Arrestim për Trafikim me Njerëz
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit mre Qenie Njerëzore të hënën zhvilloi dy operacione në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave arrestoi shtatë persona, thuhet në komunikatrën e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Të arrestuarit dyshohen se kanë kryer veprat penale trafikim me qenie njerëzore dhe mundësim prostitucioni.
Hetuesit e kësaj drejtorie më 26 prill të vitit 2013 në Ferizaj hapën rastin e trafikimit me qenie njerëzore, me dyshimin e përfshirjes së më shumë personave në këtë vepër penale, thuhet më tutje në komunikatë.
Si rezultat i hetimeve intensive, të hënën për këtë rast u arrestuan pesë persona, ndërsa u identifikua një viktimë e trafikimit.
Edhe në Malishevë, hetuesit e së njëjtës drejtori nga rajoni i Prizrenit, pas hetimeve, sigurimit të provave dhe dëshmive materiale, kapën dy të dyshuar për mundësim ose detyrim prostitucioni.
Të arrestuarit janë F.G.(1995), B. Sh.(1978), L.K.(1993), M. K.(1992), A.N.(1989) në Ferizaj dhe B.P.(1972) e U.H.(1982) në Malishevë.
Të gjitha veprimet policore janë kryer me urdhra të prokurorëve përkatës, ndërsa të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.