Arrestohet Sulmuesi i Biznesmenit Kastrati

Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë rajonale në Pejë, ka njoftuar se hetuesit e krimeve serioze kanë hetuar disa pista lidhur më rastet e sulmeve ndaj shtetasit Salih (Sh.) Kastrati (1948), banues në rrugën “Mbreti Bardhyl”, në Pejë.

Të martën, ata kanë realizuar një bastisje të një shtëpie në qytetin e Gjakovës, pasi që më parë kishin siguruar urdhrin nga gjyqtari i procedurës paraprake. “Me ketë rast, ata kanë arrestuar një shtetas të Kosovës, 30-vjeçar nga Gjakova, në cilësinë e njërit nga personat e dyshuar, si dhe janë konfiskuar disa sende si prova materiale”, ka bërë të ditur Ibra.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit Publik të Qarkut, atij i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48-orësh.

Grupi hetimor është duke zhvilluar edhe hetime të tjera që ndërlidhen me të gjitha rastet e sulmeve  ndaj biznesmenit Kastrati .

Të enjten e kaluar, persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes në shtëpinë e argjendarit Sali Kastrati, në Pejë. Vetëm rreth një orë më parë, ai ishte kthyer nga një gjykim në Gjykatën e Qarkut, ku u dënua me gjobë për armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë edhe më parë i sulmuar nga grupe kriminale.

Kastrati është plagosur në kokë dhe i është nënshtruar një operacioni. Gjendja e tij është e rëndë, sipas mjekëve.