Arrihet Marrëveshja për Bashkëpunim Rajonal

“Pa paragjykim për pozicionin e palëve për statusin, në përputhje me 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, është teksti i fusnotës në të cilën do të përfaqësohet Kosova në forumet rajonale. 

BE-ja thotë se marrëveshja do të lejojë Kosovën të marrë pjesë dhe nënshkruaj marrëveshje të reja në llogari të veten dhe do të flas në emër të vetin në të gjitha takimet rajonale, të cilat marrëveshje janë nënshkruar nga UNMIK-u deri më tani.

Zyra e informimit të BE-së po ashtu thekson se palët  kanë përfunduar një protokoll teknik mbi zbatimin e marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufijve të arritur më 2 dhjetor, 2011.

Kjo kthen konkluzionet e miratuara në dhjetor të vitit të kaluar në një marrëveshje operacionale. 

“Kjo do t’ju mundësojë atyre të fillojnë punën në pyetjet praktike siç janë buxheti, dizajni dhe lokacioni i  objekteve,” thuhet në kumtesën për shtyp.  

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fuele, kanë përshëndetur marrëveshjet e arritura duke thënë se nuk janë të rëndësishme vetëm për palët por edhe për stabilitetin e rajonit dhe BE-së.

“Dua t’i përgëzoj të dyja palët. Njëra vë në formë operacionale marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikave kufitare; tjetra konsolidon bashkëpunimin rajonal dhe siguron që secili të përfaqësohet siç duhet. Të dyja këto janë hapa të mëtejshëm në rrugën evropiane”, ka thënë Ashton.

Fuele tha se këto marrëveshje demonstrojnë angazhimin e Kosovës dhe Serbisë për të ardhmen etyre evropiane.

“Marrëveshja e sotme po ashtu përforcon bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe agjendën e zgjerimit me rajonin e Ballkanit perëndimor”, ka thënë Fuele.

Marrëveshja e arritur për përfaqësimin e Kosovës në takime rajonale nuk ka përfshirë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës ashtu siç kishte kërkuar kryeministri Hashim Thaçi.

Dje, me 24 shkurt, Kryeministri ishte decidiv se krahas kërkesës së Serbisë, për Rezolutën 1244 të cilën e ka pranuar kryeministri, do të jenë edhe mendimi i GJND-ës për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. 

“Nëse nuk pranohen edhe këto fusnota”, tha kryeministri Thaçi, “atëherë nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë”.

Kosova dhe Serbia planifikojnë të takohen javën e ardhshme për të diskutuar çështjen e regjistrimit civil me qëllim të përshpejtimit të implementimit të kësaj fushe.

Marrëveshjen e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur ‘jashtëzakonisht të rëndësishme dhe se kjo marrëveshja i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Evropiane’.

“Unë jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës. Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme,” thuhet në kumtesën për shtyp e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Ai tha se me këtë marrëveshje Kosova ka shënuar hapin e parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. 

Kryeministri Thaçi tha se është i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, ‘por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës’. 

“Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme,” tha ai.  

Ai po ashtu theksoi se nuk cenohet statusi i Kosovës në këto takime ku nuk paraqitet epiteti “Republikë”.

“Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga Institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me Opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë,” tha Thaçi.

Thaçi tha se ka marrë garanci të plotë pas konsultave me partnerët si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Shqipëria,etj se ‘marrëveshja për bashkëpunim dhe përfaqësim rajonal do të jetë çelësi për integrimin evropian të Kosovës’. 

Në ndërkohë, edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur duke thënë se tani Kosova do të përfaqësohet nën rezolutën 1244, dhe nuk do të jetë e përfaqësuar si shtet i pavarur. 

“Kosova nuk do të përfaqësohet në punën e forumeve dhe institucioneve rajonale si shtet i pavarur, por në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,” tha Tadic, transmeton B92. 

Ai tha se Republika e Srbisë është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e cila respekton rezolutën 1244 e cila garanton sovranitetin (e Serbisë) mbi Kosovën dhe vendimin e GJND-së e cila nuk përcakton sovranitetin, duke rikujtuar se janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.