Ilustrim

Arrestohen 4 Grabitësit e Barnatores

Gjatë ditës së djeshme, hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës, kanë realizuar urdhër-kontrollin e autorizuar nga Gjykata e Qarkut, për bastisje të koordinuar të dy shtëpive në dy lokacione të ndryshme, në lagjen Ilirida të Mitrovicës, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

Operacioni i bastisjes ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e katër personave si të dyshuar kryesorë për përfshirje në rastin e grabitjes së armatosur të raportuar më 14 janar 2012, rreth orës 19, në një barnatore private në rrugën “Fadil Deliqi” në lagjen Bair të Mitrovicës.

Në rastin e raportuar të grabitjes, dy viktimat e gjinisë femërore, ishin vënë nën kërcënim të armës nga tre sulmuesit e tyre, ndërsa të njëjtit kishin arritur të marrin para në vlerë prej 300 euro dhe një telefon celular.

“Me autorizimet e ligjshme në procesin e hetimeve, hetuesit kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale përfshirë armën, pistoletë tip “Zastava” 6.35mm, e cila besohet te ketë qenë e përfshirë në rast si dhe telefonin celular që besohet t’i takoj viktimës së rastit të raportuar”.

Veç provave materiale të cilat lidhen drejtpërsëdrejti në rastin e grabitjes, në njërën nga shtëpitë e të dyshuarve, hetuesit kanë identifikuar dhe sekuestruar edhe katër qese të vogla me rreth 8 gram, substancë narkotike të  llojit marihuana.

Katër të arrestuarit, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare, janë intervistuar nga hetuesit policorë. Dy prej tyre iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, me vendim të prokurorit publik.

Ndaj njërit prej të dyshuarve, janë iniciuar edhe hetimet lidhur me posedimin e substancave të dyshuara narkotike.