Arkëtarja Vret Klientin që e Ngacmoi

Shkelzen Qelaj nga fshati Maznik i Deçanit kishte qenë klient i rregullt në lokalin e lojërave të fatit “Kajot”, që gjendet afër stacionit të autobusëve në Pejë. Mirëpo, një mëngjes, në qershor të vitit 2011, ai shkon i dehur në këtë lokal.

Së bashku me të kishte qenë edhe kushëriri i tij, Arian Qelaj, tani dëshmitar.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, i pandehuri ishte ulur në banakun e lokalit dhe nga aty, i dehur e kishte ngacmuar me fjalë të rënda fyese të pandehurën, që punonte si arkëtare.

Dëshmitarët, kolegë të Kasnecit, kanë treguar se ajo ishte fyer rëndë në baza gjinore, nga tani i ndjeri. Madje, kishte marrë dhe një “ofertë” për seks oral.

Kasneci e nervozuar shkon në një kthinë të lokalit, merr revolen “TT” dhe godet  nga afër katër herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur në vend 34-vjeçarin.

Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kishte arrestuar të pandehurën. Asaj i ishte caktuar masa e paraburgimit, ku vazhdon të qëndrojë ende.

Prokuroria e akuzon të pandehurën Brikena Kasneci nga Shkodra e Shqipërisë për dy vepra penale “Vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Prokuroria e ka cilësuar këtë vrasje si “vrasje e privilegjuar”.

Të hënën, u mbajt seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor që pritet të vazhdojë me shumë seanca të tjera.

E pandehura e kundërshtoi aktakuzën në dy pikat e saj, duke deklaruar fuqishëm që nuk është fajtore.

Ndërsa, avokati i saj mbrojtës, Haxhi Çekaj kërkon nga gjykata që të obligojë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të bëjë një super-ekspertizë lidhur me gjendjen psikike të të pandehurës, pasi ishte i pakënaqur me ekspertizën e mëhershme.

“Rrethanat në të cilat është kryer vepra penale nuk përkojnë me gjendjen shëndetësore të të pandehurës. Ajo që kanë konstatuar psikologu dhe neuropsikiatri janë kundërthënëse”, deklaroi avokati Çekaj.

Sipas tij, kjo vrasje dallon nga vrasjet e tjera sepse kjo është vrasje e privilegjuar, apo siç njihet ndryshe “vrasje e ligjshme”.

Në anën tjetër, pala e akuzës, prokurori publik Agim Kurmehaj deklaron se “duhet të ekzistojnë indikacionet kur thuhet se e pandehura ka çrregullime mendore”. Këto indikacione, sipas tij, mungojnë.

Të dyja palët kishin propozuar prova dhe dëshmitarë. Bajram Hoti, Edmond Berdynaj dhe Fidan Tolaj, si punëtorë të “Kajot”, dhe kolegë të pandehurës kanë përshkruar ngjarjen se si ka ndodhur rasti, duke e mbrojtur atë.

Në seancat e ardhshme pritet të dëgjohen dhe dëshmitarë të tjerë, si dhe nga familja e palës së dëmtuar, që gjenden jashtë vendit.