërkesat dhe problemet e arsimit në komunitetet e tyre në Kosovë.

Artan Berisha tha se niveli parashkollor është edhe pjesë e programit të PLE-së duke mos përjashtuar nivelin fillor, të mesëm të lartë, universitar dhe studimet jashtë vendit.

Sipas tij, kërkesë e komunitetit egjiptian është që Qeveria t’i japë rëndësi nivelit parashkollor për shkak se nuk ka qendra për edukim parashkollor në fshatra kështu që çdo shkollë duhet ta ketë pjesën për parashkollorë.

Berisha shprehu problemet e komuniteteve jo-shumicë si çerdhet private që kanë probleme të mëdha financiare, shkolla që funksionojnë ende me dy e tri ndërrime, braktisjen e shkollimit fillor.

Ai kërkoi unitet politik për arsimin që sipas tij vetëm 30% e fëmijëve të komuniteteve jo-shumicë, romë, ashkali dhe egjiptian nuk kanë arritur të vijojnë mësimin online për shkak të arsyeve të shumta, një ndër to është edhe mungesa e mjeteve teknike për ta përcjellë mësimin online.

Përveç kësaj ai kërkoi edhe kuotë të veçantë për mësimdhënësit e komuniteteve jo-shumicë për shkak se sipas tij kanë 100 persona që janë të gatshëm të jenë mësimdhënës.

“Kërkesa jonë si komunitetet është që çdo qeveri ta ketë me rëndësi këtë nivel të arsimit, pra për çerdhet dhe shkollimin parafillor. Ne, nëpër fshatra nuk kemi qendra për parashkollor. Kërkesa ime është që çdo shkollë fillore ta ketë pjesën për parashkollor sepse këtu fillon gjithçka. Ka shumë qendra private, por duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të komunitetit tonë, ne e kemi shumë problem që t’i dërgojmë fëmijët tanë nëpër çerdhet private, nuk i kanë kushtet elementare”, deklaroi Berisha.

Kurse, Qerim Bajrami nga VAKAT, kërkoi që gjuha boshnjake dhe shkollimi në gjuhën boshnjake të mbetet edhe më tutje në Republikën e Kosovës sepse e konsiderojnë si themelin kryesor për komunitetin e tyre.

Bajrami kërkoi ndërtimin e verdhëve në vendet ku jetojnë boshnjakët që sipas tij në 40 fshatra ku jetojnë boshnjakët nuk ka asnjë çerdhe, futjen e inspektorëve boshnjakë në shkolla ku ka boshnjakë,

“Programi jonë ka qenë dhe do të mbetet edhe më tutje në Republikën e Kosovës sepse ne konsiderojmë se arsimimi në gjuhën boshnjake themelin kryesor për komunitetin tonë sepse pa arsimin në gjuhën tonë nuk do të mbesin as boshnjakët në Kosovë. Kemi shumë probleme. Ne tash kemi bërë kërkesë në MASh që të na sjellin librat deri në klasën e nëntë. Neve na mungojnë librat shumë Kosovë. Në shtator kemi sjellë abetaret. Qeveritë në Kosovë nuk na kanë realizuar kërkesat tona”, ka deklaruar Bajrami.