Arrestohet i Akuzuari i Shtatë në Rastin “Monstrumi”

Policia njoftoi të enjten se ka arrestuar, në lidhje me rastin e vrasjeve të rënda, një tjetër të dyshuar, i cili po përpiqej të ikte nga Maqedonia për në Kosovën fqinje në pikëkalimin kufitar të Bllacës.

Hollësi tjera nuk janë bërë të ditura, përfshirë identitetin e të dyshuarit, përveç faktit se ai do të mbahet në paraburgim për 30 ditë.

BIRN megjithatë ka mësuar nga burime të afërta me hetimin që personi i arrestuar është Sami Luta , 28 –vjeçar, shtetas i Maqedonisë.

Hetuesit dyshojnë se ai kishte qenë i pranishëm kur ishin kryer vrasjet në afërsi të unazës së Shkupit në prill të vitit 2012 dhe ka ofruar logjistikë për gjashtë personat e tjerë të akuzuar.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai kishte inspektuar vendin e vrasjes para se të kryheshin vrasjet.

Prokuroria në rastin e njohur si “Monstrumi”, ka akuzuar gjashtë shqiptarë vendas për vrasjen e pesë maqedonasve në përpjekje për të ndezur tensionet etnike në vend.

Katër nga të dyshuarit, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri, janë aktualisht duke u gjykuar në Shkup.

Dy të dyshuar tjerë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi, po gjykohen në mungesë, pasi ata gjenden në burg në Kosovë, të dënuar për posedim të paligjshëm të armëve.

Katër të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm në gjykimin e tyre, që po mbahet në Shkup.

Kufomat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshës mes 18 dhe 20 vjeç, u zbuluan më 12 prill 2012.

Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe dukej se ishin ekzekutuar. Trupi i 45 vjeçarit Borce Stevkovski u gjet jo larg trupave të tjerë.

Lajmi i këtyre vrasjeve ngriti tensionet etnike në vitin 2012, pasi grupe të  maqedonasve vendas organizuan protesta, të cilat në disa raste u kthyen në protesta të dhunshme, duke fajësuar për vrasjet pjesëtarët e komunitetit të madh shqiptar në vend.

Gjykimi do të vazhdojë më 4 shtator në gjykatën penale të Shkupit .