Arbërie Nagavci

Mësimdhënsja 

Arbërie Nagavci është kandidatja e Levizjes Vetëvendosje për kryetare të komunës së Gjakovës. 

“Tash ka hy në politikë dhe mendoj se ka bërë mirë, për faktin se Gjakovës i duhet një kryetare si Arbërie Nagavci”, deklaroi bashkëshorti i saj Hamëz Nagavci. 

Ai beson se gruaja e tij mund të qeverisë me Gjakovën, për faktin se ka vullnet për punën dhe është e vendosur në vendimet që merr, të cilat i çon deri në fund.

Sipas bashkëshortit të saj, Nagavci është  person që nganjëherë bëhet nervoz, mirëpo që shpejt i kalon. 

“Kohën e lirë kalon duke lexuar dhe i pëlqejnë filmat romancë”, tregoi burri i saj. 

Është e lindur me 29 mars 1970, në Gjakovë. 

Pas përfundimit të shkollës fillore dhe asaj të mesme, kishte vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Gjithashtu është juriste e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Tani vazhdon programin master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. 

Nga viti 1995 deri me 2006, Nagavci punoi si mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore “Yll Morina” Gjakovë. 

Në të njëjtën shkollë vazhdoi punën si drejtoreshë nga viti 2006 deri në 2012-ën. 

Përveç kontributit të saj në arsim, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në shumë aktivitete trajnuese dhe edukuese, të organizuara nga organizatat e ndryshme vendore dhe të huaja. 

Në CV-në e saj, janë të përshkruara detajisht aktivitetet e saja trajnuese dhe edukative që përfshijnë edhe periudhën sa ishte drejtoreshë e shkollës. 

Mirëpo në debatin Zgjedhjet Lokale 2013 me kandidatë për kryetar të Gjakovës , mbajtur më 30 tetor, Arbërie Nagavci fillimisht foli për sukseset e shkollës në kohën sa ishte drejtoreshë, më pas konfirmoi se kishte marrë pjesë si trajnuese në programet edukative të organizatave vendore dhe të huaja për arsimin. 

“Trajnimet i kam mbajtur gjatë ditëve të fundjavës, kur edhe nuk isha e  angazhuar në shkollë”, deklaroi Nagavci.

Premtimi kryesor i zonjës Nagavci ishte shteti i së drejtës, respektimi maksimal i ligjit dhe transparenca në vendimmarrje.